“Fehmi Agani i drejtoi tek Rugova sulmet e shpifjet e Buxhovit ndaj Lëvizjes Çlirimtare”
Shkruan: Bedri Islami / Gazeta DITA
Pse ndodh gjithë kjo?
Njeriut të kujdesshëm do të mund t’i kujtohej se kjo nuk është hera e parë se, mjerisht, të gjitha këto që po ngrihen sot nuk janë asgjë tjetër veçse një përsëritje e asaj që ka ndodhur që me rishfaqjen e lëvizjes çlirimtare si një staturë e organizuar dhe mllefi i tashëm nuk është asgjë tjetër veçse përsëritje në një kohë të mëvonshme, por që ka lidhje me të shkuarën. Nuk është interesant të vrojtohet se e gjithë propaganda e serbofilëve dhe e shqipfolësve, edhe kur janë intelektualë, si ishte, për shembull, Buxhovi, është e njëjtë me atë që ka derdhur shtypi beogradas. Nganjëherë detajet janë deri në imtësi, por përsëri, me gjithë shfaqjen e saj makabre, nuk ka qenë forma ajo që ka trazuar, por egërsia.
Asnjëherë, në të gjithë shtypin e shkruar apo në atë medial, këta zëdhënës të shprishur nuk kanë, në asnjë të qindtën, kaq të rreptë ndaj aparatit policor serb, sa kanë qenë kundër lëvizjes çlirimtare. Që në krijimin e saj alternativa paqësore kosovare, e cila e gjeti oportune të regjistrohej në Ministrinë e Drejtësisë në Beograd, megjithëse në letër e kishin krijuar Qeverinë e Kosovës, mllefin e saj e vendosi tek ish të burgosurit politikë dhe tek ajo që i përfaqësonte, Lëvizjen Çlirimtare, e strukturuar pas Lëvizjes Popullore të Kosovës. Gazeta “Bujku”, simotra e organit famëkeq “Rilindja”, në të gjithë numrat e saj të parë hodhi po këtë vrer që hedh sot Buxhovi, e kjo nuk çudit askënd që i di ngjarjet dhe personazhet dhe mund të kujtohet se ky Buxhov nuk ishte as më shumë e as më pak, veçse sekretari i LDK-së, njeriu i dytë në atë hierarki. Lëvizja Çlirimtare, përfaqësuesit e saj u takuan atë botë me Fehmi Aganin dhe i kërkuan t’i ndalnin sulmet e shpifjet, sepse “nëse ishte për të folur, lëvizja kishte shumë e shumë më tepër të vërteta sesa kishin ata shpifje e trillime”. Agani i drejtoi tek Rugova, e pas kësaj sulmet heshtën për një farë kohe, e përsëri kjo përkon me largimin e Buxhovit dhe të disa udbashëve nga drejtimi i LDK-së.