fbpx
Lajme

Gërvalla, Berishaj, Vitia, Ramabaja, grantet për Luginën… e demantojnë keq Kurtin për korrupsionin në qeverisjen e tij

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se në dy vjetët e qeverisjes së tij, në Kosovë nuk ka pasur korrupsion. Kreu i ekzekutivit këtë e ka deklaruar sot përpara kryetarëve të qendrave të Lëvizjes Vetëvendosje.

Sipas njoftimit të VV-së, përveç që s’ka pasur korrupsion, Kurti ka thënë se në këto dy vjet është rritur edhe mirëqenia qytetare dhe e ka lavdëruar edhe politikën e jashtme.

“Në mars të këtij viti bëhen 2 vite të qeverisjes së mirë me Republikën, pa korrupsion, me investime në rritjen e mirëqenies qytetare, me reformat rrënjësore në të gjithë sistemin institucional të Republikës tonë, e me përfaqësim dinjitoz si asnjëherë më parë në politikën e jashtme”, ka thënë Kurti, përcjell Demokracia.com.

Mirëpo, kjo deklaratë e Kurtit shumë lehtë demantohet, pasi që e vërteta është krejtësisht ndryshe.

Vetëm Demokracia.com në disa raste ka raportuar për afera korruptive në qeverinë që e udhëheq Kurti.

Më 12 qershor të vitit të kaluar, Demokracia.com ka raportuar ekskluzivisht për blerjen e veturave nga MPJD-ja e Donika Gërvallës. Bëhet fjalë për blerjen e veturave nga një kompani kroate ku MPJD-ja ia përshtati specifikat kompanisë kroate.

Në tenderin e veturave ka dyshime se është përfshirë edhe vetë kryediplomatja Gërvalla dhe kabineti saj. Ishe shkelur edhe vendimi i Qeverisë që ndalon blerjen e veturave. S’ka munguar as ndërhyrja dhe përshtatja e datave nëpër dokumente. Demokracia.com solli detaje ekskluzive rreth tenderit për blerjen e veturave me 335 mijë euro të zotuara nga MPJD, i cili është duke u hetuar nga organet përgjegjëse.

Rasti tjetër i madh korruptiv që tronditi opinionin kosovar është ai i ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj. Për Berishajn, kuadër i LVV-së, u raportua për lidhjet e tij me kompaninë energjetike GEN-I, degën në Serbi dhe dallaveret me 600 mijë euro.

Ish-anëtari i kryesisë së Vetëvendosjes që u emërua ambasador i Kosovës në Zagreb vitin e kaluar është implikuar në një skandal të madh financiar për të cilin ka raportuar mediumi slloven Planet Tv. Berishaj ka shtetësi sllovene dhe para dekretimit si ambasador në Kroaci, atij i është dhënë shtetësia e Kosovës nga presidentja Vjosa Osmani. Berishaj mori detyrën e ambasadorit në dhjetor të vitit të 2021.

Lidhur me këto pretendime, në gusht të vitit të kaluar, Agjencia Kundër Korrupsion kishte dorëzuar kallëzim penal ndaj Berishajt. Që nga muaji prill i vitit të kaluar, Antikorrupsioni kishte nisur hetimet për ambasadorin Berishaj. Ambasadori Martin Berishaj është diskutuar në mediat sllovene nën dyshimin se ka transferuar një shumë të parave tek një kompani private në Mal të Zi. Bëhet fjalë bartjen e parave kesh rreth 600 mijë euro nga kompania e tij në Mal të Zi tek politikani slloven.

Ndërkaq, në fund të dhjetorit të vitit të kaluar, Task Forca e Policisë së Kosovës ka ngritur edhe kallëzim penal ndaj Berishajt. Raportohet se Task Forca ka ngritur kallëzim penal ndaj ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, për shmangie të tatimit.

I dyshuar për dallavere me paranë publike është edhe Arben Vitia, Ministri i Shëndetësisë që para dy javësh u rikthye në këtë pozitë nga Kurti për herë të tretë.

Në fund të vitit 2020, mediat raportuan se Prokuroria e Prishtinës i kishte filluar hetimet ndaj Arben Vitisë. Hetimet ndaj ministrit Vitia kishin nisur lidhur me disa tenderë të dhënë nga Ministria e Shëndetësisë gjatë kohës sa Vitia ishte ministër i kësaj ministrie. KALLXO.com kishte raportuar me rastin e nënshkrimit të kontratës për blerje të maskave nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë. Në bazë të kontratës së publikuar në platformën për prokurim elektronik do të bliheshin: 4 mijë copë maska me çmim prej 8 euro e 50 centë, të cilat u prodhuan në Kinë. Për blerjen e këtyre maskave do të shpenzohen në total 34 mijë euro; veshje dhe mbrojtëse për tërë trupin të madhësisë XXL, 4 mijë copë. Një e tillë kushton 7 euro dhe kosto e përgjithshme për to kap vlerën 28 mijë euro. Këto produkte janë me origjinë nga Turqia; 2 mijë mburoja për fytyrë në çmim prej 5 euro e 60 centë.

E rasti më i freskët i dyshimit të thellë të korrupsionit vije nga kabineti i Kurtit. Dyshohet se në fondin e Qeverisë së Kosovës për Luginën e Preshevës është e përfshirë drejtpërdrejt këshilltarja e tij Ardita Sinani, ish kryetare e Preshevës.

Kryesuesi i Kuvendit Komunal në Preshevë, Sami Salihu, pak ditë më parë ka drejtuar akuza ndaj Ragmi Mustafit, Shaip Kamberit e Ardita Sinanit. Krejt kjo pasi sipas tij, paratë e ndara nga Qeveria e Kosovës për Luginën po shpërndahen te militantët e politikanëve.

Salihu ka reaguar përsëri në lidhje me fondin 1.2 milion euro që u nda për Luginën.

Ai tha se edhe ish anëtari i kabinetit të këshilltares politike të Kurtit për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, Ardita Sinani, ka fituar mbi 43 mijë euro nga një konkurs i Këshillit Kombëtar.

“Ish anëtari i kabinetit të Ardita Sinanit, në emër të bashkëshortes përfiton 43,135.00€ nga konkursi i Këshillit Kombëtar Shqiptar”, ka shkruar Salihu në facebook.

Duke përmendur aktivistin e PVD-së, Fatos Hysenin, Salihu tha se edhe ai u shpërblye përmes OJQ-së që është e regjistruar në emër të bashkëshortes, shkruan Demokracia.com.

“Në listën skandaloze të përfituesve nga shumat enorme të taksapaguesve kosovar, përmes KKSH-së, gjendet edhe aktivisti i PVD-së, Fatos Hyseni, të cilit aktivizimi dekador, iu shpërblye përmes OJQ-së, të cilën e themeloi në emër të bashkëshortes, në NËNTOR të vitit 2022, pak para shpalljes së konkursit nga KKSH”, ka shkruar Salihu më tej.

Përpos reagimit të tij përmes llogarisë në Facebook, ai ka publikuar edhe një fotografi me mbishkrimin “Hajnia ka emër, Ardita Sinani”, ku duken Sinani bashkë me Hysenin.

Ndërkohë, Kurti në fund të vitit të kaluar “ia lagi fytin” pak edhe Sadri Ramabajës, anëtarit të LVV-së që në opinion paraqitet si analist.

Ramabaja kishte fituar mbështetje financiare në “një tender për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave gjuhësore”.

Ai e kishte konfirmuar marrjen e grantit, por kishte dhënë arsyetimin se shuma ishte e ulët.

”Po kështu më ka njoftuar sekretari, meqenëse shkresën s’e kam marr ende. Jo bre ajo është shumë e vogël, formale, diku 5-6 mijë euro. Për një projekt për të cilin kemi aplikuar, për diku 3 muaj, në të cilin pesë veta do të jenë të angazhuar”, kishte thënë Ramabaja i pyetur për këtë rast.

5-6 mijë euro në fakt nuk janë edhe aq pak. Dhe sidomos, nuk janë pak kur dihet se Ramabaja është pjesë e Vetëvendosjes dhe e mbështet këtë parti vazhdimisht nëpër studio televizive.

Por, çka është portali në fjalë i quajtur “Instituti Shqiptar për Gjeopolitikë”.

Në fakt, Sadri Ramabaja i referohet këtij ‘instituti’ edhe vetë si portal. Këtë organizatë joqeveritare përmes të cilës fitoi para nga Kryeministria e ka hapur në vitin 2021. Ai thotë se ka seli në Prishtinë, por pa treguar specifikisht se ku në Prishtinë.

Po ashtu, ‘Instituti’ në uebfaqen e tij pretendon që është themeluar nga “një grup intelektualësh shqiptarë” por megjithatë nuk shkruhet emri i dikujt tjetër përveç atij të Sadri Ramabajës.

Në pjesën ku tregohet për bashkëpunëtorët, nuk jepet asnjë emër bashkëpunëtori.

Ndërkaq, politika e jashtme që u lavdërua nga Kurti është dështim total, me asnjë sukses dhe me abuzime të shumta, aq sa kryediplomatja Donika Gërvalla i kishte lëshuar kundërligjshëm edhe certifikatë për kryerje të praktikës vajzës së saj, pa qenë asnjë ditë në praktikë aty. /Demokracia.com/

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close