fbpx
Lajme

Misioni ‘top sekret’ i Jasharit e Pajazitit në Surrel, që çoi në rënien e tyre si heronj

Ishte vjeshta e vitit 1990.

Një takim aspak i zakontë do të ndodhte në Shqipërinë gjysmë komuniste ende, e gjysmë në tranzicion demokratik.

Dy delegacione, njëri i Partisë së Punës së Shqipërisë, e tjetri i një force politike të sapo-themeluar, Partisë Demokratike, po qëndronin në Aeroportin e Rinasit.

Nga Bon-i i Gjermanisë, një fluturim kishte zbritur pas tre orësh qëndrimi në ajër.

Prej tij, vuri këmbët në Tiranë Ibrahim Rugova, i cili po i shihte mysafirët për herë të parë sy më sy.

Nga njëra anë, Ramiz Alinë e nga tjetra, Sali Berishën, të cilin nuk e njihte direkt, por një fytyrë familjare (ajo e Gramoz Pashkos), ia kishte lënë të kuptohej se kush ishte ai.

Ftesa, ishte bërë nga Alia, që do të thoshte se gjithçka, ishte organizuar nga shteti shqiptar, ende komunist në atë kohë dhe si situatë e tillë, Rugova ishte mysafir i Ramiz Alisë.

Dita shënjonte një pas rrëzimit të bustit të ish-diktatorit Enver Hoxha, në sheshin Skënderbej.

Përgatitjet patën qenë të mëdha për pritjen e Rugovës, me një sallë të posaçme të bërë gati në Rinas.

Akullin mes dy palëve rivale shqiptare, Rugova vetë u mundua ta thyente, por ai nuk ndezi pasi perceptim real të asaj çfarë Shqipëria vërtetë ishte, nuk e kishte.

Kishte pasur vitet e mëparshme shqiptarë të Kosovës, të cilët shpresën e vetme për të mos rënë pre e serbëve, edhe në vitet 1980, e kishin gjetur tek toka e premtuar mëmë, Shqipëria.

Rrugëtime të vështira ishin ndërmarrë nga individë të ndryshëm, me mundime e me dyshime mbi çfarë do të gjenin përtej kufirit.

Realitetin, në mos të gjithë, shumica e tyre, e kishin perceptuar vetëm përmes rrëfimeve të studios “Shqipëria e re”.

Kishin qenë të gënjeshtërta gjithsesi ato çfarë ata perceptonin mbi vendin e premtuar.

Kthimin pas në Kosovë – jo të gjithë por disa – të lehtë kurrsesi nuk e kishin pasur.

Jo për nga vështirësia e rrugëtimit dhe kujtimeve, sa prej pamundësisë për ta rrëfyer Shqipërinë e vërtetë.

Një Shqipëri e madhe e vizionit të atyre që e vizatonin atë nëpër facoleta, nuk kishte dhe për këtë, nuk para bënte njeri zë.

Ëndrra mbetej aty dhe mbi të gjitha, kur një mundësi e artë, pas takimit të Rugovës me Alinë, kishte mbërritur, për një mision të veçantë.

Në vitin 1991, një urdhër aspak i zakontë arriti në Ministrinë e Mbrojtjes në Tiranë.

Me firmën e Ramiz Alisë, strukturave udhëheqëse në Tiranë u kërkohej të bënin gjithçka për të pritur dhe përgatitur ushtarakisht disa grupe prej dhjetëra vullnetarët, të cilët do të mbërrinin nga Kosova.

Ishte bërë domosdoshmëri në Kosovë ngritja dhe organizimi i mirëfilltë i grupeve të stërvitura, të cilat duhet të mbronin popullatën civile shqiptare nga sulmet e ushtrisë paramilitare serbe.

Kështu u bë në fakt.

Në fshehtësi të plotë, pjesa më e përgatitur e strukturës ushtarake në Shqipëri u vu në funksion të përgatitjes ushtarake.

Grupi i parë nga Kosova, do të dërgohej në zonën e Surrelit, në malin e Dajtit.

Në total u stërvitën aty dy grupe nga Kosova, mes të cilëve edhe emra legjendarë, që kanë shkruar historinë, si Adem Jashari, Zahir Pajaziti, Sali Çekaj apo Ilaz Kodra.

Urdhrin e kishte marrë të qartë edhe ushtaraku Qani Abazi, nga vetë ministri i Mbrojtjes, Perikli Teta.

Teksa, shefi i Shtabit të Përgjithshëm, ishte Kostaq Karoli dhe president e komandant i përgjithshëm, vetë Ramiz Alia.

Organizimin do ta bënte të gjithë Qaniu.

Ai kishte caktuar komandantin e Shkollës së Bashkuar në atë kohë, Aleks Andonin, për të vënë në gatishmëri pedagogët, të cilët do të drejtonin stërvitjet.

Edhe baza ushtarake e gjithçka nevojitej, do të merrej përsipër nga ai dhe Qaniu, is edhe nga komandanti i bazës ushtarake të Surrelit, Sinan Bino.

Frika për dekonspirimin e gjithë planit ishte e dukshme dhe mund të rezultonte katastrofike për Shqipërinë.

Vetë reparti pranë Dajtit, u zgjodh pikërisht për faktin se ishte më i izoluar dhe stërvitja, duhet të mbetej “top sekret”.

Dy emra gjithsesi, ishin kyç për realizimin e misionit: Kastriot Hoxha dhe Hysen Ymeri.

Këta ishin dy ushtarakët e lartë, të cilët u përcaktuan për të stërvitur grupet në planin “taktiko-zbulues”.

Stërvitjen në njohjen e armatimit dhe përgatitjen për qitje, do ta drejtonin Ylli Mici, si shef i katedrës së zjarrit dhe Agron Dhimarko.

Pas nuk do të lihej as përgatitja inxhinierike, të cilën do ta drejtonte Eduard Abazi, anën mjekësore, të organizuar nga Artan Xhika apo mbrojtjen ndaj armëve kimike dhe përdorimin e kundragazit, marrë përsipër nga Alfred Disha.

Me përgatitjen fizike të të ardhurve do të merrej Ramadan Zelija dhe Roland Lako.

Veç këta oficerë do të përfshiheshin në trajnimin e grupeve.

Grupi i parë do të mbërrinte në Shqipëri më 1 tetor 1991, ku do të dërgoheshin në kampin e Surrelit menjëherë.

Udhëtimi ishte pak të thuash tejskashmërisht i lodhshëm dhe rrezikshëm.

Zyrihu i Zvicrën ishte pika kyçe, pasi pasaportat Jugosllave, e mundësonin kalimin atje.

Një grup ishte nisur nga aeroporti i Prishtinës. Tjetri, nga ai i Shkupit. Të dy grupet, ishin takuar në Zyrih.

Në tërësi, bëhej fjalë për 53 vetë dhe skema e ndjekur nga të gjithë ishte e njëjtë: Gjetja e punës në Zvicër, për t’u siguruar familjeve më shumë të ardhura.

Ismet Cerkinji, një prej anëtarëve të grupit të parë, kujton se familjeve nuk u patën thënë gjë, se po shkonin për trajnime ushtarake në Shqipëri, por se po iknin në Zvicër për të kërkuar punë.

Gjërat duheshin bërë me kujdes të madh. Me ndalesën në aeroportin e Zyrihut, një autobus drejt Triestes, i priste 53 anëtarët. Më pas, trageti, i cili do t’i shpinte në Portin e Durrësit.

“Grupi i parë ka ardhur më 1 tetor 1991”, kujton me saktësi edhe Ylli Mici, ish-ushtarak. “Ne vërejtëm që të gjithë ishin mobilizuar sepse kishin ardhur vullnetarisht dhe nuk e kishin marrë aspak si ndonjë lloj ekskursioni”.

Më tej, ai tregon edhe se si të gjithë ishin shumë të vëmendshëm në poligonin e qitjes.

“Moshat kanë qenë të ndryshme”, tregon ndërkohë Cerkinji, duke kujtuar se kishte ndër pjesëmarrësit edhe profesorë, arsimtarë, juristë, inxhinierë, njerëz të ndryshëm, por me një të përbashkët të madhe: Të gjithë ishin tamam patriotë atdhedashës.

Islam Visoka, një tjetër anëtar i grupit të parë, e kujton edhe si ndjenjë të një kënaqësie të lartë, pasi për herë të parë ata po vishnin uniformën e shtetit shqiptar.

Patriotët Sali Çekaj dhe Zahir Pajaziti apo Ahmet Hoxha, ishin po ashtu pjesë e këtij grupimi.

“Stërvitjet ishin të mundimshme”, kujton Visoka. “Ne përgjithësisht ishim njerëz, që kishim kryer stërvitje ushtarake më parë, por ishim thuajse të gjithë intelektualë, me fakultete e shkolla të larta, të disiplinueshëm”.

Grupi duhet kryesisht të përqendrohej në taktikat e luftës guerile, zbulimit dhe përdorimit të armatimeve të ndryshme, eksplozivëve apo edhe përgatitjes fizike e mjekësore. Ishin të nevojshme të gjitha këto.

Lëvizjet jashtë itinerarit ushtarak, i cili fillonte në mëngjes e mbaronte në mbrëmje, ishin rreptësishtë të kufizuara, për të mos lejuara daljen e sekretit të misionit.

Ish-ushtaraku Ylli Mici, e kujton qartë se të gjitha armët e këmbësorisë që mund të përdoreshin, kishin qenë pjesë e trajnimeve.

Eduart Abazi, një tjetër ish-ushtarak, kujton ndërkohë se si një kabinet i posaçëm u krijua për minat, pasi ata veç nëpër filma kishin parë të tilla.

Teksa, Agron Dhimakro, e vë theksin tek përkushtimi që ata kishin ndaj gjithë orëve mësimore në klasë, të cilat më pas transferoheshin me punë në terren.

Përtej rreptësisë së itinerarit të grupit nga Kosova, me këmbëngulje ishte arritur që ata të zhvillonin një vizitë në Krujë.

Një fotografi, siç mban mend Visoka, e parën shkrepur në hyrje të muzeun “Gjergj Kastrioti” ku në qendër, kishin vendosur heroin Zahir Pajaziti.

Ky i fundit, nga ish-ushtarakët shqiptarë, sillej në mend si djalë i thjeshtë, fjalë pak dhe njeri i veprave.

Ai ishte 29-vjeçar atëherë dhe kishte marrë pjesë në gjithë protestat që prej vitit 1981.

Në fund të tetorit, me një letër ku ishin të gjithë kontaktet e grupit nga Kosova, bazës së Surrelit iu dha lamtumira, për t’u kthyer andej nga erdhën.

Grupit të dytë iu la vendi për të kryer të njëjtin itinerar.

Adem Jashari, Ilaz Kodra dhe Sali Çekaj (si organizator u paraqit me të dy grupet), ishin pjesë e misionit.

Për të shmangur çdo dyshim të mundshëm, grupi i dytë nisjen e kreu veç nga Shkupi drejt Zyrihut.

“Asnjëherë nuk e kishim parë Adem Jasharin”, thotë një prej anëtarëve të grupit të dytë, Jakup Limani. “Aty në Shkup patëm rast të njoftoheshim. Na bënte përshtypje nga mustaqet që kishte, nga fizionomia. Ishte i veçantë”.

Sipas Rexhep Kodrës, xhaxhait të Ilaz Kodrës, i vetmi qëllim pse këto misione po ndërmerreshin, ishin sigurisht fitimi i pavarësisë nga populli shqiptar i Kosovës dhe bashkimi më pas me Shqipërinë.

Sahit Jashari, Osman Ferizi, Jakup Limani, të gjithë anëtarë të grupit të dytë, e pohojnë njëzëri se asnjë lidhje nuk e kanë pasur njëri me tjetrin dhe veç përmes misionit janë njohur.

Familjeve, as ata, asgjë nuk i patën treguar, prej ndjeshmërisë së lartë që çështja kishte.

Skema ishte e njëjtë: Kërkesa për punë në Zvicër.

Fehmi Beqiri, një tjetër anëtar i grupit të dytë, e kujton se në aeroportin e Shkupit, shqiptarët mund të frymonin më lirshëm, me disa agjenci turistike që organizonin udhëtime dhe shërbenin si mbulesë formale për atë çfarë fshihej realisht poshtë kësaj.

Shkup-Zyrih-Trieste-Durrës-Surrel. Asgjë nuk ndryshon…

Toka e ëndrrave u shkel edhe nga 55 vullnetarët e grupit të dytë, ku në sy binte grupi nga Drenica, i drejtuar nga Adem Jashari. Pjesa tjetër, vinin nga Deçani, Mitrovica, Prishtina, Prizreni apo Fushë-Kosova, por edhe nga Shkupi, Kumanova dhe Tetova.

Ndryshe nga rigoroziteti me grupin e parë, disi më të lirshëm u treguan ushtarakët me grupin e dytë, sa i përket lëvizjeve.

“Unë jam djali i Shaban Jasharit dhe dua të takoj Xheladin Ferizajn”, i pati thënë Adem Jashari, Artan Gjikës, i cili ishte dhëndri i Ferizajt.

Xheladini dhe Shabani qenë rritur bashkë e Ademi, duke krijuar njohje me Gjikën e duke kuptuar se kush ishte, i bërë kërkesën e pazakontë për të shkuar në Lushnjë, ku edhe Ferizaj jetonte.

Taksinë nuk e kishte pranuar kurrsesi për ta shpënë atje. Donte të shkonte përmes linjës hekurudhore, për të soditur peizazhin e bukur shqiptar.

Pas takimit të përmalluar, Xheladin Ferizaj qe emocionuar, ndikuar nga gjithë kjo sipërmarrje që këta djem të rinj të Kosovës, kishin ndërmarrë, për të çliruar vendin.

Qyteti i Krujës u vizitua po ashtu edhe nga grupi i dytë, së bashku me foton, që u kthye në ritual tashmë.

Edhe data, çuditërisht e simbolikisht, ajo e 28 nëntorit, përkonte jo vetëm me festën e Pavarësisë së Shqipërisë, por edhe me 36-vjetorin e Adem Jasharit.

Një ditë më pas, më 29 nëntor, u vizituan edhe varrezat e Dëshmorëve nga ky grup, ku erdhi kërkesa e papritur.

Prej 55 vullnetarëve, 33 patën kërkuar të ktheheshin në Kosovë përmes malit, me ngarkesa armësh e municionesh.

“Vendimi u mor përsipër nga Ministria e Mbrojtjes”, reflekton Osman Ferizi, anëtar i grupit të dytë. “Me 74 kallashnikovë dhe me arka municion, konvoji u nis për në Tropojë”.

Qani Abazi dhe Ylli Mici, kujtojnë po ashtu se secili prej vullnetarëve, me dy kallashnikovë e me dy arka municione secili, duhet të marshonin gjatë në Kosovë dhe mund të kishin edhe përplasje gjatë rrugës.

Drejt kufirit, do t’i shoqëronte Kastriot Hoxha.

Ushtria serbe, ishte e gatshme kurdo të bënte zbulime grupesh, që kërkonin ilegalisht kalimin e kufirit, me armë e municione.

Më 2 dhjetor 1991, një grup me 31 vullnetarë, me në krye Sali Çekajn dhe Adem Jasharin, thyen kufirin.

Arritja e parë, siç sjell ndërmend Osman Ferizi, u bë në fshatin Voksh, te familja Panxhaj e më pas nga aty, grupi u shpërnda në katër familje dukagjinase të Deçanit.

Nga dëshmitë e oficerëve shqiptarë, një grup i tretë ka qenë i planifikuar të vijë në Tiranë brenda dhjetorit 1991, por nuk ndodhi kësisoj.

Një rrjedhje informacioni (edhe sot e kësaj dite e paidentifikuar) ndodhi dhe autoritetet serbe, ndërmorën në Kosovë një aksion, duke ndalur disa prej vullnetarëve nga grupi i dytë.

Sahit Jashari, anëtar i grupit të dytë, e kujton edhe sot aksionin.

“E kemi ditur që ka me ardhë”, thotë ai, “për atë punë kemi qenë të përgatitur”.

Sa i përket grupit të parë, nuk dihet nëse kanë qenë edhe ata në shënjestër të aksionit serb.

Ndërsa, Qani Abazi, përsiat mbi faktin se ka pasur diskutime për njerëz të infiltruar edhe vetë brenda grupit, apo deri edhe në versione se nga vetë Shqipëria, mund të ketë pasur dekonspirim, për shkak të ndryshimeve të vrullshme që po ndodhnin.

Të dhëna gjithsesi nuk ka mbi asgjë çfarë mund të ketë ndodhur, përveç të rënëve.

Në periudha të ndryshme, Adem Jashari, Zahir Pajaziti, Sali Çekaj, Ilaz Kodra, Ahmet Hoxha etj. Ranë si heronj të popullit të Kosovës.

Për të çliruar popullatën shqiptare, ata u përpoqën t’i jepnin udhë të drejtës dhe frymëzuan kombin për kryengritje.

Reparti ushtarak i Surrelit, ashtu si shumë të tjerë, sot është nën rrënoja.

Historinë, të këtillë, pak e njohin, aty ku pllakada mungojnë dhe dëshmi historike vështirë se gjen.

Por, e tejçuar ndër breza, si dëshmi e gjallë e jo më shumë se 30 vjetëve më parë, për lirinë e shqiptarëve, duhet ruajtur. /Albanianpost.com

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close