Dalin pamjet, momenti kur policia e largon Rron Gjinovcin dhe familjen e tij nga lokali i uzurpuar

Mediat e afërta më pushtetin e Vetëvendosjes, Rron Gjinovcin e ftojnë nëpër debate televizive në cilësinë e analistit. Por, sa herë që gjatë debatit përmendet Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) dhe krerët e saj, Gjinovci lëshon “vrerë” ndaj tyre. Kështu ndodhi edhe në një debat para disa ditësh në KTV, ku ai linçoi publikisht gazetaren Dafina Demaku, e cila po e mbronte luftën e UÇK-së. Ky nuk është rasti i vetëm kur Gjinovci tregohet i padurueshëm, por pse po ndodh kjo?
Gjithçka që ka të bëjë më luftën, për Rron Gjinovcin është e padurueshme. Deklaratat e tij janë ashpërsuar sidomos viteve të fundit. Para pak ditësh, Gjinovci tha se gjatë luftës nuk ka parë askund ushtar të UÇK-së, duke shtuar se ka parë vetëm njerëz pas luftës që kanë uzurpuar në emër të UÇK-së. Por, në vitin 2016, Policia e Kosovës kishte hyrë në një objekt që konsiderohej i uzurpuar prej babait të Gjinovcit për ta larguar nga aty. Objekti thuhet se ishte uzurpuar duke u thirrur në UÇK-në.
I pranishëm gjatë ndërhyrjes së policisë, sipas fotografive që ka siguruar Demokracia.com, shihet edhe Rron Gjinovci, i cili po i qëndronte pranë të atit në ato momente.
“Kjo pronë e paluajtshme në bazë të urdhrit të Gjykatës NR: PN. 140 /16 DT: 21.06.2016 i është nënshtruar sekuestrimit të përkohshëm. Hyrja në të nuk është e lejuar. Ata që hyjnë pa leje mund t’i nënshtrohen arrestit”, kështu shkruhej në njoftimin që ishte vendosur në lokalin e uzurpuar nga babai i Rron Gjinovcit.
I kontaktuar nëpërmjet rrjetit social nga gazetari i Demokracia.com, Gjinovci ka refuzuar të dërgojë një e-mail adresë, në të cilën do t’i drejtoheshin zyrtarisht pyetjet dhe fotografitë lidhur me këtë rast, që të merrej edhe qëndrimi i tij.
Po ashtu, emaili i OJQ-së “ORCA-s”, ku ai është drejtor ka qenë e paqasshme, ndonëse Demokracia.com ka provuar t’i dërgojë pyetje edhe aty.







