fbpx
Lajme

Flet kolegu i Kurtit nga Zyra e Demaçit: E mbaj mend kur dha dorëheqje Kurti, unë s’e mora statusin e veteranit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 2 mars të vitit 1999, në muajin kur nisën bombardimet e NATO-s mbi Serbinë kishte dhënë dorëheqje nga zyra e Adem Demaçit.

Nëpërmjet një letre, Kurti kishte dhënë dorëheqje për shkak të zhvillimeve në Rambuje.

Letra e dorëheqjes atij iu publikua 23 vjet më pas, shkruan Demokracia.com.

Pas kësaj letre, Demokracia.com ka kontaktuar me disa prej bashkëpunëtorëve të Adem Demaçit në kohën sa ishte përfaqësues politik i UÇK-së.

Një prej pjesëtarëve të asaj zyre, këngëtari i njohur Afrim Muçiqi ka ndarë kujtime me Demokracia.com nga koha kur bashkëpunonte me Demaçin e Kurtin.

“Unë në atë kohë kam qenë shumë i ri. Kam qenë student në Prishtinë. Pastaj djali i axhës së babit, i ndjeri Shefqet Sylejmani ka qenë i punësuar në atë zyrë. Unë faktikisht kam qenë shumë afër tij. Edhe kemi shku të gjithë në atë, që nga nana ime e kemi çu shumë lule e orendi në zyrën e improvizuar në Tophane. Por, e mbaj mend edhe kyçjen e kryeministrit të tanishëm të Kosovës, pastaj më kujtohet edhe kur ka dhënë dorëheqje dhe ka dalë”, ka thënë Muçiqi për Demokracia.com.

Muçiqi tregon se dorëheqjen e Kurtit e kishte marrë vesh një ditë më vonë.

“Jo, nuk e kam parë. Me të tregu të drejtën, ai moment kyç nuk më kujtohet, se e mbaj mend që në atë kohë, pas masakrës në Krushë të Madhe e kam dërguar bacën Adem me veturën time private, duke i kaluar shumë punkte të policisë, në një vizitë të krerëve dhe një pjese të shtabit atje, por të nesërmen në mëngjes e kemi kuptu që Albini nuk është më në zyrë”, ka treguar Muçiqi.

Demokracia.com e ka pyetur Muçiqin nëse ai e gëzon statusin e veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ndonëse ka qenë pjesë e zyrës së Demaçit dhe pjesë aktive e luftës, Afrim Muçiqi nuk ka dashur që ta marrë statusin e veteranit.

Ai për Demokracia.com thotë se ndjehet shumë krenarë për veprimtarinë e tij.

“Jo, edhe pse kam qenë pjesë e zyrës dhe pjesë aktive e UÇK në brigadën 135 “Zahir Pajaziti”, unë nuk e kam marrë dhe i kam lënë radhën dikujt tjetër, që ndoshta ka qenë edhe më aktiv se unë. Jam krenar me kontributin që kam dhënë, por pas luftës unë i jam kthyer profesionit tim”, ka thënë Muçiqi për Demokracia.com.

Ndryshe, të enjten është publikuar letra e dorëheqjes së Albin Kurtit nga zyra e Adem Demaçit.

Albin Kurti e kishte dhënë lajmin për ndarjen e rrugëve për shkak të zhvillimeve në Rambuje, shkruan Demokracia.com.

Zyra e Demaçit ishte tërhequr nga misioni i saj i parë, siç thuhet në deklaratë, për të mos shkaktuar fërkime brenda UÇK-së, e cila ishte pjesë e delegacionit kosovar në Rambuje.

Në dokumentin e publikuar të enjten  në media thuhej se me daljen në shesh të individëve nga radhët e UÇK-së, të cilët po e përgatisnin Marrëveshjen e Rambujesë, “punët ndryshuan”.

“Zyra e Udhëheqësit Politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës z. Adem Demaçi, ka kryer me nder, përpikëri dhe ndërgjegje të lartë punën, aktivitetin dhe detyrat e veta. Ajo me konsekuencë është bazuar dhe ka ndjekur konceptet, parimet dhe bindjet e veta, të cilat janë materializim i vullnetit politik të popullit të Kosovës të shprehur në Referendumin e shtatorit të vitit 1991. Zyra jonë dhe UÇK-ja kishin parime, ideale dhe koncepte të njëjta. Mirëpo, me daljen në shesh të disa individëve nga radhët e UÇK-së, që po përgatiten të miratojnë marrëveshjen e Rambujesë, punët ndryshuan. Ky numër individësh, në këtë mënyrë, braktisën parimet themelore të UÇK-së dhe obligimin ndaj vullnetit politik të popullit, të shprehur në Referendumin e 1991-tës”, thuhet në këtë deklaratë, përcjell Demokracia.com.

Zyra e Demaçit, ku bënte pjesë si staf edhe Kurti, thoshte se nuk mund ta kapërdijë këtë marrëveshje.

“Ne nuk mund ta kapërdijmë këtë marrëveshje, sepse ajo është në kundërshtim me bindjet tona dhe me idenë tonë për jetën e lirë në trojet tona mijëvjeçare”, thuhej në fund. /Demokracia.com/

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close