fbpx
Lajme

Gjykata Speciale, dëshirë e realizuar e Beogradit dhe vartëseve të tyre në Prishtinë

Azdren Shala

Teksa po dëgjoja seancën e gjykimit të dy ish komandantëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nasim Haradinaj dhe Hysni Gucati, përveç neverisë që të shkakton një proces i tillë i padrejtë, pashmangshëm mendja shkon kah një reflektim për të kaluarën, për t’u rikthyer përsëri në sallën e gjykimit edhe për ta dëgjuar deri në fund marrëzinë e procesit.

Efekti i parë që të shkakton një reflektim i tillë i shpejtë është habia e madhe se si ka mundësi që ky gjykim po ndodh njëmend. Një mendje normal nuk arrin ta kuptojë se si viktima e një lufte trajtohet si vrasësi i vet. Si ka mundësi që këta djem që dikur kërkonin vetëm “liri”, të ofendohen deri në atë pikë sa që detyrohen të deklarohen që “jemi të pafajshëm”.

Ky degradim, ku viktima obligohet të provojë pafajësinë, tregon mbase qëllimin e vërtetë të kësaj ngrehine gjykuese. Pra, askush nuk interesohet për krimet eventuale që mund të jenë kryer në luftën e vitit 1998/99 në Kosovë. Kjo gjykatë e ka një qellim tjetër – denigrimin e asaj lufte. E kjo bëhet më së miri duke i denigruar krerët e asaj strukture ushtarake.

Përveç trajtimit absurd që po u bëhet tashmë krerëve të UÇK-së, fakti tjetër që qëllimi i vërtetë është që të denigrohet lufta e drejtë e tyre, doli padashur në një nga seancat dëgjimore të Nasim Haradinajt. Mes tjerash, gjykatësi ngreh pyetjen: A konsiderohet tradhti në Kosovë nëse thuhet që UÇK-ja ka bërë krime?

Kjo pyetje shpalos pa dashur në fakt krejt qëllimin e vërtetë të Gjykatës Speciale – UÇK-ja të etiketohet organizatë kriminale, bashkë me të edhe lufta e shqiptarëve për çlirim të trajtohet si një rebelim i një entiteti që refuzon të jetojë në shoqëri me rregulla.

Sigurisht një etiketim i tillë nuk është as qëllimi e as dëshira e faktorit ndërkombëtar. Por, është qëllim dhe dëshirë e disa qarqeve si brenda, ashtu edhe jashtë vendit.

Por ku është origjina e kësaj ideje që lufta e drejtë e UÇK-së të baltoset deri në atë pikë sa që krerët e saj të trajtohen si kriminelë lufte?

Dihet mirëfilli, se pas çlirimit të Kosovës në qershor të vitit 1999, paslufte skenën publike e dominonin dy kategori shoqërore. Njëra ishte ajo e krahut të luftës dhe tjetra kryesisht e përbërë nga jugonostalgjikë. Të parët u fragmentuan çdo ditë e më shumë për shkak të luftës për pushtet. Te dytët duke ndjerë humbjen e privilegjeve nga e kaluara punonin heshtur për të ardhmen. E në këtë drejtim armiku ishte aura e njerëzve që e bën luftën. Kjo kategori erdhi duke u zgjeruar çdo ditë. Brenda këtij qerthulli operonin edhe të tjerë që nuk ishin jugonostalgjikë, por ishin anti-UÇK. Kështu nostalgjikët e sistemit, snobistët e pacifistë u gjenden në një kamp. Ishte i pashmangshëm rreshtimi sepse “armiku” ishte akoma i fuqishëm.

Me fillimin e gjykimeve për krimet e luftës në ish Jugosllavi nga Tribunali i Hagës, u ftuan edhe disa krerë të UÇK-së, si Fatmir Limaj e Ramush Haradinaj. Dhe, përderisa në Hagë ata po gjykoheshin, në Prishtinë, ky rast u bë momenti ideal që UÇK-ja të akuzohej edhe publikisht. Tashmë, nuk kishte nevojë për maska. Filloi edhe një fushatë sistematike kundrejt çlirimtarëve. Si të thuash, slogani i tyre, edhe pse pa e deklaruar asnjëherë, ishte “Të çlirohemi prej çlirimtarëve”.

Këtë mision për “çlirim” e çoi në dimensione të larta Veton Surroi me librin e tij ‘Këmbët e Gjarprit’. Përmes këtij libri, Vetoni sulmonte të kaluarën duke dashur që të minojë të ardhmen e atyre që vërtet e bën luftën. Sigurisht, libri u përkthye dhe u shitë edhe në Beograd, aty ku tashmë kishte filluar prej kohësh të përgatitej gjetja e provave që dëshmojnë se UÇK-ja ishte organizatë kriminale. Është koincidencë apo jo, që aksioni po kryhej në kohë reale edhe në Prishtinë, edhe në Beograd? – kjo mbetet për t’u parë. Por, rezultati – UÇK-ja organizatë kriminale – që i kënaq edhe ata në Beograd edhe këta në Prishtinë njëjtë, nuk ka shumë dyshime.

Heretiku i vetëquajtur, Veton Surroi, që guxoi ta denonconte hapur mitin e luftës së UÇK-së, hapi rrugë, jo vetëm për denoncime, por klima opinioniste degradoi deri në atë pikë sa që, epitetet, kriminel e tradhtar dukeshin tashmë normale në veshin e qytetarëve. E për këtë gjë u kujdesën shumë mirë dy parti politike në Kosovë, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje.

E para e riktheu edhe më fuqishëm akuzën e vjetër, përndryshe krejt bajate, të vrasjes së zyrtarëve të saj pas luftës, e ku direkt akuzoheshin strukturat e dala nga lufta. E dyta, e fshehur pas petkut të subjektit që shqetësohet për fatin e UÇK-së, pikërisht aty e bënte goditjen më të ultë ndaj krerëve të luftës. Retorika e këtij subjekti për disa vite me radhë ndërtoi portretin e një ushtari tjetër. Tashmë ushtari i UÇK-së nuk ishte djali idealist që pranon të vdes për liri, por njeriu primitiv i cili u rebelua sepse nuk i duronte rregullat dhe ligjet. Kështu në vend të idealistit shihej oportunisti, në vend të patriotit shihej tradhtari.

Kjo retorikë e ashpër u vazhdua edhe në qeverisje kur kryeministri Kurti që kishte premtuar se nuk do i dorëzonte krerët e luftës, “ndryshoi” qëndrim dhe rekomandonte që Hashim Thaçi të shkonte në Gjykatë Speciale. Kështu, bashkë me rënien e maskave, ministrja e Kurtit deponoi edhe padi kundër krerëve të luftës në dhoma të specializuara. Këshilltari i tij denonconte haptas në revista e studio televizive, sa që u bë edhe referencë për vetë prokurorinë speciale.

E gjithë fushata e orkestruar për disa vite rresht, arrestimin e krerëve të luftës çlirimtare e beri të dukej si diçka normale, madje një pjesë e shoqërisë aq keq kishin rënë pre e fushatave linçuese, sa që arrestimi i Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasnqit u përjetua si çlirim.

Tashmë jugnostalgjiket po frymojnë lirshëm. Projekti i tyre për ta fundosur UÇK-në ka marrë formë – Gjykata Speciale. Komplekset nga e kaluara e tyre e dyshimtë po shërohen duke e relativizuar edhe vetë çlirimin e Kosovës si arritja më e madhe në njëqind vitet e fundit. Shpifjet e tyre janë bërë aktakuza. Ndjekësit e tyre janë bërë dëshmitarë. Me fjalë tjera, Gjykata Speciale është realizimi i një dëshire dhe projekti të gatuar në Beograd dhe i mbështetur në Prishtinë.

Krime në luftën e fundit në Kosovë edhe mund të jenë bërë, por provat se ato krime janë bërë nga një strukturë e organizuar mbrapa të cilës qëndronin krerët e UÇK-së nuk ekzistojnë. Tek ata burra, ekziston vetëm një dëshirë, të marrin mbi supet e veta të gjithë peshën e mëkatin që mund ta kenë bërë të tjerë për ta mbrojtur edhe një herë të drejtën e popullit të tyre. Prandaj vetëkryqëzimi do t’i nxjerrë fitues, sikurse Krishti që fitoi përjetësinë duke marrë me vete krejt peshën e mëkatit, edhe këta burra fatkeqësinë tyre do ta ripërdorin përsëri e përsëri në mënyrë që njerëzit e tyre të jenë fitues dhe të pastër.

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close