fbpx
Lajme

Rubin: Bashkë me Thaçin arritëm të mundim agresionin luftarak serb, jam krenar me të

TIRANË, 16 korrik/ATSH-Maela Marini/ Ish-zëdhënësi i DASH, James Rubin u shpreh sot se “nuk ka parë ndonjë fakt mbi akuzat nga presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi”.

Në një intervistë për një media shqiptare, Rubin tha se “po shpresoja që dialogu Kosovë-Serbi do të ecte përpara”. “Vazhdoj të shpresoj për një zgjidhje përfundimtare të këtij problemi që të arrihet për të mirën e gjithë popujve të Ballkanit. Sinqerisht nuk e prisja publikimin dramatik të akuzave kundrejt Presidentit Thaçi. I di disa nga akuzat që janë drejtuar ndaj tij, por jam krenar për punën që  kam bërë me Hashim Thaçin në ’98-’99 sepse së bashku arritëm të ndihmojmë, të sigurojmë një mbështetje perëndimore për Kosovën. Së bashku arritëm të mundim agresionin luftarak serb. Sa herë që akuzohet për diçka është shqetësuese”, tha ai.

Rubin tha se “gjithashtu nuk kam parë ndonjë fakt mbi akuzat”. “Ka shumë akuza në botë sidomos në pjesën tuaj të botës, ka gjithmonë një akuzë për diçka, por unë dua të di faktet. Nuk kam parë kurrë fakte, kam parë vetëm akuza. Më vjen keq se kjo mund të ndërhyjë në procesin e bërjes së paqes dhe stabilitetit mes Kosovës dhe Serbisë”, tha ai.

AMP:

“Kur dëgjova fillimisht për UÇK ishte nga raportimet e Departamentit, më thanë që operacionet e UÇK-së ishin të klasifikuara si terroriste. Pra përfshirjen shpesh në vrasje jo vetëm të ushtarëve por edhe ato që përfaqësonin qeverinë serbe. Pra, këto kishim ne parasysh si operacione. Pastaj dëgjova për UÇK-në nga Krasniqi dhe më pas takova Hashim Thaçin në Rambuje dhe ai u konsiderua drejtues nga shqiptarët. Unë fillova të bashkëpunoj me të. Në eksperiencën time gjithçka më tha Hashimi se do të bënte e bëri. Ishte njeri i ndershëm dhe isha i ndershëm dhe i sinqertë me të. Dhe kjo është e vërteta. Gjatë 21 ose 22 viteve që e kam njohur, gjithmonë kam dëgjuar histori për UÇK-në. Dëgjova që kishte shqiptarë që kanë vrarë civilë serb, por 99% i problemit ishte ushtria serbe që sulmonte popullsinë shqiptare të Kosovës”, tha ai.

“Nuk jam naiv. Nuk besoj se çdo drejtues shqiptar është shenjt, por nuk besoj në krime masive deri sa të shikoj faktet për këtë dhe nuk e kuptoj se përse akuza që nuk janë shikuar nga një gjykatës publikohen. Dëshiroj të shikoj akuza dhe prova”, tha Rubin.

I pyetur në ka prapavijë politike në këtë situatë, ai tha se “nuk jap motivime për gjëra që nuk i di”. “Ata që më njohin e dinë se kam qenë zëdhënësi i DASH. Nuk spekuloj apo të jap arsye, por them atë që mendoj dhe ajo që shikoj përpara meje prej shumë vitesh ka pasur akuza për ish-drejtues të UÇK-së që vinin në kohë dramatike, në mënyra dramatike. Gjithmonë kërkonin prova dhe shikime gjyqësore për akuzat. Deri këtu nuk ka shkuar dhe prandaj jam pak i habitur se përse prokuroria do të publikonte akuza që nuk janë parë nga një gjykatës dhe t’i bënte më pas publike dhe të vazhdonte në mënyrë ligjore”, tha ai.

Rubin tha se lidershipi i Kosovës gjithmonë ka treguar vullnet dhe angazhim për shtetin ligjor. “Nuk e di se përse u zbulua në këtë mënyrë. Nëse ka pasur intimidim dëshmitarësh shpresoj të ketë kaluar. Unë nuk mund të bëj asnjë gjë për të dhe nuk dua të nënshkruaj motivime dhe shkaqe. Dua të shikoj procesin. Çfarë thotë gjykata dhe jo thashethemet”, tha ai.

“Unë nuk e vë në dyshim se Gjermania, ndoshta Franca apo të tjerë kanë një qëndrim ndryshe për zgjidhjen e mosmarrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë. E di që administrata Trump kërkon progres. E di që Gjermania dhe Franca nuk i kanë mbështetur propozimet e administratës Trump për të ecur përpara. Shqetësimi i vetëm është që të kemi progres, që të kemi një zgjidhje dhe pyetja ime për ata në Gjermani dhe në Europë dhe kudo tjetër që nuk bien dakord me administratën Trump është: Cila është zgjidhja e tyre? Unë nuk kam dëgjuar një zgjidhje të mirë prej tyre. Kam dëgjuar vetëm se papritur Serbia do të binte dakord për gjithçka dhe kjo nuk është realiste. Duhet që Serbia të pranoj Kosovën si shtet, rusët të pranojnë Kosovën si shtet dhe Kosova t’i bashkohet OKB-së”, tha ai.

Rubin tha se “nëse Gjermania dhe zyrtarët e tjerë në Gjermani kanë një zgjidhje për këtë, një propozim realist, që Serbia të pranojë Kosovën të na e thonë cila është ajo. Nuk është mjaftueshëm për të thënë se një ditë do ta pranojnë se duan të anëtarësohen në BE. Kjo nuk është një përgjigje serioze”.

“Unë jam demokrat, do mbështes prapë Biden, por kjo nuk do të thotë se unë nuk jam i aftë për të bërë dallimin mes mbështetjes time për Presidentin Trump dhe për politikat që ai ndjek kur vjen puna te Kosova dhe Serbia. Presidenti dhe këshilltarët e tij duket se janë të gatshëm për të nxitur një proces përpara, për të gjetur një zgjidhje diplomatike dhe këtë dua edhe unë. Nuk dua të kaloj te fëmijët apo fëmijët e tyre një çështje të pazgjidhur mes Kosovës dhe Serbisë. Këto gjëra sa më shumë të presin aq më të vështira bëhen. Është më e lehtë për njerëzit të jenë kundër zgjidhjes se sa për një kompromis e një zgjidhje. Është e vështirë për kompromis, e vështirë për të thënë që pala tjetër të marrë diçka”, tha ai.

“Kur shoh situatën jam i kënaqur që presidenti Trump është përpjekur të avancojë me diplomacinë. Unë nuk e di se cili presion i është bërë njërës palë, realitetet që kanë ndodhur 20 vite më parë janë ndryshe, por dua që ato të zgjidhen. Unë shpresoj se në një pikë do të ketë një President amerikan, një lider të Kosovës dhe një të Serbisë që të bashkohen ta zgjidhin këtë çështje që Kosova të anëtarësohet në OKB dhe bota të shikoj stabiliteti në Europë, që nuk ka ndodhur ende”, tha ai.

I pyetur mbi qëndrimet e administratës Biden në rast se fiton zgjedhjet presidenciale në SHBA, Rubin tha se “nuk do të jem shumë konkret sepse nuk e di se çfarë Biden do të bënte”.

“Parashikoj se Presidenti dhe këshilltarët e tij do të jenë  gjithmonë duke kujtuar miqësinë me popullin e Kosovës. Biden, nëse bëhet President, e ka quajtur Thaçin, Thomas Xhefersonin e Kosovës. Pra do të ketë gjithmonë miqësi mes Shtëpisë së Bardhë dhe Kosovës. Administrata Biden, nëse ndodh, do të jetë më e gatshme të punojë së bashku me Europën se sa administrata Trump. Kjo nuk do të thotë se do të pranojë pozicionin europian që nuk ka kuptim. Nëse të tjerët kundërshtojnë një lloj zgjidhje bazuar në marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë, ata duhet të na tregojnë cila është alternativa dhe nëse nuk ka alternativë atëherë qeveria Biden duhet të jetë aq e fortë, inkurajuese, të inkurajoj qeverinë gjermane të pranoj çfarë populli i Kosovës mund të pranoj dhe jo të përpiqet të tregohet më e shenjtë se populli i Kosovës për atë që është më e mirë për popullin e Kosovës”, shtoi ai.

“Kundërshtarët e ideve gjithmonë kanë detyrimin të kenë një alternativë ose të thonë se kjo çështje bën apo nuk bën. Status Quo-ja nuk është e mirë. Populli i rajonit ka nevojë për marrëveshje paqeje përmes të cilës të arrijnë stabilitet, siguri dhe të ecin përpara drejt Europës. Nëse njerëzit e kundërshtojnë atëherë duhet të ketë një alternativë. Ndryshe do të vazhdojnë të kenë probleme së bashku në Europë”, tha ai.

Rubin tha se “nuk më takon mua të them se cilët janë drejtuesit e Kosovës”. “Unë bie dakord me realitetin. Thaçi është President i Kosovës dhe unë kam parë në të kaluarën një njeri me të cilin mund të kem marrëveshje, është i suksesshëm të menaxhojë kompleksitetin e diplomacisë ndërkombëtare si ruse, amerikane. Kjo nuk është diçka e lehtë për t’u menaxhuar dhe pjesa më e madhe e njerëzve gjithmonë marrin një pozicion ekstremist që nëse marrin gjithçka që duam atëherë nuk kemi pse bëjmë kompromis. Këta janë njerëzit që unë nuk pëlqej shumë në politikë. Nuk i pëlqej as në Amerikë, as në Kosovë. Njerëz që bëjmë premtime të mëdha, jo realiste, imagjinojnë pjesën tjetër
që do të dorëzohet dhe ne do të marrim gjithçka. Kjo është ajo ëndërr që i fut në telashe.
Kushdo të jetë drejtues i Kosovës unë shpresoj të mos jetë një i tillë dhe shpresoj që populli i Kosovës të ketë një lider me realizëm, diplomaci dhe aftësi”, tha ai. /j.p/

AMP:

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Back to top button
Close