Durmishi s’guxon t’i kundërpërgjigjet Lushtakut: Nëse më paditë shkoi në gjyq
Hysen Durmishi preferon të mos merret me deklarimet e rënda të Sami Lushtakut ndaj tij dhe shefave të tij, ministrit Liburn Aliu dhe kryeministrit Albin Kurti.
Megjithatë, zëvendësministri i Infrastrukturës tha se është i gatshëm të përballet në gjykatë me të gjitha pretendimet e ngritura nga Sami Lushtaku, funksionari i PDK-së, i cili sot tha se ka ngritur padi ndaj Durmishit dhe Aliut
Lushtaku, në një deklarim me përmbajtje vulgare dhe të papërshtatshme në publik të enjten për Gazetën Express, akuzoi Durmishin për përhapje të “gënjeshtrave” ndaj figurës së tij.
Përplasja publike mes tyre, mund të zhvendoset në gjykatë. Përballjen në insititucionet gjyqësore e ka mirëpritur Durmishi.
Në një deklarim për Paparacin, Durmishi është shprehur se nuk e ka ndërmend t’u shmanget thirrjeve të gjykatave.
“Nuk du me u marrë me deklarata të z. Lushtaku. Le të ngritë padi ai; natyrisht që jam i gatshëm me u përball në gjyq. Unë nuk i ik gjykatës. Deri tani nuk më ka ardhë asgjë [nga gjykata], kur më vjen do të shkoj”, tha Durmishi për Paparacin.
Zëvendësministri Durmishi, tha të mërkurën se me ardhjen e Qeverisë Kurti janë prishur planet e njerëzve të liderit të AAK-së, Ramush Haradinajt dhe të Sami Lushtakut të cilët sipas tij, fitonin miliona nga Ministria e Infrastrukturës.
Durmishi thotë se me kontratat e mirëmbajtjes, ata ia kanë shpëtuar buxhetit të Kosovës 30 milionë euro.
“Na jau kemi prish planet shumë grupeve të caktuara që kanë përfituara miliona prej Ministrisë së Infrastrukturës. Qe një shembull, unë mendoj që kush mund të jenë këta: prej Sami Lashtakut dhe njerëzve rreth tij e deri te Ramush Haradinaj dhe njerëzve të tij. Shembull, po flasin këtu dy kompani private e kanë bërë një dallaver me nja 30 mijë euro, por vec me kontratën e mirëmbajtjes na ia kemi pshtu buxhetit 30 milionë euro. Diku kanë përfundu këto. 14 lloto ne jemi duke i përfundu me 9 milionë euro për 3 vjet bojnë 27 milionë euro, 57 u ka kështu në qeverisjet e kalume, 30 milionë euro kanë përfundu dikun”, tha Durmishi.
Tutje ai u shpreh i bindur që këto miliona euro kanë shkuar në xhepat e njerëzve të Sami Lushtakut dhe Ramush Haradinajt.
“Nuk e di a kanë shku në xhep të Sami Lushtakut apo të Ramush Haradinajt, por që kanë shku në xhepat e njerëzve rreth Sami Lushtakut dhe Ramush Haradinaj jam i bindur”, tha Durmishi në atv.