Familja e Hamit e Salë Jasharit, Ali Jasharit e Osman Gecit ishin pjesë e varrimit të Haxhi Thaçit

Gjatë ditës së sotme është komentuar mospjesëmarrja e Bekim Jasharit në varrimin e babait të ish-presidentit Hashim Thaçi, Haxhi Thaçi.
Bekim Jashari nuk shkoi, por jo edhe familja e të ndjerit Hamit e Salë Jashari.
Hamit e Salë Jashari humbën rreth 15 anëtarë të familjes. Ata u vranë së bashku me komandantin legjendar, Adem Jashari. Ata morën pjesë dhe mbështetën historikisht Hashim Thaçin.
Familja e dëshmorit Ali Jashari i cili është vrarë bashkë me komandantin legjendar Adem Jashari ishte pjesë e varrimit.
Po ashtu, familja e Osman Gecit, dajës së komandantit legjendar, ishte pjesë e varrimit.
“I padrejtë, por edhe jonjerëzor refuzimi i kërkesës së Presidentit Hashim Thaçi nga Gjykata Speciale për të marrë pjesë në varrimin e babait të tij, Haxhi Thaçit. Drejtësisë që mohon një të drejtë kaq të ndjeshme, do të duhej t’i vihej në pikëpyetje emri i saj. Vendimet e tilla të akullta e bëjnë të duket “gogol” i shoqërisë dhe qytetarëve. Presidenti Thaçi sot duhet t’i derdhte lotët e dhimbjes së thellë mbi dheun ku do të prehet në paqe bac Haxhi Thaçi”, ka shkruar Salë Jashari e cila mban emrin e gjyshes së saj të ndjerë, Salë Jashari.
Po ashtu, Lavdim Jashari, nipi i dëshmorit Ali Jashari ishte pjesë e varrimit. Ai përpos ngushëllimit, ka ndihmuar edhe në organizim të varrimit.
Në një fotografi të publikuar, ai ka shkruar “Ngushëllime të përzemërta familjes së presidentit Hashim Thaçi”.