Faton Klinaku ishte në ilegalitet dy vite, në 1998 u kthye nga Anglia dhe iu bashkua UÇK-së
Shkruan: Valon Klinaku
Dedikuar një shpirti patriot
Fatoni – axha im, para pak ditësh u ballafaqua me disa situata të pa këndshme e të pa drejta.
Besoj që për fjalën dezertor, nëse nuk keni dëgjuar më parë, të paktën e keni dëgjuar gjatë luftës. Fatoni, pra, axha im, dezertoi, por, nga ushtria jugosllave, madje me automatik në krah. Fatoni, pas disa vështirësishë në ilegalitet për dy vite radhazi, u largua nga Kosova për në disa shtete perendimore, Gjermani, Belgjikë e së fundi në Angli, ku rregulloi edhe leje qëndrimi e pune. Me të krisur lufta n’vend, atë nuk e ndalë leja e qëndrimit e, as e punës në Angli, ai merr vendim t’i përgjigjet luftës duke mos e njohur as termin vdekje. Në vitin ’98, pra, në këtë kohë lufte, derisa ne si fëmijë po mundoheshim të argëtoheshim, na u tha se erdhën njerëzit e fshatit që kishin shkuar të armatoseshin në Shqipëri, ne, si kurreshtarë për të parë me armë në krah ata që ishin kthyer, vrapuam në drejtimin kah po vinin ata, prej maleve. Papritmas në mesin e atyre burrave, shoh Fatonin, të ngarkuar plot me armë e municion. Pas përshëndetjes së ngrohtë e befasuese që pata me të, hymë bashkë në oborr, dolën e gjithë familja me vrap e të entuziazmuar, sapo edhe gjyshja, pra nana e Fatonit doli, si sot më kujtohet kur me 3 krisma në ajër, ai na e bëri përhajr luftën – “ky është fillimi që e kam dashtë gjithmonë”, tha ai, ndërsa gjyshja iu drejtua atij me plot emocione të përziera e pa pikë loti në sy, “e kam ditë se do të vish, e kam ditë se nuk mundesh me u duru pa ia kthy pushkëm shkaut. Përhajr na koftë tanve e ishalla niher e mirë po e qesim këtë faqezi nga vendi jonë”.
Sot, 21 vite pas, ti që prishe gjithçka nga jeta jote për t’i dalë Zot vendit, ballafaqohesh me t’pa pritura e padrejtësi. Lufta e juaj nuk ka se si pastrohet, ajo është vet pastërtia.