Haradinaj: Pse Kurti nuk ka ba rezistencë si UÇK-ja, po u zu në atë mënyrë në Prishtinë
Ish-kryeministri Ramush Haradinaj, thotë se dyshon se fshihet diçka prapa deklaratave të Albin Kurti, të cilat sipas tij s’do të duhej të thuheshin nga kryeministri i një vendi që ishte viktimë e gjenocidit.
Kryetari i AAK’së tha se Kurti barazoi Kosovën që ishte viktimë me Serbinë që kreu gjenocid në vendin tonë.
Ai kryeministër që vlerëson se edhe Kosova ka nevojë me u liru prej kriminelëve të luftës në politikë dhe institucione, le t’i jep emrat se kush janë… Një deklaratë e tillë kaq e dëmshme për vendin e tij, pra ku e ka fillin kjo deklaratë, ose ku e ka fillin deklarata tjetër e hapjes së arkivave, Po na barazon ne me hapjen e arkivave të ushtrisë gjenocidale të Millosheviqit”, tha Haradinaj në emisionin Frontal në T7.
“Të gjitha këto të bëjnë me dyshuar se nga e ka burimin kjo dhe atëherë të kthehen në mendje disa lajme se është ndodh njëherë në një makinë me pjesëtarë të BIA’s serbe i mbuluar me batanije…lindin shumë pyetje të tjera. Pse ka refuzuar me marrë atëherë armën në kohën e luftës, pse ka lejuar me u zënë në atë mënyrë në Prishtinë, pse nuk ka ba rezistencë si UÇK ose pse është larguar nga ajo”, shtoi Haradinaj.
“Kur i bënë këto dy deklarata, vetëm dikush që ka agjendë kundër, sidomos po them kundër kategorive të lirisë, e bën. Pa qenë me një lloj urrejtje ose….Të barazosh kriminelët e luftës të Kosovës me të Serbisë je ka ofendon viktimat, të barazosh arkivin e UÇK’së me të ushtrisë vrastare, ose të paramilitarëve serb, je ka i ofendon viktimat dhe ai person që e bën këtë në cilindo nivel gabon ai, se le më kur është kryeministër i këtij vendi”, tha ai.
“Cilësimet e mija vijnë se kur e shoh dikë që është në pozicione të kundërta me interesat e këtij vendi kam dyshim se ka ndonjë lidhje me kohën e qëndrimit të tij në burg ose me një rrethanë të caktuar që ai ka një peng ose shlyn borxhe ose kthen prapa shërbime të caktuara sepse për mua është mjaft e pa besueshme që kryeministri i vendit tim të deklarojë se Ballkani ka nevojë me u liruar prej kriminelëve të luftës që janë në parti politike dhe institucione. Mua më ka shpall gjykata të pafajshëm dhe kam luftuar për këtë vend me gjithë familjen dhe ofendohem kur e dëgjoi kryeministrin e vendit tim që nuk e ndan Kosovën, nuk e ndan rolin tim nga roli i ushtarakëve të policisë paramilitare e kriminelëve serbë. Me barazon mua me ta, ndihem mjaft i ofenduar”, përfundoi Haradinaj.