Hamiti: Është krijuar perceptimi se Kosova s’është e gatshme për dialog, ndërsa Serbia po
Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Muhamet Hamiti, ka thënë se është krijuar perceptimi se Kosova nuk është e gatshme për dialogun Kosovë-Serbi me anë të deklarimeve të Qeverisë se bisedimet janë prioritet i gjashtë apo shtatë i saj.
I ftuar në emisionin Interaktiv të KTV-së të martën, Hamiti ka shtuar se Serbia nuk është e gatshme për një zgjidhje përfundimtare, por se ka krijuar përshtypjen që ndryshe nga Kosova, është e gatshme.
Sipas Hamitit, Kosova duhet të kërkojë që të vazhdojë dialogu sepse status-quoja nuk i konvenon asaj, por Serbisë.
“Qeveria do të duhej të mos thoshte që nuk është prioritet sepse u krijua perceptimi që Kosova nuk është e gatshme për dialogun. Nuk po e kërkojmë Kurtin ideal, por kemi kërkuar nga ai të vazhdojë dialogun sepse status-quoja nuk i konvenon Kosovës, por Serbisë. Duke mos punuar për dialog, sidomos në vitin e parë të qeverisjes së tij, ka krijuar perceptim se Kosova nuk është e gatshme për dialog, por i ka krijuar një përparësi Serbisë, nuk po them se e ka bërë me dashje, por i ka bërë dëm Kosovës. Serbia nuk është e gatshme për zgjidhje, por ja ka dalë ta krijojë përshtypjen jashtë që Serbia është e gatshme dhe Kosova jo, kjo shihet më shumë gjatë vitit të fundit”, ka thënë ai.
Hamiti është shprehur se ekzekutivi duhet të jetë më proaktiv dhe të kërkojë afatizim të dialogut, si dhe të punojë me partnerët ndërkombëtarë për të siguruar angazhim në nivel më të lartë.
“Qeveria duhet të jetë më proaktive dhe të kërkojë një afatizim të dialogut dhe të punojë me partnerët si SHBA-ja dhe BE-ja për të siguruar një angazhim në nivel më të lartë. Të thotë që duam marrëveshje brenda një kohe të arsyeshme. Është në dorën e Qeverisë të kërkojë që dialogu të kthehet në dialog për çështje politike për marrëveshje për njohje, kjo të jetë e afatizuar dhe me shtytje të njëmendtë nga SHBA-ja e BE-ja”, ka thënë ai.
Hamiti ka thënë se kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, nuk është treguar i zoti në këtë proces pasi mund të bënte më shumë.
“Kryenegociatori Bislimi nuk është treguar i zoti në këtë proces. Sepse mund të bënte më shumë. Nuk mund t’i humbte pesë muaj kohë duke thënë se s’po mund t’i gjejë dokumentet. Ka qenë situatë komike. Dosja e dialogut ishte dorëzuar nga kryeministri Avdullah Hoti. 9-10 vjet thoshin s’e dinë gjithçka për dialogun, tani jo s’kemi dokumente. Kjo lloj sjellje amatoreske e vendos në sy të keq Kosovën”, ka thënë ai.