Fillon ndërtimi i një universiteti në veri me para të Serbisë, a është në dijeni Qeveria Kurti?
Në pjesën veriore të Mitrovicës ka filluar ndërtimi i një univeristeti që do të financohet nga shteti serb.
Kështu ka bërë të ditur e ashtuquajtura Zyra për Kosovën në qeverinë serbe, me ç’rast janë publikuar edhe detajet e këtij projekti.
“Ka nisur pastrimi i terrenit dhe prishja e ndërtesave ekzistuese pasi që mbrëmë në komunën e Mitrovicës ka filluar realizmi i fazës së parë për ndërtimin e një objekti modern të Universitetit të Prishtinës me seli të përkohshme në Mitrovicën e Veriut”, thuhet në këtë njoftim.
“Me fillimin e realizmit të këtij projekti ne jemi duke përmbushur premtimin tjetër të dhënë për qytetarët tanë në krahinë nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuqiç. Ai në një takim në Kurshumli gjatë muajit shkurt ka thënë se shteti do të ndajë para për ndërtimin e këtij kompleksi. Ky është vetëm edhe një tregues se shteti brengoset për popullin e vet në Kosovë”, ka shkruar drejtori i kësaj zyre, Petar Petkoviqi.