Emrat e policëve serb të vrarë, të cilët Serbia i ktheu në civilë dhe ua veshi UÇK-së
Serbia vazhdimisht kishte inskenuar raste dhe incidente të ndryshme për t’ia faturuar UÇK-së. Rastin Panda e kishte konfirmuar edhe Presidenti aktual i Serbisë Vuçiq. Bardhyl Mahmuti në librin “Mashtrimi i Madh” kishte prezantuar fakte të pakontestueshme për krimet serbe të cilat në fund, një pjesë të tyre ia faturuan UÇK-së.
Publicisti serb, Miroslav Filipović-it, kishte treguar se Serbia kishte formuar “eskadronët e përbërë nga serbë që sulmonin serbët dhe pronat e tyre në Kosovë me qëllim që të krijonin tensione ndëretnike”. (Ogledi Republika, Nr. 263, Miroslav Filipović, «Dugi marš ka istini o
zlocinima»
Në intervistën e titulluar “Milošević-i urdhëroi Radeta-n dhe Legia-n t’i vrasin fëmijët serbë” , Vuk Drašković-i i dha një mbështetje të fuqishme Aleksandar Vučić-it. Në këtë intervistë, ish-zëvendëskryeministri jugosllav, Vuk Drašković-i, bëri publike mënyrën e organizimit, të funksionimit dhe të marrjes së vendimeve kriminale për të nxitur urrejtjen kundër shqiptarëve dhe për të stigmatizuar UÇK-në.
Ai sqaroi se “Milošević-i dhe Shtabi i tij strategjik kishin sjellë vendim që të kryheshin një varg krimesh kundër civilëve serbëve dhe shqiptarë në Kosovë.” Vrasja e civilëve serbë ishte më e besueshme t’u atribuohej “terroristëve” shqiptarë se sa vrasja e civilëve shqiptarë. Për këtë arsye, vrasja e civilëve shqiptarë shoqërohej me “sqarimin” se gjoja bëhej fjalë për “shqiptarë besnik ndaj regjimit të Beogradit”. Në krye të eskadronit të vdekjes, siç e quan Vuk Drašković-i strukturën që ishte ngarkuar t’i kryente këto krime, “ishte caktuar Milorad Ulemek-Legija, udhëheqësi i Njësisë për OperacioneSpeciale Legija, emër me të cilin njihet ky kriminel, i merrte urdhrat nga Radomir Marković-i, shefi i atëhershëm i Shërbimit të Sigurimit Shtetëror të Serbisë.”
E vërteta e plotë rreth këtyre ngjarjeve dihet: vrasja e civilëve në Kosovë ishte bërë me urdhër të Shtabit Strategjik të Slobodan Milošević-it për të stigmatizuar UÇK-në. Vetëm ata që janë të interesuar ta mbajnë gjallë propagandën e Milošević-it mundohen ta lënë në heshtje faktin se shumica e rasteve që figurojnë në listën zyrtare serbe u ndriçuan se ishin kryer nga «eskadroni i vdekjes» që komandohej nga Shefi i Shërbimit Sekret Serb.
Sikur t’i kishte interesuar e “vërteta e plotë”, Dick Marty do të interesohej, për shembull, të dinte se ku mbetën 44 policët të cilët figuronin në listën e 274 policëve të vrarë nga UÇK-ja në botimin zyrtar të Qeverisë së Serbisë, në vitin 2000. A u “ringjallën” sepse në listën e vitit 2001 nuk figuronin në listën e policëve të vrarë? Apo pse u hoqën emrat e Duško Dolašević-it, Djordje Balošević-it dhe Boban Matić-it nga “lista e policëve të rrëmbyer dhe të zhdukur”? Sikur të kishte qenë i interesuar, Dick Marty do të kishte zbuluar me lehtësi të madhe se policët e vrarë që ishin hequr nga lista e të vrarëve nuk ishin “ringjallur”, por ishin “transferuar” në listën e CIVILËVE të vrarë apo të zhdukur nga UÇK-ja! Përsëri po i kërkoj falje lexuesit që po e rëndoj analizën me detaje rreth këtyre listave. Por, përmes këtyre “detajeve” është munduar të fshihet “puna e dreqit”, siç do të thoshte Carla Del Ponte! Sikur t’u kishte hedhur një sy të vëmendshëm listave, Dick Marty do të kishte zbuluar se:
Milan Jovanović-i, i cili në botimin e vitit 2000 figuron në listën1 e policëve të vrarë, në numrin rendor 5, në botimin e vitit 2001 figuron në listën e civilëve të rrëmbyer pas vendosjes së forcave të KFOR-it në Kosovë. Dhe ky person figuron si i rrëmbyer dy herë. Në numrin rendor 334 ai u rrëmbye më 18 qershor 1999 në fshatin Babush të Ferizajt, ndërsa në numrin rendor 335, i njëjti person u rrëmbye më 22 qershor 1999 në Ferizaj!1
Polici Srečko Majanović-i, sipas botimit të vitit 2000, numër rendor 48, f. 936, u plagos më 1 gusht 1998, u transferua në Akademinë Spitalore Ushtarake në Beograd, ku vdiq më 4 gusht 1998. Në botimin e vitit 2001, ai figuron në listën e civilëve të vrarë me numër rendor 44. f. 26;
Polici Zoran Vasiljević-i, i cili në botimin e vitit 2000 figuron në listën2 e policëve të vrarë, në numrin rendor 81, në botimin e vitit 2001 figuron në numrin rendor 84, faqe 266, në listën e civilëve të rrëmbyer apo të zhdukur “pas vendosjes së forcave të KFOR-it në Kosovë”; Polici Srdjan Stojković-i, i cili në botimin e vitit 2000 figuron në listën3 e policëve të vrarë, në numrin rendor 269, faqe 955, në botimin e vitit 2001 figuron në numrin rendor 872, faqe 338, në listën e civilëve të rrëmbyer apo të zhdukur “pas vendosjes së forcave të KFOR-it në Kosovë”;
Polici Predrag Mitić-i, sipas botimit të vitit 2000, i vrarë më 15 maj 1999, në numër rendor 234, në botimin e vitit 2001, në numrin rendor 353, f. 170, shpallet si civil i vrarë në një “datë të papërcaktuar, pas ardhjes së forcave të KFOR-it në Kosovë”!
Polici Djordje Ristić-i, në botimin e vitit 2000, në numrin rendor 235, shpallet i vrarë më 15 maj 1999, ndërsa në botimin e vitit 2001, në numrin rendor 493, f. 183, ky person figuron në listën e civilëve të vrarë, “në një datë që nuk dihet, pas vendosjes së KFOR-it në Kosovë”;
Polici Vasilije Stanković-i, në botimin e vitit 2000, në numrin rendor 233, shpallet i vrarë më 15 maj 1999, ndërsa në botimin e vitit 2001, në numrin rendor 562, f. 189, figuron në listën e civilëve të vrarë, “në një datë që nuk dihet, pas vendosjes së KFOR-it në Kosovë”;
Mund të vazhdoj me fatin e policëve Sladjan Milosavljevićit, Predrag Milosavlević-it, Ljubiša Mitrović-it, Nebojsa Jeftić-it, Dragan Stanković-it dhe shumë policëve tjerë të vrarë që ishin hequr nga lista e punonjësve të vrarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë dhe që ishin “transferuar” në listën e civilëve të vrarë apo të zhdukur nga UÇK-ja.
Çka mund të thuhet për autoritetet qeveritare të Serbisë të cilat nuk nguruan që emrat e policëve të publikuar si policë të vrarë t’i “transferojnë” në kategorinë e “civilëve të vrarë”. Kur nuk nguruan ta bëjnë një gjë të tillë, lexuesi mund të imagjinojë se çka u bë me ata.
Slavko Nikic, është kolonel i MUP-it serb dhe pjesëtar i shërbimeve sekrete serbe. Njihet edhe si mik i mirë i kriminelit Ratko Mladic. Ka jetuar në Prishtinë, kurse sot është një nga kozakët e rusëve në Ballkan.
Në një emision në Serbi, ai ka pranuar se ka qenë i maskuar me uniformën e UÇK-së në disa raste.
Ky emision u transmetua në Serbi derisa Nikic po e publikonte librin e tij me rrëfimet për luftën.
“Kanë menduar se kjo foto është montazh, por ua siguroj unë se uniforma është e vërtetë”, ka thënë ai.
“Kjo është uniforma që unë në një moment e kam veshur sepse ashtu më lehtë kam mundur ta kryej atë që ka qenë në interes të shtetit të Serbisë dhe mbrojtjes së të dobëtit serb në Kosovë”