fbpx
Lajme

Dëshmitari “F”: Salustro përpiloi deklaratën time për të m’i përmbushur premtimet e mia

Viti 2014 / Deklarata e dëshmitarit për montimin e deklaratave nga prokurori kryesor i EULEX-it për krime lufte z. Salustro i cili pastaj kishte gjetur punë në Serbië.

Në Gjykatën Themelore në veri të Mitrovicës, po vazhdon sot seanca gjyqësore ndaj “Grupit Drenica”. Dëshmitari i koduar me emrin F sot ka vazhduar dëshminë e tij, e cila është përcjellë me shumë kontradikta, pasi që deklarata e tij ndërron shumë prej asaj që kishte deklaruar për prokurorët e EULEX-it.

Sot ka vazhduar dëshminë e tij dëshmitari i mbrojtur, i koduar me shkronjën F. Ai sot ka ndërruar fjalët duke thënë se disa prej të akuzuarve kanë pasur sjellje të mira me të, edhe pse para prokurorëve të EULEX-it kishte deklaruar të kundërtën, raporton Kallxo.com.

Dëshmitari F ka deklaruar se ish-prokurori Maurizio Salustro ia kishte përpiluar si kishte dashur deklaratën e tij.

Edhe pse është dëshmitar i mbrojtur dhe duhej të dëshmonte me anë të video-lidhjes, “Dëshmitari F” është paraqitur në sallën e gjykimit, duke kërkuar të dalë publikisht para palëve.

Mahmut Halimi, avokati i Ismet Haxhës kërkoi të dijë nga dëshmitari nëse prokurorët e EULEX-it i kishin kërkuar ndonjëherë ta përshkruante fizikisht klientin e tij. Dëshmitari kësaj pyetje iu përgjigj me “Jo”.

Halimi pastaj e pyeti “F-në” a është ky personi që ju ka arrestuar, duke bërë me gisht drejt të mbrojturit të tij Ismet Haxhës.

“Jo asnjëherë nuk e kam pa këtë njeri”, tha dëshmitari, edhe pse para prokurorëve të EULEX-it kishte deklaruar se Haxha ishte njëri nga ata që e kishte arrestuar, për ta dërguar më pas drejt Likovcit.

Prokurori Michalczuk ia kujtoi dëshmitarit pjesën e deklaratës në prokurori, ku përmendej Haxha.

“Pas arrestimit tim në veturë kanë qenë Ismet Haxha dhe një person i quajtur me emrin Hamza. Personi me emrin Hamza m’u ka drejtuar duke më thënë: ‘ku je shpihuni i Serbisë dhe a ke menduar se nuk do të zëmë kurrë’”, kishte thënë “Dëshmitari F” para prokurorëve të misionit evropian.

Ai në deklaratë kishte treguar edhe se si i ishte përgjigjur “Hamzës” dhe çfarë kishte bërë i akuzuari Haxha.

“Unë ia kam kthyer se po të isha spiun i Serbisë, atëherë ti do të ishte dhjetë herë më i madh se unë. Dhe në këto momente Ismet Haxha e ka nxjerrë revolen dhe më ka qëllu, duke më goditur në kofshën e djathtë”.

Në seancën e sotme “Dëshmitari F” mohoi këtë deklaratë.

“Unë për këtë nuk e di çka ju po thoni, sepse Salustro dhe zëdhënësi i tij Alberto këtë e kanë shkruar vetë. Më kanë thanë: ‘Kjo është mënyra e vetme që ti duhesh të deklarosh kësisoj që na me pasë ku me u kapë për t’i arrestuar këta”, tha “Dëshmitari F”.

Prokurori ia kujtoi edhe një pjesë të deklaratës.

Në një dëshmi ti ke thënë se: “Avni Zabeli, Sami Lushtaku, Sahit Jashari, Gjevë Lladrovci dhe tre ushtarë të tjerë të maskuar kanë hyrë në dhomën time dhe këta tre ushtarët e maskuar në prezencën e këtyre të përmendurve më kanë keqtrajtuar, duke më thënë se pse nuk i ke shënuar emrat e bashkëpunëtorëve të UDB-së së Serbisë”, citoi prokurori deklaratën e “F-së”.

“Edhe këtë e ka përpiluar Salustro për të m’i përmbushur premtimet e mia”, tha dëshmitari F.

Kryetari i trupit gjykues, Darius Silicki e pyeti dëshmitarin se çfarë i kishte premtuar Salustro.

“Më ka thënë se do të më marrë dhe do të më dërgojë jashtë Kosovës dhe se do të më ndihmojë që gruaja ime ë shërohet për shkak se vuan nga kanceri”, u përgjigj dëshmitari.

Por dëshmitari, duke iu përgjigjur pyetjeve të avokatëve të të akuzuarve, nuk kishte si t’i ikte faktit se ishte plagosur. Tregoi se ishte dërguar në një spital ë improvizuar.

Arian Koci, avokati i Sami Lushtakut e pyeti dëshmitarin nëse gjatë kohës sa qëndronte në spitalin e improvizuar ishte vizituar nga i mbrojturi i tij.

“Po më ka vizituar dhe është interesuar për shëndetin tim”, tha dëshmitari, duke lavdëruar për sjellje të mirë dhe dërgim ushqimi edhe të akuzuarit Sahit Jashari e Avni Zabeli.

Prokurori e pyeti dëshmitarin se pasi po thua që të akuzuarit janë sjellë mirë dhe nuk ke qenë i lidhur dhe i ruajtur nga pjesëtarë të UÇK-së, pse nuk ke shkuar ta vizitosh familjen, ose t’u kërkosh të akuzuarve që ta njoftojnë familjen tuaj se jeni i plagosur?

“Nuk ka pasur kush të vijë të më vizitojë, pasi që vëllai im në atë kohë ka qenë në Zvicër dhe se të tjerët nuk kanë mundur ta vizitojnë”, tha dëshmitari.

Seanca do të vazhdojë sërish me dëshminë e Dëshmitarit F pas pauzës, raporton Kallxo.com. 

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close