fbpx
Lajme

Inspektorati nuk tregon numrin e ankesave të burgosurve kosovarë!

Respektimi i të drejtave për të burgosurit në burgjet e Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK), bëhet çdo herë në mënyrë korrekte, thotë Inspektorati i dikasterit të drejtësisë për inspektimin e punës në SHKK.

Inspektorati ka një strukturë prej 6 inspektorëve dhe një Kryeinspektor, i cili për punën e vetë i përgjigjet gjithnjë Ministrit të Drejtësisë, Abelard Tahirit nëpërmjet raporteve të rregullta.

Sa i përket ankesave që të burgosurit adresojnë në këtë institucion, këta të fundit nuk kanë treguar shifër të saktë, veçse kanë thënë se janë disa të konsiderueshme.

Lidhur me këtë në një përgjigje për Indeksonline Zyra për media e Inspektoratit ka treguar se aktivitetet e tyre i zhvillon duke u  bazuar në Planin e Punës së Inspektoratit për vitin kalendarik.

“Plani i punës bazohet në LESP, Planin e Punës së MD-së dhe   Strategjinë e zhvillimit të Ministrisë së Drejtësisë. Ne angazhohemi që  Institucionet korrektuese të i përshtatin veprimet operative të tyre me LESP dhe  të gjitha instrumentet ndërkombëtare  që mbrojnë të drejtat e të burgosurve”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Më tej, Inspektorati thekson se të burgosurit ankesat përveç te ta, mund t’i adresojnë edhe tek një vend tjetër.

Sipas tyre, IPK i kushton rëndësi ankesave të të burgosurve në Kosovë.

”Natyrisht ne i kushtojmë një rëndësi të veçantë ankesave të të burgosurve, sepse ankesat janë një instrument i rëndësishëm i identifikimit të shkeljeve të ndryshëm që mund të i bëjnë  institucionet korrektuese karshi tyre. Të burgosurit kanë disa adresa ku ata ushtrojnë ankesat dhe pakënaqësitë. Si mekanizëm i brendshëm i trajtimit të ankesave dhe pakënaqësive të të burgosurve është Inspektorati i Ministrisë së Drejtësisë për Inspektimin e punës në SHKK. Gjithashtu në kuadër të MD-së është edhe një Zyra për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut që i shqyrton ankesat e të burgosurve”, thotë Inspektorati.

Tutje, gjatë kësaj përgjigje është treguar nga Inspektorati edhe procedura e ankesave të burgosurve.

“Të burgosurit i gëzojnë e drejtën e ushtrimit të ankesës plotësisht të lirë dhe  në konfidencialitet. Ata këtë e bëjnë duke vendosur ankesat e tyre në  Kutitë e ankesave, të cilat janë të vendosura në secilin pavijon. Këto kuti i hap Koordinatori i Ankesave, i cili caktohet nga drejtori i institucionit.  Gjithashtu të burgosurit  kanë edhe adresa të tjera si Institucioni i  Avokatit të Popullit, i cili i ka të vendosura kutitë e ankesave në korridore të pavijoneve, pastaj  Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, Qendra Kombëtare për Parandalimin e Torturës etj. Inspektorati ka një bashkëpunim të ngushtë me të gjitha këto institucione”, thuhet më tej në përgjigje.

Në fund, Inspektorati ka thënë se SHKK ka avancuar dukshëm  dhe se në këtë institucion sipas tyre, kanë  standarde bukur të avancuara të trajtimit të të burgosurve.

“Shoqëria njerëzore që ec, evoluon, edhe të drejtat e njeriut, respektivisht të drejtat e të burgosurve evoluojnë duke kërkuar standarde të reja. Inspektorati është në funksion të kërkimit  të të gjitha këtyre ndryshimeve dhe  implementim sa më të shpejtë të këtyre ndryshimeve nëpërmjet rekomandimeve që i japim”, thotë Inspektorati.

Duhet theksuar se në këto institucione është arritur të instalohet edhe një mekanizëm për Vetëmonitorimin e Institucioneve, i cili udhëhiqet nga Zëvendësdrejtorët e institucioneve dhe të cilët bëjnë një punë të mirë në përcjelljen e përmbushjes së rekomandimeve.

Më poshtë keni prioritetet kryesore të punës që i ka Inspektorati:

-rritjen e standardeve të sigurisë së institucioneve korrektuese;

-krijimin e parakushteve për një risocializim të duhur të të burgosurve, nëpërmjet instalimit të programeve të veçanta dhe -mbrojtjen e të drejtave të të burgosurve në përputhshmëri me standardet ndërkombëtare për kohën sa qëndrojnë në vuajtje të dënimit.

Në anën tjetër, për të mësuar më shumë rreth gjendjes së të burgosurve në Kosovë. Në një prononcim për Indeksonline ka folur edhe Behgjet Shala, Drejtor i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut.

Shala thotë se nuk e di numrin e ankesave që bëhen nga të burgosurit. Mirëpo, ai flet për kushtet që i kanë këta persona.

“Inspektorati i trajton domethënë i shqyrton ankesat e të burgosurve ata e kanë numrin e saktë të ankesave se sa bëhen. Të burgosurit në përputhje me të drejtat që i kanë në këtë shtet shumë mirë respektohen  dhe pasi që ka shumë probleme financiare në vend  janë kushte më të mira të burgosurve. Kryesisht kushtet janë të mira, ushqimi nuk është i keq por mund të përmirësohen” , ka thënë Shala.

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close