Gjenerali Jackson 1999: Nuk mund ta kuptojë pse të gjitha vrasjet po i vishen UÇK-së
Më 23 korrik të vitit 1999, në Grackë të Lipjanit u vranë 14 serbë. Ky akt i shëmtuar ndaj civilëve serbë konsiderohej edhe si atak ndaj lirisë së Kosovës.
Të parët që dënuan ashpër vrasjet në Grackë ishin Hashim Thaçi dhe Agim Çeku.
Një ditë pas vrasjeve, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Agim Çeku, administratori i OKB-së, Bernard Kouchner dhe komandanti i KFOR-it, Mike Jackson, kishin dalur në Konferencë për Media.
“Fillimisht dua të them se Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe unë personalisht, shumë ashpër e dënojmë veprën kriminale, e cila na ndodhi natën e kaluar. Ne ende nuk e dimë se kush është ekzekutor i kësaj vepre. Sinqerisht, besojmë që këta njerëz nuk kanë të bëjnë me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, po është e sigurt që këta të cilët e kanë bërë këtë vepër nuk ia duan të mirën Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës“, kishte deklaruar Agim Çeku në konferencën për media. https://reuters.screenocean.com/record/983865
Po ashtu, mediat vendore dhe ndërkombëtare publikuan reagimin e Hashim Thaçit, i cili dënoi ashpër vrasjen e serbëve në Grackë të Lipjanit.
Demokracia.com ka siguruar dy deklarata të Samuel Berger, këshilltarit kryesor të Sigurisë Kombëtare të presidentit amerikan, Bill Clinton, sa i përket vrasjeve në Grackë. Njëra ishte publike dhe e deklaruar në konferencë për media dhe tjetra ishte private, të cilën ia kishte dërguar serbit Milenkovich.
Më 26 korrik 1999, Samuel Berger kishte përmendur Hashim Thaçin në konferencë për media.
“Gjatë fundjavës, lideri kosovar Thaçi, dënoi ashpër vrasjet në Grackë“, kishte deklaruar këshilltari për Siguri Kombëtare i presidentit Bill Clinton.
Po ashtu, i njëjti më 7 gusht 1999 i kishte nisur një letër presidentit të Konferencës së Unitetit Serb, Milosh Milenkovich.
Këshilltari i Bill Clinton, Samuel Berger, ishte shprehur qartë se incidentet e dhunës kundër serbëve nuk janë të njëjta me fushatën masive, sistematike kundër shqiptarëve, si dhe kishte përmendur liderët shqiptarë të Kosovës, të cilët janë të përkushtuar për mbrojtjen e serbëve.
“As unë dhe as kjo administratë nuk e falim dhunën në Evropën Juglindore, pavarësisht nëse ajo ushtrohet kundër serbëve apo shqiptarëve. Ndonëse incidentet e fundit të dhunës kundër serbëve nuk janë të njëjta me fushatën masive, sistematike kundër shqiptarëve të nisur nga Millosheviqi, ato janë thellësisht të gabuara dhe të papranueshme. Unë besoj se të gjithë të përfshirët duhet të dyfishojnë përpjekjet e tyre për të ofruar mbrojtje të besueshme për serbët. Gjenerali Jackson dhe liderët shqiptarë janë të përkushtuar ndaj këtij objektivi“, kishte shkruar Samuel Berger në reagimin e tij.
Në raportimin ditor të gazetës QIK, të cilën e ka siguruar Demokracia.com, të datës 24 korrik 1999, thuhej se gjenerali britanik Jackson kishte deklaruar pas vrasjeve në Grackë se nuk mund ta kuptojë pse të gjitha vrasjet po i vishen UÇK-së.
21 ditë para vrasjeve në Grackë, më 2 korrik 1999, Hashim Thaçi dhe përfaqësuesi i Kishës serbe në Kosovë, Artemije, kishin nënshkruar një deklaratë për tolerancë dhe paqe në Kosovë.
“Në veçanti dëshirojmë të ndalim largimin e serbëve e malazezëve nga Kosova dhe civilëve të tjerë nga Kosova dhe të nxisim kthimin e tyre që janë larguar nga Kosova, për këtë arsye ne thërrasim të gjithë, rrini dhe kthehuni në Kosovë. Paqja mund të ndërtohet vetëm me drejtësi e jo me hakmarrje“, kishte deklaruar ndër të tjera Hashim Thaçi, gjatë konferencës për shtyp bashkë me peshkopin serb, Artemije.
Hashim Thaçi në vitin 2016 kur u zgjodh President i Republikës së Kosovës kishte shkuar në fshatin Grackë dhe kishte nderuar 14 serbët e vrarë. /Demokracia.com/