Gjergj Fishta: Kujdes shkjaun, kujdes grekun, kujdes ata që harruan atdheun
AT GJERGJ FISHTA (1871-1940) – Lindi në Fishtë të Zadrimës. Jetën e filloi si bari, por shumë shpejt, kur ishte gjashtëvjeçar, zgjuarsia e tij ra në sy famullitarit të fshatit, i cili e dërgoi në Seminarin Françeskan të Shkodrës. Më 1880 vijon shkollën në Seminarin e Troshanës, ku shfaqi edhe trillin poetik. Më 1886 dërgohet me studime në Bosnjë. Mësimet filozofike i mori në Kuvendin e Sutidkës, ndërsa ato teologjike në kuvendin e Livnos. Studimet i kreu shkëlqyeshëm.
Mënyra e pasqyrimit të jetës, në krijimtarinë e tij, ishte vazhdimi i natyrshëm i teknikës letrare të Rilindjes, ku mbizotëron romantizmi, realizmi dhe klasicizmi. Deri më 1889, Fishta shkruan me alfabetin e françeskanëve. Më 1902 emërohet Drejtor i Shkollës Françeskane në Shkodër, të drejtuar më parë nga klerikë të huaj, ku futi menjëherë gjuhën shqipe si gjuhë mësimi, një akt madhor i tiji.
Fishta i madh është themeluesi i shoqërisë “Bashkimi” në Shkodër (1899), që punoi për shqipen e përbashkët, fjalorin, alfabetin dhe botoi libra me vlerë kombëtare, themeloi revistën “Hylli i Dritës”. Fishta shkroi drama, lirika (melodrama) dhe tragjedi. Më 1904 botoi këngët e para të “Lahuta e Malësisë”, kryevepër e poezisë shqiptare; më 1907 përmbledhjen satirike “Anzat e Parnasit”; më 1909 përmbledhjen lirike “Pika voëset”; më 1909 “Mrizi i Zanave”. Në to konflikti është i ndjeshëm, tonet heroike, karakteret arrihen të skaliten, zotërojnë po atë cilësi që mishëron edhe krijimtaria poetike.
Për Fishtën, gjuha shqipe është pasaportë e gjallë që provon identitetin e të qenit shqiptar.
Nëpër gjuhë shqype mbarë,
ka me ju njoftë se ç’fis ju kini,
a me ju njoftë për shqiptarë,
trima n’za, sikurse jini.
Kjo gjuhë për poetin pedagog është jo vetëm si “kënga e zogut të t’verës”, por edhe “si një ushtimë e një tërmeti”, sepse me këtë gjuhë, thotë ai, edhe Kastrioti u pat fol atyre ushtrive “ngadhënjimtare” që çuditën botën dhe po në këtë poezi ai mallkon rëndë atë bir shqiptari:
Që përbuz këtë gjuhë hyjnore,
qi n’gjuhë t’huej kur s’ashtë nevoja,
flet e t’veten e len mbas dore.
Duke ndjekur traditën e Rilindjes, godet politikën arsimore turke dhe të vendësve fqinj, që synonin të shfrytëzonin në maksimum edhe shkollën si një mjet shumë të efektshëm për shkombëtarizimin e popullit. U përpoq që të forcojë shkollën shqipe, me qëllim që t’i shërbente zgjimit të popullit për të ruajtur identitetin e tij dhe për të gjetur në vetvete forcat e nevojshme për të ecur drejt lirisë, pavarësisë dhe përparimit. Luftoi për të vënë në lëvizje mendimin krijues kombëtar, që pushtuesi kërkonte ta mbyste. Ai i vë gishtin plagës dhe i kushtohet tërësisht luftës për çlirimin e familjes dhe forcave të tjera shoqërore të kohës nga helmi i propagandës shumë të rafinuar të pushtetit, që kërkonte zhvlerësimin e gjuhës dhe shkollës shqipe. Në radhë të parë, ai godet me forcë ftohtësinë e shqiptarëve ndaj dijeve dhe shkollës, kundrejt kësaj të keqeje të madhe që shkonte në favor të propagandës së huaj, që siç dihet ishte shumë e egër.
Vetë shkolla për Fishtën është produkt i gjenit njerëzor. Ai ka besim të plotë, se ajo përpunon dhe zhvillon aftësitë kërkuese, zbuluese, përpunuese e krijuese të mendimit njerëzor, të cilat përbëjnë shpirtin e shkencës. Tek deklarimi i gjenit shpalosen idetë e poetit pedagog për rolin e shkollës në formimin e figurave të shquara botërore dhe kalimin e tyre në përjetësi:
“Mendjen e njeriut n’shkollë unë e mpreha,
Ku kan rritë ata platonët,
E ato shpata me dy teha,
Demostenët e ciceronët,
Edhe të vetmin n’jetë, Homerin
T’cilëve as vdekja s’ka çka u ban”
Kjo është fuqia çudibërëse e “Tempullit të dijes”, siç e quan ai shkollën. Gjeni, që është personifikimi i aftësive mendore të njeriut dhe të gjenialitetit të tij, vazhdon më tej:
Edhe zbuloi ku struket jeta,
Çka asht e mirë e çka ashtë e vërteta,
Bukuria kah buron.
Si poet me diapazon të gjerë krijues, filozof, pedagog, sociolog e diplomat i klasit të parë etj., nuk është kundër kulturës së huaj, as kundër marrëdhënieve të drejta në fushën e shkencës e arsimit me vendet e tjera, por ai është kundërshtar i prerë i përdorimit të shkollës për shkombëtarizimin e një populli, që në kohën e tij përbënte një nga rreziqet me të mëdha për lirinë e vendit tonë. Ai godet edhe ata studentë, që kanë shkuar jashtë për të studiuar dhe nuk tregojnë kujdesin e duhur për të përfituar sa më shumë nga përvoja e vendeve të tjera, për ta vënë atë më pas në shërbim të zhvillimit shqiptar.
Fishta ishte i orientuar nga kultura oksidentale, dihen konsideratat për Gëten, Shekspirin, Danten e shumë të tjerë.
Bashkëkohësit e tij thonë: “Se kur me kalimin e kohës familja shqiptare e mbledhur rreth vatrës plot flakë, do të përmend emrin e fratit poet “Fishta”, figura e këtij do të shkëlqejë më me forcë, sepse atëherë do të jenë zhdukur njëherë e mirë edhe vogëlsirat më të kota të njerëzve. Atëherë jeta e poetit do të bëhet më interesante e më e pasur në kujtime. Këtë përfundim e vërteton dhe fakti, se dikur lihej pa u përmendur emri i tij edhe kur flitej për Kongresin e Manastirit, ku siç dihet, qe firmë e parë, pa bërë fjalë edhe për shumë e shumë raste të tjera”.
Shpalljen e Pavarësisë ai e kishte pritur me entuziazëm të veçantë, por Luftën Ballkanike dhe Konferencën e Ambasadorëve me një brengë të madhe.
Shkodra, qyteti i tij, të cilin kërkonte ta aneksonte Mali i Zi, ishte në duart e fuqive perëndimore. Brenga dhe entuziazmi duken në poezitë, por edhe në shkrimet publicistike që boton në revistën “Hylli i Dritës”, revistë letrare-kulturore, një nga revistat me të mira në historinë e shtypit shqiptar, të cilën e themeloi në tetor 1913 dhe u bë drejtor i saj. Nën pushtetin austriak botoi gazetën “Posta e Shqipërisë” (1916-1917). Më 1916, bashkë me Luigj Gurakuqin, themelojnë Komisinë Letrare, që kishte për qëllim krijimin e gjuhës letrare kombëtare.
Mbarimi i Luftës së Parë Botërore përkon me pjekurinë e plotë të personalitetit të Fishtës si poet, si intelektual, si politikan e atdhetar. Nga fillimi i vitit 1919 dhe gjatë vitit 1920 ishte sekretar i përgjithshëm i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris. Në dhjetor 1920 zgjidhet deputet i Shkodrës. Në prill 1921, në mbledhjen e parë të parlamentit shqiptar zgjidhet nënkryetar. Si nënkryetar i Parlamentit kreu detyra të dendura politike. Merr pjesë në Revolucionin e Qershorit 1924, përndiqet pas rikthimit të Zogut. Vitet 1925-1926 i kalon në Itali, ndërkohë krijon, boton pa reshtur. Të kësaj kohe janë edhe pjesa më e madhe e dramave lirike, tragjedive etj. Pas kthimit në Shqipëri, nis etapa e fundit e krijimtarisë së Fishtës. Kësaj etape i vë vulën përfundimtare botimi i plotë i “Lahutës së Malësisë” (1937).
“Lahuta e Malësisë” është vepër epike, konsiderohet kryevepra e tij, i vetmi epos kombëtar i letërsisë sonë, madje epos i Ballkanit. Nëse do të kërkonim një hero qendror të veprës, ai do të ishte heroi anonim: populli. Këtu qëndron fati i Shqipërisë, prapa simbolit mitologjik “Ora e Shqipërisë”. Dhe sipas besimit shqiptar, rrotull kësaj ore, grupohen orët e fiseve, bajrakëve, trojeve, orët e shtëpive, së fundi orët e çdo luftëtari, të çdo lloj shqiptari. Këto krijojnë ansamblin më simpatik të personazheve mitologjike dhe, përgjithësisht, në vepër përcjellin mesazhin madhor të mbijetesës së shqiptarit dhe kombit të tij, pavarësisht nga befasitë më tragjike të çdo kohe që mund të vijë.
Tema e padrejtësive shoqërore është qendra e tragjedisë “Hajria”. Në shënjestër ai vë dembelizmin, përtacinë, indiferencën e shtetasve, lakminë ndaj kolltukëve, grykësinë ndaj privilegjeve, imitimin banal ndaj perëndimorëve. Ai bën thirrje, që në krye të shtetit të vijnë njerëz të kulturuar, atdhetarë, vizionarë largpamës të shtetit e të kombit, por edhe vërshimet politike, ku shpotit, tall e dërrmon pa mëshirë kundërshtarin.
Njohës i thellë i botës shqiptare, adhuruesi i saj gjer në kult, me kulturë të gjerë e pasione të mëdha, na shfaqet në esetë për Gëten, arkitekturën, muzikën e të tjera. Njohës i latinishtes, greqishtes së vjetër, italishtes, frëngjishtes, gjuhëve sllave, në disa prej të cilave edhe krijoi. Shembull për përkthimin e Homerit, përgjithësisht të poezisë antike e asaj klasike, mbetet kënga V (fragmenti) e “Iliadës” e përkthyer prej tij. Me veprën e tij të gjerë e komplekse, Fishta pasuroi ndjeshëm, në radhë të parë, poezinë, letërsinë dhe kulturën në përgjithësi.
Mbas vitit 1858, Turqia nis të ligështohet. Popujt e Ballkanit i dalin prej dore. Knjaz Nikolla i Malit të Zi synon të shtrijë dorën në pjesën veriore të Shqipërisë, i nxitur dhe i mësuar nga Cari i Rusisë, formojnë çeta cubash. Vjersha nga “Lahuta e Malësisë”:
CUBAT
M’kambë shqiptarët atëherë t’janë çue.
Sa mirë m’armë na janë shtërngue!
T’forti kanë lidhë një besë të Zotit,
Si të parët e lidhshin motit,
N’atë kohë t’Gjergj Kastriotit.
Ball për ball ata tu u vra,
Fyt-a-fyt, ofshe! tu pre!
Tue mbet shakull përmbi dhe,
Mish për shpezë e kaçubeta
Aty shkjaut sulmin kanë thye.
Albanologu Maksimilian Lambervi, personalitet në fushën e Albanologjisë jo rastësisht e përktheu “Lahutën e Malësisë” në gjermanisht, duke e quajtur atë “Homeri shqiptar” dhe veprën e tij “Iliada shqiptare”. Ai e sintetizon veprën e Fishtës, “Lahutën e Malësisë” jo vetëm si rëndësishme në pikëpamje artistike, por si vera e mirë që sa më shumë vjetrohet, aq më shumë vlerë merr, duke qenë se ajo është kopja besnike e jetës, e shpirtit, e dëshirave dhe përpjekjeve, e luftës dhe e vdekjes së shqiptarëve: me një fjalë, “Lahuta” është shprehja më e lartë e dokeve, banorëve të maleve të veriut, që pasoi që prej kohëve të largëta të Iliro-Thrakëve.
Arbëreshi albanolog e me ndikim në Itali, Gaetano Petrotta, shprehej: “Fishta është ndër më të mëdhenjtë atdhetarë, të cilët në kohë të vështira bënë çmos për ta mbajtur gjallë lëvizjen kombëtare kundër dhunës barbare të qeverisë turke, kundër lakmisë dhelparake serbe dhe kundër propagandës greke, kudo që shtrohej At Fishta gjendej aty pranë, e ku me vepra e ku me shkrime, sidomos me poezinë e tij të gjallë, zgjonte nga gjumi më të plogështit dhe mbante gjallë shpresën e ardhmënisë.
Zekeria Cana: “Lahuta e Malësisë” është enciklopedia e kombit. Shqiptarët në Jugosllavi, duke mësuar përmendsh “Lahuta e Malësisë” përvetësuan arsimin kombëtar kur ky mungonte”.
Ernest Koliqi: “Lexoni një varg të “Lahuta e Malësisë”, vërjani veshin kumbimit të tij, vëreni vendosjen e fjalëve në fjali, menjëherë ju rrëmben magjia e tingullit të posaçëm të gjuhës sonë. Ndigjoni në tetërrokëshet e Fishtës jehonën e zanave të tokës shqiptare. Asnjë si Fishta nuk zgjon e i ngacmon brenda nesh tharmet cilësuese, që ndërhyn në vetvete misteri jetik i gjakut arbënuer”.
Lasgush Poradeci e quan Fishtën: “vazhdimtar në vallen e kombit, frymëtar i fjalës, i cili solli dhuratën e vet në adhurimtaren e Atdheut-Shpirt… shkëmb i shpirtit dhe shkëmb i tokës shqiptare”…
– Profesor Aleksandër Xhuvani (në varrimin e tij): “Me të drejtë i kanë thënë Fishtës Tirteu i Shqipënisë, se, sikurse ai me elegjitë e tija ndezi zemrat e spartanëve, njashtu edhe epopeja e “Lahutës”, odat dhe elegjitë e “Mrizit të Zanave” e të poezive të tjera, kanë mbjellë në zemër të djemurisë sonë dashurinë e pamasë për truallin e të parëve dhe për gjuhën amtare. Nji këto dy ideale: atdhedashuria dhe ruajtja e gjuhës, si dritën e synit, lavrimi dhe përparimi i saj kanë qenë polet, rreth të cilave shtrihej gjithë vepra e çmueshme e Fishtës”.
Si t’krishterë, si muhamedanë,
Shqypnin s’bashkut t’gjithë e kanë,
E prandej t’gjithë do t’qëndrojmë,
Do qëndrojmë e do luftojmë.
Kemi me u bashkue kortarë-kortare,
Priftën, fretën, hoxhallarë,
për Shqypni.
Një kolos i vargëzimit dhe një atdhetar i pashoq. Fishta ishte anëtar i Akademisë së Shkencave të Italisë, e njihnin kryesisht si humanist të shquar për kulturën e pa anë e fund, si gjuhëtar, si ballkanolog të shquar, për vargëzimin e rrallë që ishte bërë në fushën e vargëzimit si “Homeri i Ri”, i përkthyer në shumë gjuhë të botës. E njihnin natyrisht edhe për dekoratat e titujt që i ishin akorduar: nga Austria “Ritterkreuz” (1912), Turqia “Mearif” (1912), Vatikani “Medaglia al Merito”, Greqia “Phoenix” (1913). Fishta refuzoi dekoratën e lartë nga qeveria fashiste italiane, akademikët italianë u tronditën, e njihnin për gjithçka, por jo për karakterin e tij. Ndërsa kur e propozuan për anëtar të Akademisë Italiane këtë e priti me nder dhe falënderonte gjithë anëtarët e Akademisë për nderin që i bënë.
– Për inat të Djallit dhe Shqiptarëvet, Zoti ka me e mbajtë Shqypnin më këmbë me nder e me lumni.
– Gjuha shqipe ka aq pasuri fjalësh e është e ardhshme plot gjallëri e jetë, sa mund të përkthesh në të klasikët e çdo kombi dhe çdo kohe.
Profesor Kostaq Çipo: “Në veprat e Fishtës shkrihet në një: atdhedashuria me poetiken”. At Gjergj Fishta: “Kujdes shkjaun, kujdes grekun, kujdes ata që harruan atdheun”. Profesor Plasari: “Mos i japim Fishtës vendin që i takon, por t’i kthejmë historisë së letërsisë atë ç’ka i mungon”./