EKSKLUZIVE: Reduktimet do të vazhdojnë, KEK-u dështon ta rikthejë në punë B2-shin me kohë
Telashe të tjera teknike do ta zgjasin ankthin qytetar nga reduktimet e rrymës. Cili është zhvillimi i radhës?
Tash e disa javë Kosova po përballet me reduktime të shumta të energjisë elektrike, madje edhe nën frikën e paralajmërimeve se gjatë stinës së dimrit do të përballemi me reduktime edhe më të mëdha dhe me fatura shumë të fryra.
Kjo ka ngjallur pasiguri te qytetarët e vendit tonë.
Siç ka raportuar gazeta Nacionale muaj më parë, blloku A është jashtë funksionit, pasi që ky bllok ka kaluar orët e parapara të punës ku është detyruar të ndalet në mënyrë të dhunshme.
Që nga paralajmërimi i KEK-ut se ky bllok do të hyjë në remont, asnjë kompani deri më tash nuk është kontraktuar edhe pse tenderi është hapur me procedura të përshpejtuara ku ka pasur shkelje ligjore pasi që tenderi ka qenë njëburimor.
Por, ka edhe më keq.
Krejt këtyre problemeve iu shtohet edhe një tjetër, bazuar në burimet e gazetës Nacionale brenda Korporatës Energjetike të Kosovës.
Këto burime bëjnë me dije se edhe blloku B2 i cili i prodhon 250 MWh energji elektrike nuk ka hyrë në funksion në kohën e paraparë.
Blloku BW ishte po ashtu në remont dhe është dashur të hyjë në funksion më 26 gusht, e premte. Arsyeja pse edhe ky bllok nuk është rifunksionalizuar ka të bëjë me “probleme teknike” ndërsa shtyrja raportohet të jetë bërë për të paktën “edhe një javë”.
Për faj të mos-funksionalizimit të B2-shit, reduktimet e energjisë elektrike do të vazhdojnë edhe më tej, përkundër zotimeve të kryeministrit të vendit, Albin Kurtit, se “po bëhen përpjekje për të përmirësuar gjendjen elektrike në vend.”
Korporata Energjetike tash e një kohë po injoron pyetjet e gazetës Nacionale lidhur me situatën energjetike në vend si dhe problemet e brendshme menaxhriale që ka kjo kompani. Përsëri provuam të kontaktonim zyrën për medie të KEK-ut – pasi paraprakisht pyetje çuam edhe në KEDS dhe na thanë të kërkojmë përgjigje në KEK – por nuk morëm përgjigje.
Burime të gazetës madje shtojnë se edhe pas futjes në funksion të bllokut B2, sasia e prodhimit do të jetë më e vogël se në të kaluarën. Saktësisht 15 MWh energji më pak do të prodhojë blloku për shkak të telasheve të reja teknike.
Kthimi i bllokut B në punë do të ndalonte reduktimet, pasi për shkak të temperaturave të larta konsumi si rëndom gjatë verës është më i vogël.
Në rast të një situate të zakonshme, KEK-u në këtë kohë nuk do të importonte por do të eksportonte energji elektrike. Për çdo verë, përfitimet nga eksporti të kësaj korporate – e me këtë të vendit – kanë qenë rreth 10 milionë euro ndërsa aktualisht po importohet rrymë me shifra alarmante për ekonominë e dobët të vendit.