Gjetjet e UNDP-së: Në 3 vitet e fundit është rritur varfëria në Kosovë, një shtesë prej 10% e familjeve jetojnë me më pak se 2 euro në ditë
“Krahasuar me vitin 2021, në vitin 2023, një shtesë prej 10 për qind të familjeve në Kosovën jetojnë nën pragun prej 1.85 euro në ditë”, thuhet në gjetjet e Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), që lansoi Analizën e Pulsit Publik të titulluar “Shqyrtimi i Dinamikës së Varfërisë së Amvisërive Përballë Inflacionit”.
Analiza, e cila synon të vlerësojë shkallën në të cilën inflacioni ka ndikuar në mirëqenien ekonomike të njerëzve në Kosovë, është bërë përmes anketimit të 1,500 ekonomive familjare dhe hulumtimit të plotë studimor.
Gjetjet tregojnë se shpenzimet për nevojat bazë, duke përfshirë gjërat ushqimore, transportin, shërbimet komunale, shëndetësinë, qiranë dhe shpenzimet e arsimit, janë rritur gjatë tre viteve radhazi.
Sipas gjetjeve, “teksa në vitin 2021, 38.8 për qind e ekonomive familjare shpenzuan 200 ose më shumë euro për gjëra ushqimore kjo vlerë u rrit në 47.8 për qind dhe deri në 59.5 për qind të ekonomive familjare në vitet 2022 respektivisht 2023”.
Raporti thotë se duke i përdorur të dhënat e të hyrave dhe kufirin e varfërisë prej 1.85 euro për person në ditë, shkalla e varfërisë në vitin 2023 vlerësohet të jetë 16 për qind.
10 për qind e ekonomive familjare ishin dukshëm më të varfra në mes të viteve 2023 dhe 2021, duke treguar një rënie në krahasim me vitin e kaluar.
“Krahasuar me vitin 2021, në vitin 2023, një shtesë prej 10 për qind e familjeve të anketuara jetonin nën pragun prej 1.85 euro në ditë, kur merren parasysh të dhënat për rritjen e çmimeve”.
Studimi gjen po ashtu se inflacioni ka ndikuar në mirëqenien mendore dhe sociale, duke shkaktuar ndërprerje në aktivitetet rutinore dhe rritje të stresit, duke çuar në cilësi më të ulët të jetës.
“46 për qind e të respodentëve deklaruan se stresi dhe ankthi i tyre janë rritur si rezultat i rritjes së çmimeve”.
Kurse “69.2 për qind e të anketuarve raportuan se duhej t’i përshtatnin zakonet e tyre të shpenzimeve ose buxhetin në përgjigje ndaj çmimeve më të larta vitin e kaluar”.