Gani Geci: Bekim Haxhiu Kamishi nuk kishte pranuar ta jap armatimin pa luftë
Lufta pa maska / Gani Geci
Në Drenicë, herë pas herë, kam shkuar nga muaji janar i ‘98-tës. Sa herë që shkoja, sikur merrja shpirtë e forcë për t’i përballuar të gjitha vështirësitë që më paraqitëshin gjatë lëvizjeve të mia nëpër zonat e luftës. Por, shpesh më krijohej përshtypja se drenicasit janë njerëz të egër, jo vetëm për armikun, por edhe për shqiptarin, edhe për vëllezërit e të afërmit e tyre. Të shumta janë ato familje që i kishin vrarë njëri-tjetrin nga një, dy e më shumë anëtarë të familjes, me motive primitive që vërtetë nuk kishin arsye. Por, gjatë luftës, ishin përkrah njëri tjetrit. Kështu kishin vepruar edhe shtatë vëllezërit, babain e të cilëve ua kishin vrarë fqinjtë e tyre, kurse gjakun ua kishte falur Drenica në kohën e pajtimit të gjaqeve. Gani Geci kishte shkuar dhe i kishte ftuar që të dalin përkrah njëri tjetrit, si vëllezër të një nëne në luftë kundër shkaut. Çmimi i një «kallashi» sillej prej 1300 – 1500 DM.
Ishte fshati Llaushë që për pesë muaj pas luftës së shenjtë të Jasharajve në Prekaz e barti barrën më të rëndë të luftës në Drenicë. Ky fshat sulmohej çdo ditë, kurse armatimi i mungonte. Më një mungesë të madhe të armatimit ishte përballur edhe Adem Jashari, i cili duke qenë i vetëdijshëm se ç’farë po përgatiste Serbia për familjën e tij dhe Drenicën, ka kërkuar një ndihmë prej 600 mijë markash nga Bujar Bukoshi, i cili nuk ia kishte dhënë. Ademi kishte kërkuar ndihmë edhe nga LPK-ja, por kot. E kotë ishte edhe perpjekja e Rifatit (vëllait të madh të Ademit), për të grumbulluar mjete nga shqiptarët në Gjermani, sepse i duhej kohë e gjatë, e atë nuk ia mundësuan forcat e armikut, që sulmuan Prekazin, pikërisht familjën e Jasharajve, të cilët arritën t’i mposhtin pas dy ditë luftimesh, ku Adem Jashari, bashkë me familjën e tij të gjërë, përfundoi pasi u kishte mbaruar municioni, gjëra për të cilat do të jap dikush, dikur edhe përgjegjësi. Hamit Krasniqi, ish-kryetar i Komisionit për informim pranë LDK-së, dhe anëtarë i kryesisë së LDK-së, dega në Klinë, njëherësh edhe fytyra më e ndritur e kësaj komune, tani dëshmor i kombit, ishte në kontakte të vazhdueshme me pjestarët e UÇK-së në Drenicë, qysh para luftës së Lludeviçit në nëntor të ‘97-tës, në Rezallë të Re.
Menjëherë pas vdekjës së Adem Jasharit, jam ngarkuar unë (Maxhun Smajli) nga Hamit Krasniqi të takohëm me Fadil Gecin, i cili bashkë me disa trima të tjerë e kishin marrë barrën e mobilizimit të ushtarëve të Llaushës dhe kishin nevojë për sigurimin e korridorit për në fshatrat e Dushkajës së Gjakovës. Përmes disa rrugicave arrita në Llaushë, ku u ndalova nga disa pjestarë të UÇK-së, të cilët në fillim u sollën keq.
Nxorën një listë me emra dhe kërkuan emrin tim, i cili për fat nuk kishte qenë i shënuar. Më gjasë as nuk kishin dëgjuar për emrin tim. Pasi mësuan për misionin tim, më erdhi afër një ushtar i gjatë, me një mjekërr të zezë dhe më tha: «Fadili ka shkuar diku me detyrë dhe porosinë do t’ia përcjellim». Fadili kishte arritur ta marrë armatimin në një fshat të Dukagjinit, me shokët e vet, por derisa ishte kthyer përmes fshatit Jabllanicë e Gjakovës, ishte ndaluar nga ushtarët e UÇK-së, me të cilët gati sa nuk ishte vrarë, kur ata kishin kërkuar që armatimi të mbetet në Shtabin e Jabllanicës. Ngjashëm me grupin e Fadil Gecit është vepruar edhe ndaj të tjerëve, të cilët kanë qenë të detyruar ta lënë armatimin. Një gjë e tillë në shtabin e Likocit ishte vepruar edhe ndaj komandantit të kompanisë së UÇK-së në Tërnavc. Bekim Haxhiut, i njohur me nofkën «Kamishi», i cili nuk kishte pranuar ta jap armatimin pa luftë. Është i vetmi Bekim Haxhiu, me trimat e tij, i cili nga fshatrat e afërta në kufi me Shqipërinë, kishte arritur ta sjellë armatimin në Tërnavc pa e lënë askund. Por, më vonë ky trim ka pasur pasoja. Disa herë e kam takuar në Oshlan, tek Bekim Shyti, duke kërkuar municion hua, për t’ua kthyer pasi ta marrin nga forcat serbe në aksionet që do t’i kryenin.