Edhe Jakup Krasniqi ftohet nga Gjykata Speciale
Jakup Krasniqi ka njoftuar se është ftuar nga Gjykata Speciale, dhe se do të udhëtojë drejt Hagës me 24 korrik, shkruan Gazeta Express.
Ish-Zëdhënësi i UÇK’së, Jakup Krasniqi, ka konfirmuar se ka marrë ftesë nga Gjykata Speciale për t’u paraqitur për intervistim. Lajmin e ka bërë të ditur në llogarinë e tij në facebook.
Kjo ftesë e Speciales për Krasniqin vjen pas ftesës së djeshme që i është bërë Ramush Haradinajt.
DEKLARATË
Prishtinë, më 20 korrik 2019
Të nderuar bashkëkombës
Ndihem i obliguar moralisht t’ju njoftoj se kam marr ftesë nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale në Hagë të paraqitem më 24 korrik 2019.
Pavarësisht bindjeve të mia që Gjykata Speciale e ngritur mbi bazën e raportit të Dick Martit, miratuar nga Këshilli i Evropës, i cili fund e krye është sajuar në Beograd me shpifje e gënjeshtra dhe me motiv e qëllim të komprometimit dhe inkriminimit të luftës së drejtë e të pastër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përkundër qëndrimit tim të hapur kritik e kundërshtues për krijimin me presion të kësaj gjykate, unë do të prezantohem në hetuesinë e saj në datën e caktuar në cilëndo cilësi. Me besim në drejtësinë, i bindur se e vërteta është që gjatë luftës në Kosovë, Serbia ka kryer gjenocid, kurse konstruktet e saj monstruoze për UÇK-në do të bien poshtë, unë do të jem atje për të dhënë kontributin tim për ndriçimin e së vërtetës historike.
Megjithatë është fatkeqësi dhe ironi e llojit të vet, që në vend se Serbia të përballet me drejtësinë për krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidit, ne duhet të mbrohemi nga akuzat e saj të trilluara, në vend që të gjykohen argumentet dhe provat e pamohueshme dhe të njohura botërisht, drejtësia merret me trille dhe shpifje të ulëta të politikës serbe dhe të shërbimeve të saj sekrete.
Përkundër bindjeve të mia sa i përket kësaj gjykate politike, të krijuar me presion politik nga njerëzit që bartin funksione të larta shtetërore në Kosovë dhe themelimin e saj me votën e atyre deputetëve që ishin numra në Kuvendin e Kosovës, unë do të prezantohem në hetuesinë e Gjykatës Speciale.
Nuk do të jetë hera e parë që dal para hetuesve për të dhënë përgjigje për çështje të sajuara nga pushteti i Serbisë. Ia kam dalë në proceset e hetuesisë jugosllave të viteve tetëdhjetë, siç ia kam dalë me përgjegjësi edhe kur jam ftuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavi, për rastet e kurdisura në bazë të dosjeve të dorëzuara nga Serbia kundër Fatmir Limajt, Ramush Haradinajt dhe bashkëluftëtarëve të tyre.
Në të dy rastet kam dhënë deklarata në cilësinë e zëdhënësit të UÇK-së, përfaqësuesit të saj politik dhe anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së gjatë luftës së viteve 1998-1999. Deklaratat e mia në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavi janë publike, siç është publik edhe verdikti i kësaj gjykate kur i hodhi si të pabaza të gjitha akuzat kundër Fatmir Limajt dhe Ramush Haradinajt, duke shpallur pafajësinë e tyre.
As kësaj radhe nuk mund të jetë ndryshe.
Jakup Krasniqi, anëtar i SHP të UÇK-së dhe zëdhënës i tij