EKSKLUZIVE| Asamblisti i LVV-së në Suharekë në mesin e 11 të arrestuarve për dallavere me subvencione
Drejtoria e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Policinë e Kosovës, sot ka kryer aksion në gjashtë komuna të vendit, duke i arrestuar 11 persona, ku prej tyre tre janë zyrtarë dhe tetë përfitues subvencionesh.
Operacioni është kryer në Pejë, Istog, Deçan, Viti, Suharekë dhe Ferizaj.
Demokracia.com ka mësuar se në mesin e të arrestuarve është edhe asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Suharekë, Liridon Fandaj.
Fandaj në llogarinë e tij në Facebook ka postime dhe fotografi të shumta të aktiviteteve si aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje, derisa miqësi të mirë ka me deputetin e LVV-së, Salih Zybën, i cili vjen po ashtu nga Suhareka.
Zyba ishte kandidat për kryetar të Suharekës në zgjedhjet e fundit, por nuk mori as 9 për qind të votave.
Demokracia.com ka tentuar të flas me Fandajn, por i njëjti e ka të fikur celularin. Po ashtu, Demokracia.com e ka telefonuar edhe deputetin Salih Zybën, por ai nuk ka pranuar të flasë me arsyetimin se “është në një ambient të papërshtatshëm”. Të njëjtit i janë dërguar edhe pyetjet përmes SMS-it, por nuk ka kthyer përgjigje.
Sipas Policisë së Kosovës, të arrestuarit dyshohet së janë përfshirë në veprat penale ‘keqpërdorim i pozitës apo autoritet zyrtar’, ‘marrja e ryshfetit’, ‘dhënia e ryshfetit’, ‘mashtrimi me subvencione’ ‘falsifikimi i dokumenteve zyrtare’ dhe ‘pengim i të provuarit apo procedurës zyrtare’.
Tre nga të arrestuarit janë persona zyrtarë, ndërsa tetë persona të dyshuar janë përfitues subvencionesh që dyshohet se kanë përfituar subvencione përmes dhënies së ryshfetit dhe falsifikimit të dokumenteve.
Pas intervistimit të të dyshuarve, më aktvendim nga prokurori, të njëmbëdhjetë të dyshuarit janë dërguar në mbajtje deri në 48 orë. /Demokracia.com/