Haradinaj premton liberalizimin e vizave pasi të mbetet veç Kryetar i AAK’së
Derisa shteti francez vazhdon të deklaroj se Kosova duhet të jap rezultate të prekshme në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, në mënyrë që qytetarët të lëvizin lirshëm, kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj vazhdon të besoj se liberalizimi i vizave do të ndodhë në dhjetor.
Haradinaj për KosovaPress thotë se gjasat janë reale që Kosova në dhjetor të hyjë në agjendën e Këshillit të Evropës dhe se vendimet veç e veç të shteteve anëtare mund t’i japin epilog pozitivë lëvizjes të lirë drejtë zonës Schengen për qytetarët e Kosovës.
Haradinaj pozicionin e Francës karshi liberalizimit të vizave për kosovarët nuk e sheh si kundërshtues, por që shpresat i ka tek shteti gjerman.
“Gjermania besoj se do i jap epilog pritjes së gjatë për vendim para Krishtlindjeve. Këshilli i Evropës mban takim në dhjetor pra mbetem me shpresë që do të jemi në agjendë, pra atë e them nuk e shoh pozicionin e Francës si një pozicion kundërshtues të liberalizimit, pra unë kam pasur në të kaluarën takim me ministrin e Brendshëm kemi edhe një marrëveshje të nënshkruar, Nuk e shoh gjendjen të njëjtë me zhvillimet që kanë ndodhur për hapjen e negociatave si rasti i Maqedonisë së Veriut dhe i Shqipërisë, pra kjo është një situatë ndryshe dhe mendoj se qëndrimi i vendeve veç e veç do jetë ndryshe“, tha Haradinaj.
Por njohësit e integrimeve evropiane po konsiderojnë se nuk ka gjasa që liberalizimi i vizave të ndodh në dhjetor.
Përgjegjësinë për lënien e qytetarëve të Kosovës të izoluar njohësja e procesit të integritetit në Grupin për Studime Juridike dhe Politike, Rreze Hoxha ia hedh institucioneve të Kosovës që nuk kanë dëshmuar gatitshmëri për të luftuar krimin e organizuar dhe vendet anëtare të Këshillit të Ministrave që nuk kanë treguar vullnet politik drejt këtij procesi.
Derisa deklarimet e Haradinajt i konsideron të ngutshme, Hoxha tha se duke e vlerësuar situatën aktuale dhe qëndrimin e Francës karshi Kosovës, liberalizimi i vizave jo që nuk do ndodh këtë vit, por do jetë proces i cili do merr disa vite tutje. Sipas saj mos krijimi i institucioneve të reja po ndikon dhe në aspektin e vonesave në procesin e liberalizimit të vizave.
“Sa i përket premtimeve që i ka dhënë ish kryeministri i Kosovës, Haradinaj këtë premtime ne i vlerësojmë si pak të ngutshme të cilat nuk kanë qenë me të njëjtën linje me situatën ose me vullnetin politik që mbretëron tek Këshilli I Ministrave. Deklaratë e fundit t presidentit të Francës i njëjti nuk e ka pjesë në agjendën e tij politike këtë çështje që bie ndesh me premtimet na ia dhënë qytetarëve të Kosovës e që edhe tregojnë që ndoshta procesi I liberalizimit të vizave të merr edhe disa vite më tutje…Fatkeqësisht nga ajo çfarë po vërehet tani do thotë edhe m këto deklaratat e fundit të Francës një gjë e tillë nuk pritet të ndodh, mirëpo gjithmonë shpresojmë që një e gjë e tillë do ndryshoj, por nga aktualitetit shihet se jo”, u shpreh ajo.
Demush Shasha nga Instituti EPIK thotë se në asnjë skenar nuk ka mundësi që të merret vendim pozitiv për heqje të vizave për kosovarët.
Derisa e sheh si pozitive përkrahjen e shtetit gjerman për këtë proces, Shasha thotë se nuk ka gjasa që Franca të ndryshoj qëndrimin e saj derisa nuk ka rezultate në luftim të korrupsionit të lartë.
“Është absolutisht e pamundur që Kosova të merr dritën e gjelbër për liberalizim të vizave deri në fund të këtij viti. Para Kosovës janë edhe gjashtë hapat e mbetura institucionale për liberalizim të vizave brenda institucioneve të BE-së. Nëse e marrim shembull dy vendet e fundit që kanë marr liberalizim të vizave atyre u janë dashur 6 muaj ditë deri në lëvizjen nga ku jena na deri në lëvizje të lirë të qytetarëve të tyre, prandaj në asnjë skenar nuk është e mundur që të ketë vendimmarrje për liberalizim të vizave gjatë këtij viti. Franca është konsistente në qëndrimin e saj se Kosova nuk ka arritur të përmbush njërin nga dy kriteret e mbetura për liberalizimin e vizave, respektivisht në fushën e luftës kundër korrupsionit të lartë“, tha ai.
Gjatë kësaj jave nëpër mediat e Kosovës ka qarkulluar informacione nga burime diplomatike të Francës se pa përmbushjen e kriterit të luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit Kosova nuk do marr liberalizimin e vizave.
Kujtojmë që gjatë këtij viti për vizitë në Kosovë pati qëndruar deputeti gjerman, Peter Beyer, nga radhët e partisë CDU-së, të kancelares Angela Merkel, i cili kishte thënë se liberalizimi i vizave mund të jetë një dhuratë për Krishtlindje.
“Gjermania është mbështetës i sinqertë për Kosovën dhe integrimin në BE, edhe për liberalizim. Ka pasur edhe data për liberalizim. Ne nuk kemi dhënë asnjëherë datë, ne kemi folur për procesin. Megjithatë ne jemi vetëm një vend, ka edhe shumë shtete që duhet përkrahur këtë proces. Është e padrejtë që Kosova nuk ka liberalizim të vizave. Unë nuk do të jap datën, mirëpo ndoshta do të jetë dhuratë për Kërshëndella” , pati thënë atë kohë Beyer.
Ndërsa, data për liberalizimit të vizave ishin dhënë nga të gjitha qeveritë madje qeveria në largim e Kosovës e udhëhequr nga Ramush Haradinaj si datë për lëvizje të lirë të qytetarëve të Kosovës e pati përmendur edhe fundin e vitit 2018 dhe qershorin e këtij viti.