fbpx
Lajme

EKSKLUZIVE: Takime sekrete në Zagreb, Drejtori i KEK-ut dhe një tregtar tjetër i rrymës kaluan katër ditë me Martin Berishajn

Kreu më i lartë i KEK-ut e ka vizituar Kroacinë në muajin mars. Atje është takuar me ambasadorin Martin Berishaj. Pjesëmarrës në këto takime ka qenë edhe një tregtar i rrymës, që në të kaluarën jo shumë të largët dyshohet që kishte bërë tregti me kompani të drejtuara nga Vuk Hamoviqi, ish punëtor i BIA-s serbe.

Ambasadori i Kosovës në Zagreb, Martin Berishaj, duket se tregtinë për energjinë elektrike e ka bërë fshehtas publikut, por jo edhe fshehtas autoriteteve të vendit tonë, e me këtë as fshehtas Qeverisë së Kosovës.

Një gjë e tillë mund të thuhet në bazë të informacioneve të reja ekskluzive që ka mësuar gazeta Nacionale nga burime të afërta me hierarkinë më të lartë në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK).

Ambasadori Berishaj që tashmë është nën hetime për shpëlarje parash dyshohet të ketë marrë pagesa të majme nga GEN-i në Beograd, rreth 600 mijë euro, një llogari të hapur vetëm dhjetë ditë para se të niste pranimin e atyre pagesave.

Mediat sllovene kanë raportuar se Berishaj e kishte hapur biznesin MB Consulting 10 ditë përpara se t’i derdheshin qindra mijëra euro në llogarinë e tij, të cilat thuhet se i kishte tërhequr në kesh, për ç’gjë e kishte tërhequr vëmendjen e administratës tatimore të Malit të Zi.

Ky skandal i madh deri tash po mohohet nga kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani, të cilët janë të afërt politikisht e personalisht me z. Berishaj.

Por, se Berishaj nuk ishte thjesht një ambasador në Zagreb e që kryente edhe punë tjera, tashmë është e vërtetuar. Ai kishte një kompani për konsulenca në lidhje me energjinë në Mal të Zi, dhe të paktën dy kompani tjera – e të cilat nuk i kishte deklaruar fare në Anti-Korrupsion (AKK) – edhe në Kosovë.

Burime i kanë rrëfyer gazetës Nacionale për një takim që ka ndodhur në kryeqytetin e Kroacisë, Zagreb, prej datës 16 e deri më 20 mars 2022.

Pikërisht në Zagreb është rezident z. Berishaj dhe shërben në misionin diplomatik të Kosovës. Por, të paktën në ato ditë marsi – nga e mërkura në të dielen – ai ishte pjesë e takimeve me hiç më pak se drejtorin e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), z. Nagip Krasniqi.

Krasniqi është edhe anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe dikur drejtonte komitetin për Energji në partinë politike në pushtet. 

Në këtë takim pjesëmarrës ishte edhe përfaqësuesi i kompanisë HEP Kroacia (Hrvatska Elektroprivreda), z. Zekë Alia. HEP është kompani publike kroate që merret me eksport dhe import të energjisë elektrike.

Nacionale ka mësuar se në të kaluarën Alia, pjesëmarrës në takimet në Zagreb, nuk ka qënë thjesht përfaqësues i HEP’it kroat.

“Kur kemi pasë kriza energjetike, Zekë Alia i është ofruar udhëheqësve të KEK’ut me oferta për të blerë rrymë nga një termocentral i madh në Bosnje Hercegovinë, atë në Stanari. Ai thoshte që ai termocentral e ka një lidhje me sistemin energjetik kroat, por realisht pronar i atij termocentrali është Vuk Hamovic, i ditur botërisht si njeri i Shërbimit Sekret Serb”, ka thënë ky burim.

Dyshja Krasniqi-Alia – edhe pse njëri drejtor i KEK-ut e tjetri përfaqësues kompanisë publike kroate – kishin udhëtuar së bashku prej Shkupit në Kroaci për takimin me ambasadorin e Kosovës.

Në këtë takim ishte diskutuar për një marrëveshje të re për eksportim dhe importim të energjisë elektrik.

GEN-i në Beograd ishte vërtetuar se kishte blerë dhe shitur mbi 10 milionë euro energji elektrike nga KEK-u në 10 muajt e fundit. Sic ka raportuar gazeta Infokus cmimi i rrymës së blerë ishte dukshëm më i shtrenjtë se sa çmimi i rrymës së shitur.

Nuk dihet se në çfarë cilësie z. Berishaj ka qenë i pranishëm në takimet e zhvilluara në Zagreb mes datave 16 dhe 20 mars 2022. Sidoqoftë, kjo evidenton rolin e tij të pashmangshëm në biznesin me rrymë, e që në këtë vit rezultoi të ishte tepër i nevojshëm për Kosovë, të cilën e pllakosi terri si rrjedhojë e defekteve në termocentralet tona.

“Pse duhet të takohet drejtori i KEK’ut me një ambasador, i cili ka punuar si agjent tregtar i një kompanie energjetike? Kjo është minimumi konflikt i interesit”, ka thënë një burim i gazetës, i informuar për këto takime.

As Qeveria e Kosovës në deklarimet e deritashme nuk ka treguar e as nuk ka lënë të nënkuptohet se Berishaj ka qenë i autorizuar për t’u marrë me çështje të shit-blerjes së energjisë elektrike.

Nacionalja ka dërguar pyetje në Zyrën për Media të KEK-ut por deri në momentin e këtij shkrimi nuk ka marrë asnjë përgjigje. Teksti do të përditësohet në rast se përgjigja vjen ndërkohë në redaksinë tonë.

Por, një gjë e tillë ngre pikëpyetje të reja në lidhje me dijeninë e krerëve të shtetit për rolin e z. Berishaj në skandalin ku është përfshirë.

Kujtojmë që z. Berishaj ka mohuar akuzat por pa dhënë përgjigje për pagesat që kishte marrë.

Tregtia me rrymë, sabotazhet dhe shantazhet e kanë bërë këtë industri shumë atraktive për një rrjet strukturash kriminale. Figurat më të përfolura në Ballkan, si përfitues prej këtij biznesi, janë Vuk Hamoviq, ish punëtor i BIA’së dhe Damir Fazliq, nipi i shefit të UDBA-s, Jovica Stanishiqit. 

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close