Gani Dreshaj: Haki Rugova i ka ‘la duart’ nga Istogu, unë jam fitues
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka gjasa ta fitojë edhe një komunë të Kosovës në balotazhin e së dielës. Behët fjalë për bastionin e LDK-së, Istogun, komunë kjo dikur e pakontestueshme e kësaj partie. Por Gazeta Express përmes burimeve të saj mëson se votat me kusht mund ta përmbysin rezultatin e së dielës, ku në epërsi del të jetë Haki Rugova, deri tani kryetar i kësaj komune. Gani Dreshaj i AAK-së është i bindur se Istogu do të jetë nën qeverisjen e tij. Thotë se Rugova i ka ‘la duart” nga kjo komunë.
Kandidati i AAK-së, Gani Dreshaj, shprehet i bindur se do të jetë fitues për komunën e Istogut, derisa nuk kursen akuza ndaj LDK-së për maltretime dhe manipulime në disa vendvotime.
Dreshaj për Express, thotë se zyrtarë të kësaj partie, i kanë ndal edhe dritat, në këtë mënyrë që të mund të bëhen edhe manipulime.
“Pikë së pari nëse hymë me numëru edhe Gurakovcin e Istogun ku i kanë ndal dritat dhe i kanë vjedh votat edhe Bajën, kom fitu ashtu ashtu, ne kemi bë ankesë e kemi deponu ankesën. Edhe zyrtarët e policia kanë bë krim në Istog”, tha ai.
Por përveç Dreshajt, akuza se kush manipuloi në këto zgjedhje, bëri sot edhe Lidhja Demokratike e Kosovës përmes një konference për media. Ismet Beqiri, deputeti i kësaj partie tha se me vëmendje janë duke e përcjell procesin edhe në Istog ku sipas tij, kishte votime të porositura.
“LDK me vëmendje është duke e përcjell procesin e konfirmimit, verifikimit dhe të numërimit të votave me postë, sidomos sa i përket votave në komunën e Istogut dhe të Dragashit ku vërehet edhe nga shumë veprime por edhe nga deklarimet e vet kandidatëve sidomos të kundërkanidatëve të LDK-së se kishte votim të porositur dhe të organizuar e kontrolluar nga çarqet e caktuara për votusit jashtë Kosovës duke shkelur shumë nga parimet që garantojnë zgjedhje të lira e demokratik”, u shpreh Beqiri.
Megjithëkëtë shpresat për disa komuna kanë mbetur tek votat me kusht dhe ato me postë, numërime këto që KQZ thotë se ende nuk e di se kur bëhen.
Gani Dreshaj i AAK-së është i bindur se janë 1 mijë vota nga diaspora, të cilat do ta shpallin bindshëm fitoren në Istog.
“Unë po pi pres edhe votat prej diasporë mem ardh mu, jam i bindur se të paktën 1mijë vota nga diaspora kanë mem ardh mu”, tha ai/
Sipas të dhënave në ueb-sajtin zyrtar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, kandidati i Lidhjes Demoratike të Kosovës për kryetar për Istogut, Haki Rugova, po udhëheq me 671 vota.
Kreu aktual i komunës ka marrë 9.247 vota në garën përballë kundërkandidatit të tij nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Gani Dreshaj.
Kandidati i AAK’së ka marrë 8.576 vota, sipas KQZ’së. Diferenca prej 671 votash mes Rugovës dhe Dreshajt do të përmbyset nga votat me kusht dhe votat e tjera që ende nuk janë numëruar, mëson Gazeta Express nga burimet e saj. Bëhet fjalë për 407 vota me kusht, dhe 1.334 vota me postë.
KQZ ka thënë se brenda pak ditësh do të fillojë numërimi i votave me kusht, i atyre të personave me nevoja të veçanta si dhe votave përmes postës.