Goxhaj: Mali i Goleshit maj 1999, sulmi dhe asgjësimi i bazës së raketave serbe
Mesnatën e 20-21 majit 1999, Dilaver Goxhaj(i njohur në luftë me pseudonimin Shpëtim Golemi) ndodhet në drejtim të forcave të UÇK-së në sulmin e organizuar nga forcat e Zonës Operative të Drenicës dhe të Pashtrikut kundër një baze raketash kundërajrore në shpatin e malit Golesh. Falë befasisë, koordinimit të veprimeve luftarake, forcat e UÇK-së arrijnë të asgjësojnë bazën duke vrarë 4 ushtarë serb, e duke siguruar sasi të konsiderueshme municionesh të artilerisë e të armëve të këmbësorisë…
Mali i Berishës, Divjakë, 21 Maj 1999. Në orët e mesnatës të datës 19 për 20 maj 1999, nëpërmjet një sulmi të kombinuar midis forcave të Zonës Operative të Drenicës dhe asaj të Pashtrikut, u sulmua një bazë raketash kundërajrore në shpatin e malit Golesh, ku u asgjësua e gjithë truproja e përbërë nga katër ushtarë dhe u morën nga ana e jonë mbi tre ton municione të ndryshme xheniere si dhe të armëve të këmbësorisë. Për sa u përket municioneve raketë e atyre të artilerisë me larghedhje të madhe, u asgjësuan.
Në shenjë hakmarrjeje, në orët e para të datës 20 maj 1999, forcat serbe ndërmorën një sulm në front të gjerë, duke kaluar në mësymje në tre drejtime: Banjë–Kravasari; Malishevë–Gajre; dhe Dragobil–Morali. Të gjitha forcat mbështeteshin me tanke dhe artileri.
Qysh në minutat e para të fillimit të sulmit nga forcat serbe, ato ranë nën zjarrin e fuqishëm të forcave të Brigadës 123 të Zonës së Dytë Operative. Luftimet zgjatën më shumë se tre orë dhe armiku nuk mundi të përparonte në të tre drejtimet dhe, si rrjedhojë, u detyrua të tërhiqej, duke i grumbulluar të gjitha forcat në qytetin e Rahovecit…
Në fshatin Mihaliç, i cili përfshihet në aktivitetet e Zonës Operative të Shalës, një grup paramilitarësh ish futur dje në atë fshat dhe po bënte plaçkitjen e shtëpive që janë boshatisur qysh para dy muajsh, si rrjedhojë e dhunës së policisë e ushtrisë serbe. Me t’u diktuar nga vrojtuesit e Br. 142, u dërgua një njësit dhe pasi u rrethuan u asgjësuan tërësisht, të cilët ishin rreth 20 vetë…
Në zonën Operative të Dukagjinit, Br.138 sulmoi një kompani të ushtrisë serbe në afërsi të fshatit Batushë, ku u asgjësuan 14 ushtarë serbë, midis të cilëve ishte edhe një kapiten rus, i cili, gjykuar nga dokumentet e kapura, kish qenë edhe në luftën kundër popullit çeçen. Në momentin kur ai u kap ishte i plagosur rëndë. Edhe pse iu dha ndihmë mjekësore, pasi për ne kish interes ta kishim të gjallë, ai vdiq pas një ore. Të gjitha kufomat e të vrarëve u groposën nga forcat tona, pasi forcat serbe u tërhoqën në panik dhe nuk mundën me i tërheq trupat e të vrarëve të tyre…
Edhe në Zonën Operative të Llapit dje pati disa sulme kundër forcave serbe në fshatin Rep i Ulët, Orllan, Dyz dhe Siçevë, kryesisht nga forcat e Br-153. Si rrjedhojë e sulmit të befasishëm të forcave tona, në këto katër pika, u vranë 19 ushtarë serbë, ndërsa nga forcat tona patëm vetëm një të vrarë dhe një të plagosur.
EDHE KËSHTU NDODH NË LUFTË
(Rrëfim i veçantë i Zymer Arifit. Pjesë nga ditari i luftës, Jezercë, Mëhalla e Sylajve, 15.4.1999)
13 prill 1999. Forcat e Brigadës 123 UÇK, pasi ndaluan në shpinë të forcave serbe, të cilat luftonin në Zonën e Pashtrikut, në vijën: Bllacë-Banjë, filluan të bënin pastrimin e rajonit të Pagarushës nga forcat e ndryshme serbe, që po digjnin fshatrat me radhë. Popullsia ishte zhvendosur në malet e Cërnalevës. Zymer Arifaj, 50 vjeçar dhe Osman Fondaj, të dy efektivë të batalionit të tretë të asaj Brigade, kur mbërritën në fshatin Semetisht gjetën disa kufoma civilësh të vrarë, të cilët edhe i njohën se kush ishin. Njëra prej tyre ishte kufoma e Enver B. Bytyçit nga fshati Peçan. Pasi bënë varrosjen e të vrarëve të fshatit Semetisht, kufomën e Enverit vendosën ta çonin në fshatin e vet, në Peçan, i cili është edhe fshati i tyre. Mirëpo,kur mbërritën, i zuri errësira. Për këtë arsye vendosën që varrimin e tij ta bënin ditën e nesërme.
Me të aguar, filluan kontrollin e fshatit. Në të dalë të tij dëgjuan zëra njerëzish dhe pas pak u bindën se kishin të bënin me ushtarë serbë. Për të mos u ndeshur me ta, futen në oborrin e shtëpisë më të afërt. Edhe aty ishin vendosur ushtarë serbë. Në oborr të dy palët u përballën para njëra-tjetrës. Serbët menjëherë vrapuan tek armët. Osmani, i cili për momentin e kishte armën në dorë, shtiu mbi ta dhe vrau njërin prej tyre. Në çast njëri prej ushtarëve serbë mbërriti te mitralozi dhe filloi të hapi zjarr kundër tyre. Osmani, me shkathtësi del nga porta dhe largohet nga fshati. Zymeri, duke qenë edhe moshë e thyer, vendosi të futej brenda në shtëpi, duke shfrytëzuar faktin që serbët ishin të përqendruar te Osmani dhe nuk e diktuan. Ushtarët serbë dolën në rrugë dhe filluan të shtinin në drejtimin nga iku Osmani.
Ndërkohë, një prej ushtarëve serbë, i cili ndoshta deri atëherë kishte qenë në gjumë, filloi të shtinte me armë në drejtim të portës së oborrit nga ku dolën shokët e tij. Sakaq, njëri prej shokëve të tij u këput në tokë. Porsa shokët e tjerë të tij futen te porta në oborr, e këputi dhe një tjetër. Zymeri i pa të gjitha këto veprime, pasi qe ngrit në katin e dytë të godinës, i cili ishte pjesërisht i djegur dhe i pabanuar. U fsheh pas derës së dhomës ku hyni. Pas pak ngjisin shkallët edhe dy ushtarë serbë dhe futen po në atë dhomë, të cilët bisedonin me njëri-tjetrin se ishin dy “terroristë”, duke shprehur edhe dyshimin se njëri prej tyre mund të ishte futur edhe në atë shtëpi. Filluan kontrollin, duke dalë nga dhoma, të cilën e konsideruan të kontrolluar. Pasi zbritën poshtë dhe u bashkuan me të tjerët, filluan të grinden me njëri-tjetrin se kush i vrau tre shokët e tyre. Zymeri duke dëgjuar, pati vendosur që, po ta diktonin të hapte zjarr dhe të vriste sa mund të vriste prej tyre, pasi veten e llogariste të vrarë.
Çuditërisht, pas disa orësh, tre ushtarë serbë ngjiten përsëri lartë dhe, me të mbërritur në korridorin e katit të dytë e filluan nga e para analizën e ngjarjes, duke pyetur njëri tjetrin se ku shkoi terroristi tjetër, nga hyri, nga doli dhe më në fund dolën në përfundimin dhe ranë dakord që: “Në rast se na pyesin se si u vranë tre ushtarët, do t’u themi se i vranë terroristët. Dogovoreno?” “Dogovoreno!”. Kështu kaloi gjithë dita për Zymerin, në këmbë, prapa derës, pa lëvizur as qepallat.
Sa filloi të bjerë muzgu, ushtarët serbë ndezën motorin e dritave dhe filluan të merreshin me përgatitjen e darkës. Të gjitha veprimet i kryenin në katin e parë. Zyberi, duke përfituar nga zhurma e agregatit, duke shfrytëzuar një vrimë muri të shkaktuar nga goditjet e mëparshme të artilerisë kur u dogj fshati, zbriti nga prapa shtëpisë, kaloi murin e oborrit, doli në rrugicë dhe shkoi tek shtëpia tjetër më e afërt për të pushuar. I kishin shterur të gjitha forcat. U shtri të pushonte ku ende nuk e di as vetë dhe tani. Ndjehej i lodhur e i dërmuar nga të qëndruarit dhjetë orë në këmbë dhe palëvizur vendit.
Ushtarët serbë filluan të shtinin në ajër, veprim të cilin e kryenin metodikisht çdo ditë porsa fillonte errësira. Mirëpo Zymeri kujtoi se e kishin diktuar. Prandaj e la atë shtëpi dhe kaloi në një shtëpi tjetër, duke u fshehur në tavanin e saj. I tërhoqi edhe shkallët lart në tavan, dhe prej plasaritjeve të tjegullave, përpiqej të vrojtonte lëvizjet e serbëve. Këtu qëndroi derisa u bë errësirë e plotë dhe prej andej zbret dhe shkon në shtëpinë e tij, me qëllim që të nxirrte bagëtitë jashtë për të kullotur, ngaqë kishin disa ditë brenda, pa u ushqyer. Pastaj vendosi të pushonte. Pasi e mori pak veten, niset nëpër errësirë dhe vjen në Semetisht, ku na tregoi ngjarjen që i pat përjetuar.
Ne e dinim të vdekur, sipas tregimit që na pat bërë Osmani, i cili ishte kujtuar për të pasi kish dalë nga rrezja e zjarrit të automatikëve të ushtarëve serbë, atëherë kur nuk e pa Zymerin që ta ndiqte pas. Por ja që Zymeri nuk qe diktuar. “Domethënë ti Zymer i vrave dy serbë”, e ngacmonin shokët me shpoti. “Jo besa, nuk shkreha asnjë plumb. Ata u vranë mes veti. Unë veç u shtina fesatin”, përgjigjet qetë, qetë Zymeri.
STALLOVË, MALËSIA E GOLLAKUT
(Plotësim në ditar…)
Stallovë, Malësinë e Gollakut, 2 Maj 2003. Sot, në 2 maj 2003, isha i ftuar të përshëndesja në mitingun ”Ditët e Krenarisë së Gollakut”‘, në Stallovë të asaj Malësie, në emër të ish Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe vullnetarëve nga Atdheu amë, meqenëse komandanti i Brgadës 153, z. Adem Shehi, vinte po nga shteti amë si dhe unë, e cila ishte kompletuar me bij dhe bija të kësaj malësie. Është kënaqësi shpirtërore kur krahina përkujton dhe feston ditët e fitoreve dhe jo ato të humbjeve, sikundër po veprohet në disa raste. Kjo është një veçori, që deri tash, e bën vetëm krahina e Malësisë së Golakut.
Meqenëse fjalën përshëndetëse e fillova me veçori, u përpoqa që të paraqisja edhe disa veçori të tjera, që e karakterizojnë Malësinë e Gollakut, nga pjesët e tjera të Kosovë. Nëpërmjet këtyre krahasimeve, nuk kisha për qëllim të futesha në hollësira, në historinë e lashtë të kësaj krahine, por, për ato veçori, që unë i kam përjetuar vetë, gjatë luftës së fundit për çlirim dhe pas saj.
Veçoria e parë ka lidhje me një sekret të periudhës së luftës, në gjysmën e parë të vitit 1999, kur luftohej kundër pushtuesve fashistë serbë. Sekreti qëndronte në atë se, sa herë Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së planëzonte ndarjen e ndihmave logjistike për Zonat Operative dhe Brigadat e tyre, për Brigadën 153 të UÇK-së nuk parashikohej kurrë ndihmë-logjistike. Gjithkush do të bëjë pyetjen logjike: Pse kështu? Atë do të tregoj. Brigadës 153 nuk iu parashikua as edhe një herë ndihmë në armatim e materiale të tjera logjistike, sepse të gjithë e dinim se popullata e kësaj malësie nuk u largua as edhe një herë nga këto male. Ajo vendosi ta ndante fatin e saj me bijtë dhe bijat e saj, që patën rrëmbyer armët për tí dalë zot vetes dhe popullit të malësisë së Gollakut, këtij populli që i rriti e i mëkoi me dashurinë për Kosovën dhe, që kishin formuar Brigadën 153 të UÇK-së.
Kjo ishte arsyeja, që në atë shtab thuhej se, Brigadës 153 nuk ia kemi merakun, pasi atje është i gjithë populli që e ndihmon Brigadën dhe me ndihmën e popullit ajo Brigadë do tí siguroi jo vetëm nevojat e përgjithshme për jetesë, por edhe armatimin e municionin, të cilin do t’ia marrin armikut. Ashtu ishte dhe ashtu ndodhi. Ndodhi ashtu sepse ky popull u ngrit i gjithi në kryengritje nga, që kish vuajtur shumë. Ai që vuan, rritet dhe formohet pa paragjykime. Si të tillë, ky popull rrëmbeu armët, pa pyetur se kush është në krye të asaj Ushtrie Çlirimtare. Vetëm të vuajturit e rrëmbejnë armën, pasi ata nuk kanë se çfarë humbasin nga lufta e armatosur. Vuajtjet u patën krijuan këtij populli bindjen se vetëm me trimëri shtyhet vdekja dhe sigurohet mbijetesa. Kjo bindje e mobilizoi këtë popull që bëri qëndresë të armatosur. Duke bërë atë qëndresë, ky popull bëri heroizëm. Nëpërmjet asaj qëndrese, këta njerëz heroikë i qëruan njëherë e mirë hesapet me frikën, duke u shndërruar në popull trim dhe popull hero. Këtu qëndron shpjegimi i asaj se, pse popullata e Malësisë së Gollakut, nuk u shpërngul për në Shqipëri, sikundër bënë shumë qytete dhe fshatra të Kosovës, ndaj përulemi me respekt para heroizmit të popullsisë së Gollakut.
Një veçori tjetër e popullsisë së malësisë së Gollakut është thjeshtësia e tyre. Këtë thjeshtësi e manifestuan bijtë e tyre, të cilët u drejtuan në luftë. Shihni zëvendësit e komandant Ademit, Fatmir Sopin, Rahman Dinin, (i cili fatkeqësisht u nda nga jeta), Sejdi Veselin e të tjerë, që me thjeshtësinë e tyre u shndërruan në qytetarë simpatikë për tërë popullin e Kosovës. Ata nuk kapardisen, janë njësoj si populli i Malësisë së Gollakut.
Gollaku pati edhe një veçori tjetër, si asnjë krahinë tjetër e Kosovës. Në luftën e tyre të armatosur morën pjesë me armë në dorë edhe pasanikët më të mëdhenj të kësaj malësie, e ndoshta edhe të Kosovës. Njëri prej tyre është Ismet Asllani-Prapashtica, i cili dha edhe jetën për lirinë e Kosovës, si dhe Selim Pacolli, të cilët mund të mjaftoheshin vetëm me ndihma financiare e materiale për luftën dhe përsëri do të ishin të nderuar. Por, Jo. Ata rrëmbyen edhe armën dhe u rreshtuan në vijën e parë të frontit. Këtë heroizëm e gjetëm te popullsia e Malësisë së Gollakut, e cila i bën nder tërë kombit.
Veçoria e fundit që vlen të theksohet për këtë popull, për të cilën më gëzonte shpirti që m’u dha rasti ta përmend para gjithë atij populli, është ajo që, kjo popullsi është e vetmia deri sot, që në festat e përvitshme, në kujtim dhe nderim të asaj lufte, fton edhe përfaqësuesit e vullnetarëve nga Atdheu Amë, Republika e Shqipërisë, që u rreshtuan me armë në dorë në radhët e UÇK-së. Vetëm trimat i nderojnë trimat. Këtë nderim nuk na e ka bërë, deri në këtë ditë, asnjë forcë politike shqiptare e Kosovës, asnjë institucion shtetëror i Kosovës, asnjë politikan i saj, asnjë ish drejtues i UÇK-së, asnjë shoqatë qeveritare dhe jo qeveritare e Kosovës, as Shoqata e Veteranëve të asaj lufte, përveç luftëtarëve dhe përfaqësuesve të krahinës së Malësisë së Gollakut.
Me këtë veprim ata nderojnë sakrificat e tyre dhe gjakun që derdhën 35 dëshmorët të Brigadës së djemve e vajzave të tyre dhe të mbi njëqind vullnetarëve, që erdhën nga Atdheu amë, me në krye Tahir Sinanin-Tropoja, Indrit Carën-Kavaja, Astrit Sulin-Berati, Skerilajd Llagamin-Tirana, e plot të tjerë. Me këtë veprim ata nderojnë dhe respektojnë sakrificën e atij populli të Atdheut amë, i cili, edhe pse tejet i varfër, priti, strehoi dhe ushqeu rreth 600 mijë shqiptarë të Kosovës, që u shpërngulën me dhunë nga trojet e tyre stërgjyshore, që po të krahasohet me numrin e popullsisë së Republikës së Shqipërisë, është njëlloj sikur të priste Republika e pasur Federale Gjermane 29 milionë refugjatë, në një intensitet të ngjeshur kohor brenda dy javëve. Dhe këtë strehim e rregullim në Shqipëri e bëri populli…
Ky respekt që tregon populli i Malësisë së Gollakut ndaj nesh, jo vetëm që i nderon, por njëkohësisht edhe i fisnikëron më tepër, dhe… është mësim për të tjerët. Me këtë veprim ata e lartësojnë edhe më shumë veten, nderojnë tërë popullin shqiptar të Kosovës dhe u tregojnë të tjerëve se ata janë popull mirënjohës dhe jo bukëshkalë si ata që përmenda më lartë.
Prandaj, kushdo që mundohet të hedhë baltë mbi UÇK-në dhe luftëtarët e saj, e ka të kotë, pasi aq sa mund ta zhdukin mjegullat malin, aq mund ta eliminojnë thashethemet dhe shpifjet UÇK-në heroike.
Të gjitha këto çka përmenda, më shtyjnë ta mbyll këtë meditim me fjalët lapidar, që janë shkruar në atë përmendore që u inaugurua sot, në nderim të heroizmit të bijve të atij populli: “Lavdi heroizmit të këtij populli dhe luftëtarëve të Brigadës 153 të UÇK-së, që me sakrificat dhe gjakun e tyre i sollën lirinë Kosovës”.
NESËR DO TË LEXONI:
-Rrëfimi i kolonel Dilaver Goxhajt: Lufta e forcave të UÇK-së kundër 3 mijë forcave serbe të shoqëruar me tanke më 8 prill 1999 në rajonin e Pagarushës dhe bilanci i saj.
-Si rrethuam dhe asgjësuam 20 persona të repartit paramilitar serb në fshatin Mihaliç, të Zonës Operative të Shalës që kishin djegur të gjitha shtëpitë deh pronat e banorëve.
-Sulmet në zonën e Llapit ku mes 19 të vrarëve serbë, ishte dhe një oficer (kapiten) rus që kishte luftuar dhe në Çeçeni.