EKSKLUZIVE: Këta janë pesë vrasësit e Konushevcit dhe Malajt, katër prej tyre u vranë pastaj
Në 18 nëntor 2018 u rivarrosën trupar e heronjve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ilir Konushevci dhe Hazir Malaj.
Zhvarrimi i eshtrave të tyre ishte bërë në Tiranë, kurse një ditë më pas u rivarrosen në mesin e dëshmorëve dhe bashkëluftëtareve të tyre në Prishtinë.
Kanë kaluar 22 vjet dhe vrasja e shefit të logjistikës së UÇK-së dhe mjekut tropojan. Edhe pse Shërbimi Informativ i Shqipërisë kishte informacione të sakta për pjesëtarët e grupit të armatosur që i kishin zënë pritën tinëzisht, deri më tani ishte mbetur tërësisht një mister lufte.
Ilir Konushevci, i njohur me pseudonimin “Mërgimi”, ishte furnitori kryesor i ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare në Kosovë.
Konushevci ishte lidhja më e fortë e familjes tropojane Haklaj për kalimin e arsenalit luftarak matanë kufirit.
Por, si dhe pse ndodhi vrasja e tyre?
Ballkani.info sjell ekskluzivisht rrëfimin e Shërbimit Informativ të Shqipërisë për këtë ngjarje, i cili është i njohur edhe për disa anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.
Në mbrëmjen e 8 majit 1998, Ilir Konushevci, mjeku tropojan Hazir Mala dhe një pjesëtar i UÇK-së që shërbente si shofer, ishin nisur me një kamion me armë në drejtim të Bajram Currit, nën përcjelljen e Shërbimit Informativ të Shqipërisë.
Për të shmangur ekspozimin dhe kontrollet e policisë, ata ishin nisur sapo kishte rënë nata dhe kishin zgjedhur rrugën e vështirë të Qafë Malit.
Rreth orës 02:00 pas mesnatës, kamioni ishte ndeshur në një pengesë të vendosur qëllimisht, që u kishte bllokuar rrugën sapo kishin kaluar fshatin Miliskajë.
Pak minuta pas bllokimit të kamionit, nga një shkëmb i thepisur anës rrugës, një grup personash të armatosur shqiptarë kishin qëlluar me breshëri plumbash drejt makinës ku gjendeshin Ilir Konushevci dhe doktori Hazir Malaj, duke lënë të plagosur Ilir Konushevcin.
Por, si rezultat i zjarrit të hapur nga mjeku Hazir Malaj, ishte plagosur rëndë dhe më pas kishte gjetur vdekjen edhe njëri prej autorëve të asaj prite, i cili pas identifikimit kishte rezultuar se ishte nga Tropoja.
Gjatë shkëmbimit të breshërive me armë, shoferi i kamionit ishte tërhequr me shpejtësi deri tek makina civile e policisë shqiptare që ishte mbrapa si përcjellje, ku kishte edhe 2 zyrtarë policorë të uniformuar, duke u larguar pa u dalë fare në ndihmë Ilir Konushevcit dhe Hazir Malës.
Pasi Ilir Konushevci dhe mjeku tropojan Hazir Malaj kishin mbetur vetëm, kriminelët shqiptarë që u kishin zënë pritën kishin humbur toruan, sepse njëri prej tyre kishte mbetur i vrarë në vend dhe për të humbur gjurmët ata i kishin vrarë më pas Ilir Konushevcin dhe mjekun Hazir Malën, duke i hedhur në një humnerë.
Shërbimi Informativ i Shqipërisë kishte arritur t’i identifikonte pjesëtarët e këtij grupi kriminal, por jo edhe motivin e vrasjes së Konushevcit dhe Malës.
Nuk dihet ende nëse kjo pritë e tyre kishte për qëllim vjedhjet e armëve të UÇK-së për t’i shitur më pas vetë apo vetëm vrasjen e disa ushtarëve të UÇK-së, të cilët njiheshin si të afërt me familjen Haklaj.
Nga burime brenda Shërbimit Informativ të Shqipërisë, Prapaskena ka siguruar edhe emrat e grupit shqiptar që i kishte zënë pritën Ilir Konushevcit e Hazir Malës.
Ata janë Bislim Demiri, Agim Demiri, Petrit Braha, Isa Kernaja dhe Shkëlzen Kurbala.
Këta të gjithë tashmë janë të vrarë, në përjashtim të Petrit Brahës, i cili jeton në Belgjikë dhe është i paralizuar nga disa plumba që kishte marrë më pas.
Një prej vëllezërve Demiri ishte vrarë në natën e pritës më 9 maj 1998, kurse tjetri ishte vrarë menjëherë të nesërmen, siç thuhet, nga një pjesëtar i familjes Haklaj.
Ndërsa, të tjerët ishin vrarë në periudhën 2000-2005, në konfliktin e Tropojës mes familjes Haklaj dhe grupeve që identifikoheshin si të afërta me Sali Berishën. /ballkani/