fbpx
Lajme

Dyshime për keqpërdorime: Përmendet raporti mes shefit të EULEX-it dhe ish-deputetes së LDK-së

Gazeta austriake “DerStandard” ka raportuar të dielën për mbështetjen e dyshimtë përmes donacioneve që EULEX-i i ka dhënë OJQ-ve të drejtuara nga Njomza Emini. “DerStandard” ngrit dyshime mbi raportet mes shefit të EULEX-it, Lars-Gunnar Wigermark dhe ish-deputetes së LDK-së.

Kreu i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit, Lars-Gunnar Wigemark, nuk është në gjendje të ndajë jetën e tij private nga ajo profesionale.

Gazeta austriake “DerStandard” ka raportuar të dielën për polemika rreth EULEX-it. Misioni i BE-së në Kosovë ka mbështetur me donacione një organizatë jo-qeveritare që nuk ka të bëjë fare me sundimin e ligjit.

Siç raporton “DerStandard”, mulliri i thashethemeve në Prishtinë po zien prej javësh. Përflitet se kreu i EULEX-it, suedezi Lars-Gunnar Wigemark, i ka dhënë mbështetje Komitetit Paralimpik në Kosovë, pjesërisht për shkak se ai kishte një marrëdhënie private me kryetaren e Komitetit Paralimpik të Kosovës, znj. Njomza Emini, ish-deputete e LDK-së.

Konkretisht bëhet fjalë për donacione për organizatën jo-qeveritare që ajo drejton, por edhe për një ngjarje të OJQ-së.

Misioni EULEX nuk i është përgjigjur pyetjes së “DerStandard” nëse Wigemark ka pasur një marrëdhënie të afërt me Njomza Eminin, transmeton Paparaci shkrimin e gazetës austriake.

Polemika rreth Misionit të BE-së, EULEX, në Kosovë/ Artikulli i botuar në “DerStandard”/ 14.08.2022

Në dhjetor të vitit 2021, EULEX-i tha se i ka dhuruar zyrës së Komitetit Paralimpik të Kosovës pajisje të përdorura të TI-së dhe “mobile të përdorura për zyrë nga stoku i tepërt i tij”.

Më 16 dhe 17 korrik, EULEX-i mbështeti një ngjarje të Komitetit Paralimpik në Vushtrri, por të njëjtën gjë e bënë edhe Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR. Në korrik të vitit 2022, EULEX-i i ka dhuruar Komitetit Paralimpik të Kosovës dy automjete të përdorura, të cilat do të përdoren nga disa federata të ndryshme sportive për personat me aftësi të kufizuara.

Po ashtu, EULEX-i ka bërë të ditur se që nga viti 2012 e deri më sot, misioni ka dhuruar në përgjithësi mbi 490 automjete për institucionet kosovare dhe OJQ-të vendore.

Por, shkruan “DerStandard”, nëse e shikoni më nga afër, ka indikacione se donacionet e EULEX-it për organizatat me të cilat është e implikuar Njomza Emini, janë të jashtëzakonshme.

Sipas dokumenteve që posedon “DerStandard, Njomza Emini në mënyrë specifike i ka kërkuar misionit të EULEX-it që të përgatisë broshura dhe bluza për pjesëmarrësit e një ngjarje të një OJQ-je më 16 dhe 17 korrik, dhe një ekip mjekësor nga EULEX-i ishte vënë në dispozicion për eventin. Ky ekip mjekësor kishte qëndruar në vend-ngjarje në dy ditët e zhvillimit të eventit.

Për më tepër, Emini ka kërkuar nga EULEX-i që të pyeste një kompani kontraktuese të EULEX-it nëse ata mund ta përcillnin ngjarjen e OJQ-së së drejtuar prej saj dhe të prodhonin një video me qëllime promovuese.

Me kërkesë të “DerStandard”-it, EULEX-i ka sqaruar se nuk kishte prodhuar video promovuese për ngjarjen e 16 dhe 17 korrikut në Vushtrri. Ata kanë thënë se kanë realizuar vetëm foto dhe video regjistrime për të siguruar më shumë vëmendje për ngjarjen.

Sipas EULEX-it, misioni gjithmonë e bën këtë në ngjarje të rëndësishme ku shefi i misionit shfaqet me folës të tjerë kosovarë apo ndërkombëtarë. Megjithatë, EULEX-i pranon se ka prodhuar fletushka dhe bluza për atletët me aftësi të kufizuara dhe për OJQ-në e drejtuar nga Emini.

EULEX-i gjithashtu pranon se “Njësia Mjekësore e EULEX-it ofroi mbështetje mjekësore” gjatë ngjarjes në Vushtrri, megjithëse “pa kosto shtesë për misionin, përveç karburantit për autoambulancën”.

Znj. Njomza Emini, e kontaktuar nga “DerStandard”, ka thënë se shumë organizata ndërkombëtare kanë përkrahur ngjarjen e OJQ-së së në Vushtrri, dhe jo vetëm EULEX-i.

Ajo ka thënë gjithashtu se EULEX-i nuk e ka ndihmuar me asnjë fond financiar “Forumin për Lidership dhe Demokraci”, OJQ-në të cilën ajo e drejton.

Megjithatë, raporton “DerStandard”, “Forumi për Lidership dhe Diplomaci” organizoi bashkërisht një ngjarje me EULEX-in për të diskutuar rreth të drejtave pronësore të grave dhe dhunën në familje. Sipas burimeve të “gazetës austriake, në “Forumin për Lidership dhe Demokraci” pretendohet se nga EULEX-i janë derdhur 2500 euro për ngjarjen – ndoshta si rimbursim i shpenzimeve.

Emini tha për “DerStandard” se ka marrëdhënie të mira dhe të afërta pune me shumë diplomatë.

Ajo ishte gjithashtu qytetarja e parë e Kosovës që u nderua me Legjionin e Nderit nga Republika e Francës.

“Jam shumë krenare që kam marrëdhënie të afërta pune me shumë diplomatë të respektuar dhe liderë ndërkombëtarë dhe i përdor këto kontakte për të luftuar për të drejtat e grave dhe personave me aftësi të kufizuara në Kosovë”, ka thënë Emini në një përgjigje me shkrim për “DerStandard”.

Ajo nuk i është përgjigjur pyetjes në lidhje me raportin e saj me Wigemark.

Ndërkaq, EULEX-i tha se misioni nuk ka kryer asnjë donacion për “Forumin për Lidership dhe Diplomaci”.

Vetë EULEX-i thekson se të gjithë punonjësit e EULEX-it janë të obliguar të respektojnë kodin disiplinor të sjelljes.

Kodi i emërtuar: “Standardet e përgjithshme të përmirësuara të sjelljes” për misionet e BE-së, thotë:

“Zhvillimi i një marrëdhënieje personale me personat e vendit pritës mund të çojë në rreziqe operacionale ose të sigurisë. Personeli duhet të jetë i vetëdijshëm për këto rreziqe të mundshme dhe të përmbahet nga çdo sjellje që mund të cenojë integritetin, pavarësinë dhe paanshmërinë e pozicionit dhe funksionit të tij, ose imazhin e çdo misioni apo operacioni të politikës së përbashkët të sigurisë dhe mbrojtjes.”

Paparaci ka tentuar të kontaktojë me znj. Emini të martën, por ajo ka qenë e paqasshme në telefon.

Njomza Emini, aktualisht drejtuese e “Forumit për Lidership dhe Diplomaci” dhe Komitetit Paralimpik të Kosovës, ka shërbyer si depuete nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Aleancës Kosova e Re (AKR) në dy mandate.

Me rastin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, ajo kishte nënshkruar Deklaratën e Pavarësisë si deputetja më e re e Kuvendit të Kosovës në atë legjislaturë.

Në vitin 2010, ajo kishte kaluar nga AKR-ja në LDK. Nga politika është tërhequr para disa vjetësh.

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close