fbpx
Lajme

Edhe Shaqir Totaj shpreson se mund ta përmbysë rezultatin në Prizren

Mytaher Haskuka i VV-së, për vetëm 329 vota është para Shaqir Totajt të PDK-së, sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, pas numërimit të të gjitha vendvotimeve. Por, kandidati i PDK-së për kryetar të Prizrenit shpreson se numërimi i votave me kusht dhe i atyre të diasporës mund ta përmbysë këtë rezultat. 

Duke folur për Gazetën Express, Shaqir Totaj, një ditë pas balotazhit të 19 nëntorit, thotë se diferenca e ngushtë me kundërkandidatin e VV-së, i cili aktualisht kryeson me vota për kryetar të Prizrenit, mund të ndryshojë pas numrit të kutive të votave me kusht dhe të diasporës.

“Tu e pas parasysh faktin që diferenca është shumë e vogël në numër të votave, numri i votave me kusht është rreth 1500 atëherë numerikisht ka mundësi me ndodhë një gjë e tillë, edhe pres që eventualisht mundet me ndryshu diçka”, tha kandidati i PDK-së për të parin e Prizrenit.

Ai thotë se nuk e di ende se çka ka mundur të ndikojë te ky rezultat, duke pasur parasysh se Totaj në raundin e parë kishte dalë i pari për nga numri i votave.

Megjithatë, ai tregon se shumë shpejt do të dalin me përfundime se çka ka mundur të ndikojë në rezultatin e 19 nëntorit.

“Neve na duhen pak ditë për me mund me bë një analizë më të detajuar, dhe duhet të shohim se si ka shkuar puna me partnerë të koalicionit, eventualisht mos kemi pas diçka që nuk kemi mujt me parashiku. Tash për tash nuk kemi analizu me këqyrë ku nuk kanë ecë punët qysh duhen, por në ndërkohë pasi të përfundon atëherë mundemi me dhanë naj mendim”, ka thënë Shaqir Totaj, për Express.

Ndryshe, sipas rezultateve aktuale, Mytaher Haskuka i VV-së prin me vetëm 329 vota diferencë ndaj Totajt. Haskuka ka 25.509 vota (50,32%), derisa kandidati i PDK-së, Shaqir Totaj 25.180 vota (49,68%).

PDK-ja për vite të tëra ka udhëhequr Prizrenin, në krye të së cilës së fundi ka qëndruar Ramadan Muja i po kësaj partie. Madje, PDK-ja këtë komunë e ka konsideruar si Jerusalem të partisë së Kadri Veselit.

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close