fbpx
Lajme

Ende i panjohur fati i ushtarëve nga Kosova të zhdukur gjatë shërbimit në Ushtrinë Jugosllave

Pas tre dekadash, ende nuk dihet se çfarë i ndodhi me dhjetëra ushtarëve të rekrutuar shqiptarë të Kosovës që u zhdukën ndërsa shërbenin në Ushtrinë Popullore Jugosllave gjatë shpërbërjes së dhunshme të Jugosllavisë.

Muhamet Gashi kujton se ishte një ditë me shi më 30 qershor 1991 kur djali i tij Veseli u largua për të filluar shërbimin e tij të detyrueshëm ushtarak.

Veseli sapo kishte mbushur 21 vjeç, Kosova ishte ende pjesë e shtetit jugosllav dhe në muajt e fundit ai kishte marrë tashmë tre thirrje për t’u bashkuar me Ushtrinë Popullore Jugosllave. Këtë herë ai nuk mund ta shtynte dot më.

Gashi tha se policia ushtarake erdhi në shtëpinë e tij në Studenqan, një fshat gjashtë kilometra larg qytetit verior të Suharekës në Kosovë, disa herë për të kërkuar djalin e tij.

“Veseli mori tre thirrje nga Ushtria. Herën e katërt ata erdhën në shtëpinë tonë dhe na thanë se nëse ai vazhdon të refuzojë thirrjen, do të shkojë në burg dhe jo në ushtri”, tha Gashi, i cili tani është 77 vjeç, për BIRN në shtëpinë e familjes së tij.

Në atë pikë, tensionet etnike ishin të përhapura dhe shpërbërja e përgjakshme e Jugosllavisë federale tashmë po afronte. Gazetat ishin plot me raportime për vrasje të shqiptarëve të Kosovës që shërbenin në Ushtrinë Jugosllave.

“Vrasja e shqiptarëve në ushtri ishte diçka e njohur. Ne e dinim se nuk kishte siguri për shqiptarët ”, tha Gashi.

“Në përpjekjen e tij për t’i shpëtuar ushtrisë, Veseli u fsheh te daja i tij në një fshat tjetër. Por thirrja ishte e tillë që nëse ai nuk përgjigjej, do të arrestohej kështu që u detyrua të shkonte.”

Veseli u vendos në një kazermë në qytetin kroat të Bjelovarit. Familja e tij arriti të fliste me të vetëm tre herë në telefon gjatë kohës që ai shërbente në ushtri.

“Ai fliste shumë pak dhe me shumë kujdes. E ndienim se ai kishte frikë të fliste. E dinim që ai nuk fliste serbisht ”, tha Gashi.

Serbokroatishtja ishte një nga tre gjuhët zyrtare të Jugosllavisë. Gjuha shqipe jo.

“Ne nuk kishim linjë telefonike në shtëpinë tonë dhe nuk shkonim dot ta takonim”, shtoi Gashi.

Herën e fundit që foli me Veselin, ai kujton se i biri i kërkoi para që të mund të largohej. Ai i tha babait të tij se “të gjithë ushtarët e tjerë përveç serbëve ia kanë mbathur”.

“Nuk mundëm t’ia dërgonim menjëherë paratë. U vonuam pak. Më pas paratë u kthyen me postë. Ishte mesi i gushtit 1991. Nuk mundëm të kontaktonim më me të”, tha Gashi.

Lufta e Kroacisë për pavarësi nga Jugosllavia kishte filluar në fund të marsit 1991 dhe në shtator të atij viti, forcat kroate morën kontrollin mbi kazermat e Bjelovarit nga Ushtria Popullore Jugosllave e kontrolluar nga Beogradi.

Dy muaj më vonë, Gashi udhëtoi për në Kroaci në kërkim të djalit të tij.

“Bjelovari pothuajse ishte shkatërruar. E kërkuam ngado me disa të afërmit e mi. Dikush nga Ushtria Kroate na tha se ata që ishin vendosur me Ushtrinë Jugosllave në Bjelovar ishin dërguar në Banja Luka”, kujton ai.

Dy ditë më vonë, Gashi shkoi në Banja Luka, qyteti kryesor në pjesën e dominuar nga serbët në Bosnje dhe Hercegovinë.

“Ishte një udhëtim i vështirë, nëpër male. Në Banja Luka kishte shumë forca jugosllave. Mbaj mend që komandanti atje më priti dhe u përpoq të gjente ndonjë gjurmë të Veselit. Ai më tha të kthehesha në shtëpi dhe të prisja një përgjigje”, tha ai.

Katër ditë pasi ai u kthye në shtëpi, familja mori një letër nga ushtria. “Letra thoshte që ne duhet të hetonim diku tjetër për fatin e djalit tonë sepse ái s’ka qenë kurrë anëtar i Ushtrisë Jugosllave’”, tha Gashi.

Që nga ajo ditë, Gashi ka folur me ushtarë të tjerë etnikë shqiptarë, boshnjakë dhe kroatë që ishin në Bjelovar së bashku me Veselin. Por nga ata ai mësoi vetëm se ata ishin arratisur nga kazermat dhe se djali i tij kishte mbetur atje.

“Një ushtar më tha se Veseli ishte brenda një tanku i cili u dogj gjatë luftimeve. Nuk munda të konfirmoja asgjë. Këto ishin vetëm fjalë”, tha ai.

Dyshime për fshehje të krimit


Muhamet dhe Ilmije Gashi, prindërit e rekrutit të zhdukur. Foto: Serbeze Haxhiaj/BIRN.

Dhjetëra ushtarë shqiptarë të Kosovës si Veseli besohet se janë zhdukur ndërsa shërbenin në Ushtrinë Popullore Jugosllave kur shpërtheu lufta në Kroaci. Dhjetëra të tjerë u vranë.

Me shpërbërjen e Jugosllavisë, Ushtria Popullore Jugosllave u bë pothuajse tërësisht e dominuar nga serbët.

Në nëntor 1994, ushtria ftoi familjen të shkonte në një bazë ushtarake në Batajnica, në periferi të Beogradit, duke thënë se atje ishte një trup i pajetë në pritje të identifikohej.

“Shkuam në Batajnica. Pashë kufomën në morg, por nuk ishte trupi i Veselit. Ishte një ushtar i vrarë në Bosnjë. Pashë plagën në fytin e tij. Ishte një djalë shumë i ri”, tha vëllai i Veselit, Nurish Gashi.

Ai tha se pyet veten vazhdimisht nëse trupi i vëllait të tij i është dorëzuar gabimisht familjes së ndonjë ushtari tjetër të rënë: “Them shpesh se kjo mund të ketë ndodhur. Një Zot e di.”

Behxhet Shala, kreu i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut me qendër në Prishtinë, një OJQ që monitoron abuzimet e të drejtave të njeriut dhe ka funksionuar që nga fillimi i viteve 1990, tha se numri i shqiptarëve të Kosovës që u zhdukën nga Ushtria Popullore Jugosllave është ende i panjohur.

“Ne kemi regjistruar të paktën 66 ushtarë shqiptarë të vrarë gjatë shërbimit të tyre në ushtrinë Jugosllave midis vitit 1988 dhe 1993. Por nuk është ende e qartë se sa janë zhdukur. Ne nuk kemi një numër të saktë të ushtarëve të zhdukur, sidomos të atyre që u rekrutuan me dhunë”, tha Shala për BIRN.

“Ishte e vështirë të identifikoheshin raste, veçanërisht kur të rinjtë shqiptarë u rekrutuan me forcë në ushtri. Ne kishim prova se të paktën pesë ushtarë dhe nëntë civilë u zhdukën gjatë luftës në Kroaci dhe Bosnjë. Por mendoj se numri real është më i lartë”, tha ai.

Autoritetet ushtarake jugosllave i renditën vdekjet e tyre si vetëvrasje.

“Ne qemë në gjendje të dokumentonim disa nga rastet në të cilat trupat e ushtarëve shqiptarë u kthyen në arkivole të mbyllur . Mblodhëm dëshmi që vërtetojnë se ata u vranë, ata kishin vrima plumbash, të nxira dhe shenja se ishin mbytur”, tha Shala.

Organizata ndërkombëtare Human Rights Watch gjithashtu raportoi në vitin 1992 se shumë të rinj shqiptarë etnikë u vranë ndërsa shërbenin në Ushtrinë Popullore Jugosllave.

“Në disa raste, autoritetet ushtarake dhe spitalore refuzuan të kryenin autopsinë. Në raste të tjera, një autopsi u krye nga zyrtarët mjekësorë në vendin e vdekjes, por familja dyshoi në vërtetësinë e saj dhe kërkoi që të kryhej një autopsi e dytë në Kosovë. Shumë kërkesa të tilla u mohuan nga autoritetet serbe ose ushtarake”, tha Human Rights Watch në raportin e saj.

“Raste të tilla ngrenë shqetësimin se zyrtarët ushtarakë jugosllavë ndoshta po përpiqen të fshehin shkakun e vdekjes së disa ushtarëve shqiptarë”, shtoi raporti.

Në Beograd gjenden trupa


Tanke të Ushtrisë Popullore Jugosllave të marrë nga ushtarët kroatë në Nustar, Kroaci, në nëntor 1991. Foto: EPA/PETER NORTHALL.

Komisioni Qeveritar i Kosovës për Personat e Zhdukur nuk ka mandat të merret me rastet e personave të zhdukur që datojnë që para luftës së Kosovës 1998-1999.

Por Kushtrim Gara, shefi i sekretariatit të komisionit, tha se çështja e ushtarëve të zhdukur, si rasti i Vesel Gashit, është ngritur pranë autoriteteve në Beograd.

Ai tha se eshtrat e 26 personave janë gjetur në një varrezë në lagjen Lesce të kryeqytetit serb.

“Sipas autoriteteve serbe, ata u përkasin njerëzve që raportohet se u zhdukën para luftës në Kosovë”, tha Gara për BIRN.

“Ne kemi kërkuar verifikim nëse ato eshtra janë të shqiptarë të Kosovës që u zhdukën gjatë luftërave në ish-Jugosllavi, duke përfshirë shqiptarët e Kosovës të cilët u rekrutuan me forcë në Ushtrinë Jugosllave”, shtoi ai.

“Veseli ishte martuar një vit para se të shkonte në ushtri. Gruaja e tij e priti atë për shtatë vjet”, tha nëna e tij Ilmija.

Në tre dekadat që kanë kaluar që kur ai u zhduk, familja Gashi ka jetuar në një gjendje pikëllimi dhe nuk ka festuar ditëlindje apo festa fetare.

“Nuk kemi bërë ndonjë festë dhe s’kemi festuar asnjë gëzim për 30 vjet”, tha nëna e tij.

Kohët e fundit, anëtarët e familjes i dhanë mostra gjaku Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur, por shpresat e tyre se eshtrat e tij do të gjenden janë zbehur.

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close