Flet motra e Haklajve: Ju tregoj vrasjet e Sali Berishës në Tropojë
Zylfije Haklaj motra e Shkëlqim, Halil, Ylli dhe Fatmir Haklajt të vrarë në Tropojë thyen heshtjen duke dhënë një intervistë. Një rrëfim i dorës së parë nga një dëshmitare e rëndësishme e ngjarjeve të pas viteve në 90 në Tropojë ku mpleksja e politikës dhe interesave për pushtet prodhoi 200 viktima.
Që prej vitit 2002 kur Zylfije Haklaj sëbashku me familjen emigruan në Suedi ajo asnjëherë nuk ka pranuar të rrëfej se çfarë ajo di, jo vetëm për vrasjen e katër vëllezërve, por edhe për kulisat politike të atyre viteve të cilat përgjakën jo vetëm fisin e Haklajve, por edhe qindra persona të tjetë.
Në një intervistë për Shqiptarja.com, pas 16 vite heshtje, Zylfije Haklaj bën fajtor për vrasjen e vëllezërve të saj dhe për gjakun e derdhur në Tropojë vetëm një person.
Ish presidentit dhe kryeministrin Sali Berisha, për të cilin thotë se të gjitha vrasjet kishin një dhe vetëm një motiv. Marrjen dhe mbajtjen e pushtetit me çdo kusht. Sipas saj veprimet e Berishës janë mesjetare të ndodhura në kohë moderne.
Ish mësuesja e fizikës të vitin 2002 mori pseudonimin ”Shota e Haklajve”, pasi ajo akuzohet se kreu një vrasje në mes të Bajram Currit për t’u hakmarrë për vrasjen e vëllezërve. Për këtë krim ajo vijon të jetë në listën e 10 shqiptarëve më të kërkuar nga Interpoli, por shteti suedez asnjëherë nuk miratoi kërkesën e Shqipërisë për ta ekstraduar, madje i garantoi mbrojtje përmes dhënies së azilit. Zylfije Haklaj në këtë intervistë për “Shqiptarja.com” marrë pëmes një komunikimi me e-mail nuk dëshiron të ndalet në ngjarjen për të cilën ajo akuzohet. Por premton se edhe për të do të flasë shumë shpejt.
Ajo ka hedhur hapin e parë duke mposhtur frikën e treguar varjantin e saj të atyre ngjarjeve të kobshme që pllakosën veriun e Shqipërisë. Një intervistë shumë dimensionale nga ku politika e kohës edhe njëherë tjetër fajësohet për gjakun e derdhur në Tropojë ku nuk mundojnë edhe detajet për vrasjen e Azem Hajdarit.
Intervista e plotë:
Zylfie, po bëhen 16 vite që jeni larguar nga vendlindja juaj dhe gjatë kësaj periudhe të gjatë keni qëndruar e heshtur, idiferente rreth asaj që është folur për familjen tuaj, megjithëse dhe ju keni patur shumë jetë të humbura. Cila është arësyeja që ju vendosët të shpreheni sot në media?
Në të vërtetë unë nuk e kisha ndër mend të shprehesha për Saliun, por një debat live i Saliut në TV me gazetarin Artan Hoxha, ku Saliu akuzon publikisht familjen tonë dhe gazetarin në fjalë se e kemi shpërblyer u bë shkak që të shprehem publikisht duke i thënë Saliut, se ne nuk kemi nevojë të paguajmë gazetarë të flasin për ne, sepse ne mund të flasim vetë pa qënë nevoja të paguajmë njeri. Saliu është larguar herët nga Tropoja, sepse ai ka qënë i favorizuari i Enver Hoxhës, që e dërgoi për specializim jashtë shtetit dhe ka patur poste të larta partiake në Komitetin Qendror dhe ky nuk e di që familja jonë ka guxuar të thotë fjalën e saj edhe në monizëm, pavarësisht konseguencave.
Po cila ka qënë indicia që Sali Berisha shpërtheu në atë debat televiziv, duke ju akuzuar ju si familje se keni shpërblyer gazetarët? Dyshoni se ai ka prova për këtë gjë që thotë apo janë vetëm artikulime të zakonshme politike që ai bën herë pas here?
Gjatë debatit televiziv, Artan Hoxha i thotë një të vërtetë Saliut, se ka vrarë dëshmitarin e Azem Hajdarit, ku bëhet fjalë per Fatmirin, kjo eshte indicia që Saliu shpërthen duke sulmuar, si mbrojtja më e mirë e tij. Ne ndihemi të fyer dhe të akuzuar pa patur asnjë lloje baze dhe prove. Ndaj unë mendoj se kjo përbën një vepër penale, ku abuzohet me dinjitetin tonë dhe akuzohemi rëndë në vazhdimesi si gjithmonë. Ndoshta Saliu beson në parimet e tij, i cili shpërblen kriminelët me poste dhe shpërblime të majme për veprimet e tyre kriminale. Një ndër vrasësit e vëllezërve tanë të denoncuar nga ana jonë në prokurorinë e Tropojës, i cili quhet Haki Hoxha, pas ardhjes së Salihut në pushtet më 2005, u emërua si shef i zjarrfikseve të Tiranës. Ndaj nuk është e habitshme që Salihu aludon për të tjerët se shpërblejnë njerëz për veprimet e tyre. Por buxheti i shtetit nuk është i llogaritur që të shpërblehen kriminelët me poste e rroga të majme. Buxheti i shtetit duhet të përdoret për uljen e krimit dhe për uljen e varfërisë dhe jo për të shpërblyer kriminelët për vrasjet e tyre mafioze. Por nuk është vetëm ky rast që ai shpërblen kriminelët, por ne dimë edhe raste të tjera, ku veprimet e tyre kriminale janë shpërblyer nga Salihu me poste dhe shuma të majme parash.
Cilat ishin rrethanat që ju si familje u detyruat të shpërnguleni jashë kufijve të Shqipërisë?
Me ardhjen e Saliut në pushtet më 2005, i cili erdhi si gjithmonë me manipulime dhe mashtrime, babai ynë duke parë rrezikun që i kanosej familjes tonë, u detyrua të largojë të mbijetuarit e fundit të familjes tonë nga Shqipëria. Plani i tij tashmë ishte i qartë, të zhdukte të mbijetuarit e mbetur gjallë dhe të zhdukte çdo llojë shënje dhe prove që ne kishim ekzistuar ndonjëherë, ku rrafshoi varret e të vdekurve dhe muret e banesës tone, të cilën e kishte ndërtuar babai i gjyshit tonë. Por masakrat e Saliut kundër nesh nuk kanë të sosur, ai përdori spiunët e monizmit për informata kundër nesh, por nga ana tjetër flet gjithë ditën kundër monizmit. Pas këtyre veprimeve makabre dhe antinjerëzore, ai fillon menjëherë shpërblimet me para të shërbëtorëve të tij, për krimet e bëra ndaj nesh dhe njëkohësisht shpërblime edhe me vende pune, dhe emërime kriminelësh në poste të larta për shërbimin dhe devotshmërinë ndaj Saliut.
Në hasmëritë e shkaktuara mes njerëzve të politikës, ju keni humbur katër vëllezër. A keni kërkuar ndonjëherë në institucionet shtetërore që këto vrasje të zbardhen dhe pse këto çështje nuk guxohen të rihapen ende dhe sot nga drejtësia?
Pas vrasjeve të vëllezërve tanë ne kemi bërë denoncimet tona në prokurorinë e Tropojës, por çështjet tona janë mbyllur pa u hapur fare, sepse prokuroret e autorizuar të Saliut nuk ishin të interesuar dhe nuk mund të zbardhnin vrasjet tona, sepse shteti ishte i implikuar vetë në këto vrasje, ndaj shteti nuk mund të hetonte krimet e veta. Saliu organizonte vrasjet tona duke bërë një kombinim të mirë shtetëror, prokurori, polici dhe vrasës ku të gjithë shpërbleheshin me poste të larta dhe shuma të majme parash. Kriminelët ndiheshin shumë të sigurt për veprimet e tyre kriminale, me të cilat realizonin edhe dëshirat e tyre private. Kjo do të thotë se ai vuri në dispozicionine tij privat gjithë makinerinë shtetërore për të shfarosur gjithçka që kishte të bënte me ne.
Ju keni jetuar dy periudha shumë të rëndësishme të historisë së Shqipërisë, atë të Komunizmit ku keni studiuar në shkollën e lartë të Partisë, dhe atë të pluralizmit, ku keni shërbyer si mësuese e fizikës, por njëhersh keni përjetuar dhe ndryshime mjaft të mëdha politike e ngjarje kriminale. A ndjeni nostalgji për kohën e “Enver Hoxhës” apo jeni kritikuese e atij rregjimi?
Unë mendoj se populli ishte i etur për ndryshim, sepse drejtuesit e shtetit nuk duhet të jenë të përjetshëm, por ndryshimi filloi me qetësi nga Ramiz Alia, por shumë shpejtë situata degjeneroi dhe filluan shkatërrimet dhe anarshia i zuri vendin ligjit. Kjo tregon se Sali Berisha, ishte i interesuar për të shfrytëzuar situatën në shërbim të intresave dhe pushtetit të tij. Ardhja në krye të vendit të njerëzve të etur për pushtet dhe para, por ndoshta edhe të shitur, ishte një fatkeqësi kombëtare dhe tragjike për popullin shqiptar, i cili është i shumëvuajtur dhe ka qënë i përçarë në shekuj. Lufta e klasave në Shqipëri ka qënë e ashpër por mendoje që e tillë vazhdon të jetë dhe sot. Dallimi është që në kohën e monizmit njerëzit vriteshin sipas një gjygjësie të organizuar shtetërore, ku hakmarrja dhe vëllavrasja nuk ekzistonin, kurse sot dënimi me vdekje nuk ”ekziston” por njerëz të etur per pushtet dhe para nën sloganin “përça dhe sundo” kanë krijuar rrjetet e tyre mafioze, të cilat në këmbim të pagesës vrasin kundërshtarët politik. Dhe ky veprim mesjetar nxitet nga vetë ata që flasin për demokraci. Me ardhjen e demokracisë në familjen tonë kishte pluralizëm, ku ka patur raste që ne kemi patur replika për pikpamje të ndryshme politike, e cila nuk përbënte asnjë problem. Unë mendoj që populli kurrë nuk ka qënë më i përçarë se sa tani, duke patuar parasysh vitet 1990 dhe deri me sot. Eshtë e vërtetë që kemi qënë të varfër, por ne nuk vriteshim me njëri-tjetrin dhe nuk e dinim se çfarë është prostitucioni. Ne nuk e njihnim drogën dhe nuk ndodhte që të humbisnin vajza dhe fëmijët në mes të ditës. Hapja me botën ishte domosdoshmëri, por mos mendoni se përtej kufijëve të Shqipërisë është parajsa, sepse në tokën e huaj duhet edhe më shumë punë dhe sakrifica për të arritur diçka.
Çfarë ka ndodhur në Tropojë pas vitit 1992, kohë kur dhe u prish sistemi komunist, përse kaq shumë të vrarë, përse kaq intriga dhe gjak i derdhur, ku mendoshet se ka një bilanc me 200 persona të vrarë?
Kjo që ka ndodhur në Tropojë, është sa e dhimbshme po aq edhe tragjike. Është mëse e vertete që shumë tropojanë janë vrarë ku thuhet se numri i tyre është rreth 200 persona. Por vallë pse aq shumë tropojanë ku numri i banorëve atje është i vogël. Kush është shkaku i këtyre vrasjeve në një qytet kaq të vogël?. Kush e hodhi gurin dhe e fshehu dorën? Kush përfitoi nga këto vrasje? Kush përçau dhe sundoi? Të zbardhen të gjitha vrasjet në Tropojë dhe të gjendet arsyeja e vrasjes së bijëve tanë. Saliu e ka vrarë Tropojën dhe i ka përdorur vrasjet për pushtetin dhe interesat e tij karrieriste dhe private. Por edhe Drejtësia shqiptare nuk duhet të drejtohet nga politika, por të zbatojë ligjin dhe njerëzit të jenë të barabartë para ligjit. Për të dashurit tanë të vrarë nuk ka asnjë të akuzuar dhe asnjë të dyshuar apo të dënuar. Kurse ne të mbijetuarit e familjes tonë jemi të akuzuar dhe të dënuar në mungesë dhe të kërkuar edhe nga Interpoli.
Zonja Zylfie megjithëse kanë kaluar shumë vjet, por mund të na rikujtoni si filloi konflikti mes dy familjeve Haklaj dhe Berisha?
Saliu është njeri që na shau, na vrau dhe na nxori edhe nga varret. Ai njeri na përzuri nga trojet tona shekullore dhe vazhdon të lakojë emrin e familjes tonë, në një kohë që pas vrasjes së Azemit ai nuk na lakonte emrin, pavarësisht se dihej që Fatmiri e kishte kryer aktin, kurse tani ai na akuzon publikisht pa patur asnjë bazë apo dëshmi për një gjë të tillë, se shpërblejmë njerëz për t’ju kundërvënë Saliut. Në vitin 1997 kur Kosova martire po përgatitej për t’ju kundërvënë makinerisë serbe, në tokën mëmë, organizohen firmat piramidale dhe hapen depot e armatimit. Në këto rrethana Saliu duke parë se pushteti po i rrezikohej kërkon mbeshtetje njerëzore nga veriu i Shqipërisë dhe pikërisht nga Tropoja. Qëllimi i Saliut ishte të përdorte veriun kundër jugut për të realizuar qëllimet e tij të mbrapshta. Në këtë kohë kryetar i Komitetit të Shpëtimit në Tropojë ishte vëllai ynë Fatmir Haklaj, i cili nuk iu përgjigj thirrjes së Saliut, që në atë periudhë ishte ende president i vendit. Fatmiri shprehej se: ”… në qoftëse kanoset siguria kombëtare nga pushtuesit e huaj ne do të jemi të gatshëm në çdo kohë…”. Dhe këtu mendojmë ne është momenti ku Saliu ka arritur në përfundimin se ne duhet të zhdukemi nga faqja e dheut, ku lufta e tij vazhdon ndaj familjes tonë edhe në ditët e sotme.
Çfarë ndodhi më pas, pasi vëllai juaj Fatmir Haklaj refuzoi ti bindej ish-presidentit Sali Berisha. A pati më incidente mes anëtarëve të familjes tuaj dhe rrethit të ngushtë të Berishës?
Më datën 22 qershor 1997 pas mesit të natës në dalje të Milotit vriten nga bandat e Saliut, Sokol Haklaj jurist i cili punonte në Skrapar, dhe Ibrahim Rrustemaj, të cilët udhëtonin bashkë me Fatmirin në drejtim të Tropojës. Fatmiri merr dy djemtë e vdekur dhe niset në drejtim të Tropojës per tek Trageti, ku udhëtonte edhe Sali Berisha dhe forcat e tij të sigurisë për një miting në Tropojë datën e nesërme. Fatmiri së bashku me të vdekurit në makinë nuk lejohen të udhëtojnë me traget. Lajmi në Tropojë kishte mbërritur për djemtë e vrarë, dhe familjarët shkojnë tek trageti që të marrin të vdekurit, dhe atje marrin lajmin që nuk janë lejuar të udhëtonin me traget. Ky qëndrim i ka irrituar familjarët tanë, ku pesha kryesore ka rënë mbi Sali Berishën.
Po atë ditë a ka zhvilluar miting në Tropojë Sali Berisha?
Po është zhvilluar dhe hapja e mitingut nga Saliu fillon me fjalë fyese dhe përçarëse, në vend që të ngushëllonte familjarët e të vdekurve, për fatkeqësinë e ndodhur, natën gjatë rrugës për në shtëpitë e tyre. Nga Saliu në këtë miting ne quhemi horra dhe të lidhur me serbin. Por unë do t’i thoja Saliut se kush jemi ne ti e di, por kush je ti a e di? Saliu i njeh të gjithë dhe familjarët e tyre, por unë mendoj se duhet të njohë më mirë veten e tij dhe të afërmit e tij.
Pas kryerjes së ceremonisë mortore, a ka pasur më pas ndonjë incident që është regjistruar në mitingun e Berishës në Tropojë?
Ngjarja e Milotit ku vriten Sokol Haklaj dhe Ibrahim Rrustemi natën e udhëtimit të eskortës së Saliut la shumë për të dëshiruar për këto vrasje. Kështu që familjarët të irrituar për vrasjet dhe për shtyrjen e varrimit të vdekurve, ku njerëzit ishin lajmëruar, udhëtojnë për tek mitingu për të dëgjuar dhe pse jo edhe për të thënë fjalën e tyre. Kur Saliu i quan horra dhe të lidhur me serbin ata që përkrahnin kandidatin socialist, ka reaguar vëllai jonë Shkëlqimi, i irrituar për gjithçka që po ndodhte në sytë e tyre. Në këtë moment Salihi urdhëron uniformat e tij, që ta marrin me vete Shkëlqimin. Këtu lind pyetja, a janë të gjithë njerëzit të barabartë para ligjit? Përse për Saliun lejohet të shajë dhe të shpifë e mashtrojë, kurse të tjerët nuk mund as të varrosen në kohën e caktuar dhe as të reagojnë për fjalët fyese e poshtëruese përpara publikut të dala nga goja e Presidentit të Republikës? Salihu ka kohë që ka dalur nga vendlindja, por ai e di shumë mirë që dinjiteti dhe nderi është i rëndësishëm për njerëzit patriot të cilët munden edhe të mendojnë ndryshe sodomos në demokraci.
Si lindi konflikti dhe cilat ishin motivet e hasmërisë që lindi mes familjes tuaj dhe familjen Hoxha në Tropojë dhe kush ishte personi që përfitoi nga kjo hasmëri?
Në shtator të vitit 1997 plagoset Azem Hajdari në Parlament ku Saliu organizon protesta në Tropojë dhe pastaj ato do të pasoheshin në të gjithë Shqipërinë, ku qëllimi i tij ishte të shfrytëzonte situatën për marrjen e pushtetit. Fatmir Haklaj nuk lejon që protestuesit të thyejnë dhe shkatërrojnë në qytet, ju kërkon caktimin e një sheshi për organizimin e protestës në mbështetje të Azem Hajdarit. Drejtuesit e protestuesve nuk i binden kërkesës së Fatmirit, por Fatmiri në këtë moment ju premton se do të lidhej me Ministrinë e Brendshme dhe do t’ju kthente përgjigje. Drejtuesit e mitingut ku ndër ta ishte edhe Haki Hoxha, nuk presin përgjigjen e Ministrisë së Brendshme, por vazhdojnë protestën. Fatmiri ju kërkon edhe një herë në mënyrë paqësore që të ndalin protestën, e cila po zhvillohej në mes të qytetit dhe në kundështim me ligjin ku po prishej qetësia publike. Fatmiri i del turmës përpara dhe ju kërkon zbatimin e ligjit, por ata përsëri refuzojnë. Këtu Fatmiri e humbet kontrollin dhe qëllon një ndër drejtuesit e mitingut i cili quhet Haki Hoxha. Kështu shpërndahet protesta dhe hakmarrja do të vazhdonte mes nesh, pavarësisht se “frutat” do të haheshin nga Sali Berisha. Saliu duke u bindur që Tropoja po dilte jashtë komandës së tij dhe pengesa kryesore ishin Haklajt ai nuk humbet kohë, por planifikon vrasjen e Shkëlqimit për të goditur edhe Fatmirin.
Çfarë ndodhi më pas, a pati ndonjë nga anëtarët e familjes tuaj takim më përfaqësues të familjes Hoxha, apo sherri vijoi?
Në të vërtetë nuk ka patur asnjë takim mes përfaqësuesve të dy familjeve dhe si pasojë ky rast u shfrytëzua nga Saliu për të vazhduar vrasjet seriale në Tropojë duke vrarë Shkëlqimin si kundërshtarin e hapur ndaj tij në mitingun e datës 22 qershor 1997. Sikur të ishte hakmarrje private duhej të vritej Fatmiri, por duke e pranuar krimin dhe arsyen e krimit. Më datën 5 janar në orën 16:05 vriten në qafën e Luzhës, Artur Demiri dhe Shkëlqim Haklaj, të cilët po ktheheshin nga dogana e Qafë-Prushit. Shkëlqimi e ka njohur Haki Hoxhën pavarësisht maskimit të tij. Kështuqë vrasjet planifikoheshin atje lartë se kush do të vritej dhe si do të vazhdohej më tutje. /Shqiptarja/