fbpx
Lajme

Flet polici i FIT/NJSI: Snajperisti u shtri në baltë, plumbi i parë qëlloi terroristin në qafë

Një telefonatë vjen në mes të natës në telefonat e ushtarakëve të Njësisë Speciale.

Komanda bën thirrje për veprim të menjëhershëm: bllokimin e një grupi kontrabandistësh që vijnë nga Serbia.

Rreth 20 burra, ajkë e speciales, hipin në automjete të blinduara dhe zhyten në terrin e natës, duke u nisur drejt Veriut.

Kur mbërrijnë në Banjskë, një shi i fortë errëson pamjen dhe manastiri në fakt nuk mund të shihet.

Por nisin të shtënat e para nga mitralozat dhe granatahedhësit e palës kundërshtare dhe duket qartë se armiku është pikërisht aty përpara.

Nëse shiu bie nga qielli, nga manastiri vjen një breshëri plumbash që godet burrat e forcave speciale kosovare.

Plumbat fishkëllejnë pranë uniformave dhe godasin pa mëshirë duke lënë shenjat te mjetet e blinduara.

Burrat shikojnë njëri-tjetrin në sy dhe më pas vendosin: duhen ndaluar dhe fillojnë t’i përgjigjen zjarrit.

Vetëm në agim, me ardhjen e dronëve dhe dritës, kuptojnë se nuk kanë të bëjnë me kriminelë të zakonshëm, por me ushtarë të stërvitur dhe të armatosur plotësisht e fuqishëm.

Dikush sugjeron të largohen në pritje forcash, por ata vendosin të qëndrojnë: kjo është toka e tyre dhe nuk do ta lënë në duart e atij armiku misterioz dhe të huaj.

Beteja vazhdon për orë të tëra me pak fare përforcim dhe aspak ujë e ushqim për njësinë speciale kosovare.

Është një operacion lufte i vërtetë.

Tregon një nga ushtarakët e pranishëm

“Snajperisti mori në krah armën e sapo makina e blinduar ndaloi u hodh në tokë e u shtri mbi baltë. I tha komandantit: i kam të gjithë në shënjestër, mund t’i neutralizojë të gjithë”.

Komandanti i tha se ende duhej pritur, por kur pa që terroristët po përparonin kompakt, dha urdhër të qëllonte.

Plumbi i parë qëlloi njërin prej terroristëve në qafë duke e rrëzuar në tokë. Ranë edhe i dyti, i treti…

I fundit prej tyre u qëllua vetëm 12 metra larg, ndërsa po merrte pozicion.

Në atë moment u godit dera e manastirit. Ushtarakët kosovarë morën kontrollin. Ndërkohë, dikush filloi negociatat.

Përforcime nga Serbia po afroheshin, rreziku i shpërthimit të një lufte ishte në prag.

“Ndërsa tensioni veç rritej e pritej përplasja finale, erdhi një urdhër: Lërini të kthehen nga kanë ardhur!”

Në fund kosovarët fitojnë, duke arrestuar tre nga të mbijetuarit e komandove armike.

KFOR-i sigurisht ishte i informuar dhe ne tani pyesim veten pse nuk bëri asgjë për të parandaluar dhe shtypur këtë aksion subversiv, duke shkelur funksionin e tij parësor që është pikërisht parandalimi i kontakteve të dhunshme ndërmjet serbëve dhe kosovarëve.

Gjithçka sugjeron se ata donin të zbatohej tentativa e puçit, duke ia lënë luftën vetëm forcave kosovare.

Por nga Prishtina u dërguan në vendin e konfliktit vetëm disa dhjetëra ushtarakë.

Pas dorëheqjes si nënkryetar i Listës Serbe të një figure udhëheqëse të nacionalizmit serb si Milan Radojçiç, të gjithë sytë janë tani te presidenti Vuçiç.

A do ta shfrytëzojë këtë mundësi që i dobëson nacionalistët për t’u çliruar nga kufizimet e tyre dhe për të ecur vendosmërisht drejt marrëveshjes me Kosovën dhe BE-në?

Apo do të vazhdojë në rrugën e tij duke vazhduar të luhatet mes Brukselit dhe Moskës?

Dhe Albin Kurti, a do të shfrytëzojë edhe ai rastin e këtij hapi fatal të serbëve për të forcuar rrugën drejt marrëveshjes apo do të vazhdojë rrugën e tij që synon të izolojë çdo ditë e më shumë vendin e tij?

E ardhmja do t’u përgjigjet këtyre pyetjeve.

Megjithatë, ne kurrë nuk do ta dimë të vërtetën për këtë operacion misterioz ushtarak, i cili dështoi vetëm për shkak të guximit të një grushti burrash me moral në qiell, në mbrojtje të tokës, të shiut dhe fatit të favorshëm.

Shumë e dinin që një aksion ushtarak po përgatitej dhe askush nuk bëri asgjë për ta ndaluar.

Nëse Kosova e ka fituar këtë betejë të re kundër nacionalistëve të Serbisë, kjo është vetëm falë rreth njëzet trimave që mundën disa nga profesionistët më të mëdhenj të luftës në botë për të mbrojtur tokën e etërve të tyre.

Ndërkohë që ai dhe ata si ai rrezikuan jetën dhe i vunë gjoksin plumbave për 600 euro në muaj.

Asnjë nga terroristët e kapur nuk kishte ndonjë dokument me vete. Njëjtë si ata që u gjendën të vrarë.

Të paktën 200 terroristë të tjerë ishin të gatshëm të ndërhynin përtej kufirit serb.

Inteligjenca britanike, amerikane dhe shqiptare, si dhe ushtria e pranishme në aksion, të gjithë konfirmojnë se mes sulmuesve të Banjskës kishte shtetas rusë.

Dhe ata specifikojnë gjithashtu origjinën: me shumë gjasë me përfshirje të GRU-së (shërbimet ushtarake ruse), aty janë mercenarët e  grupit Wagner dhe të forcave speciale Spetnaz dhe Obraz të organizuar nga kreu i Listës Srbska në Veri, Milan Radojçiç.

Qartazi ishte një blitz tentativë që synonte pushtimin dhe militarizimin e komunave me shumicë serbe të Kosovës. /AlbanianPost/

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close