Ish diplomati i SHBA-së: Kurti po i dëmton interesat e vendit të tij dhe po i avancon ato të Serbisë
Me kokëfortësinë e tij lidhur me votimin, Kurti thjesht i jep Vuçiqit një dhuratë të në momentin kur diferenca e manovrimit të autokratit pro-rus është tkurrur.
Pothuajse një dekadë më parë, Kosova u përball me krizën e saj më të keqe të sigurisë si shtet i pavarur.
Mençuria e liderëve në Prishtinë dhe Beograd – dhe ndërhyrja e jashtëzakonshme në minutës së fundit nga OSBE – e shmangën fatkeqësinë, duke krijuar një precedent të mirë që ka zgjatur deri në këtë vit.
Mirëpo sot, kryeministri i Kosovës Albin Kurti po i dëmton interesat e vendit të tij dhe po i avancon ato të Serbisë, duke heqë dorë nga precedenti i fituar me vështirësi e i cili ishte arritur në vitin 2012.
E di. E kam negociuar marrëveshjen njëmbëdhjetë orëshe ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që një përballje thuajse të sigurt e pati kthyer në një demonstrim të pjekurisë së Kosovës – jo në një spektakël papjekureqë shfaqet sot në Prishtinë.
Të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara, të ashtuquajturat vendet e QUINT-it kanë shprehur “zhgënjim të madh” me vendimin e qeverisë së Kosovës për ta refuzuar votimin e lehtësuar për serbët e Kosovës në zgjedhjet e ardhshme të Serbisë më 3 prill.
SHBA dhe katër aleatët e saj e kanë akuzuar Kosovën për “dështim në mbrojtjen e të drejtave të të gjithë qytetarëve”. Pesë anëtarët kryesorë të BE-së dhe NATO-s ndërkohë ia dolën ta lavdërojnë Serbinë për “disponueshmërinë e saj për të gjetur një zgjidhje”.
Në dukje i indinjuar dhe madje krenar për kritikat, Kurti sfidues nuk ka arritur ta kuptojë se çfarë nevojitet për ta mbrojtur sovranitetin e Kosovës kundër atyre, të tilë presidenti serb Aleksandar Vuçiq, që po e minojnë atë.
Ndoshta, një kalim i kryeministrit të Kosovës nëpër ato ditë të ngarkuara në pranverën e vitit 2012, kur paraardhësi i tij, Hashim Thaçi, ra dakord ti lejonte serbët e Kosovës të votonin, do ta ndryshojë perspektivën e Kurtit.
Në fillim të vitit 2012, presidenti serb Boris Tadiq dhe parlamenti i Serbisë e kishin përcaktuar 6 majin si ditë zgjedhjesh. Nuk kishte asnjë mundësi për ndryshim të datës apo mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë në ndonjë datë të mëvonshme. Në të vërtetë, një raund i dytë votimi në maj ishte i afërt.
Zgjedhjet janë ngjarje komplekse, të ndjeshme, që kërkojnë përgatitje të mëdha për ta garantuar të drejtën e votuesve, integritetin e fletëvotimit nga dorëzimi deri në shpalljen e rezultateve, funksionimin e qetë, informacionin e votuesve, vëzhgimin dhe sigurinë. Secila ditë, në mungesë të një marrëveshjeje Kosovë-Serbi e reduktonte kohën për përgatitje, duke i rritur shanset që dita e votimit të karakterizohej me dhunë.
Ashtu sikurse Kurti, edhe kryeministri i atëhershëm Thaçi e konfirmonte sovranitetin e Kosovës mbi çështjen e zgjedhjeve serbe. Duke udhëhequr qeverinë e një shteti mezi prej katër vitesh ekzistencë, Thaçi fillimisht kërkoi që serbët e Kosovës të votojnë në mënyrë standarde, “jashtë vendit”, duke i dërguar fletëvotimet përmes postës – ashtu siç ka kërkuar Kurti. Por ky pozicion ishte dhe mbetet i bazuar në një analogji të rrezikshme mashtruese. Serbët e Kosovës atëherë dhe, fatmirësisht, sot ende formojnë një komunitet të madh me traditë dhe interes për të votuar në Serbi.
Në atmosferën e ngarkuar të vitit 2012, kërcënimi ishte i madh se serbët do ta sfidonin qeverinë e Kosovës, do t’i sillnin fletëvotimet në veri dhe thjesht do ta organizonin votimin e tyre, duke shkaktuar një reagim të dhunshëm nga Prishtina.
Paqeruajtësit e KFOR-it pastaj do të duhej të futeshin në konflikt, do të ishin detyruar t’u mohonin serbëve të drejtën për të votuar, ose t’i mohonin Kosovës të drejtën për t’i vendosur kushtet për votim në vendin e saj. Duke pasur parasysh konfrontimet e mëparshme të dhunshme, fatale në veri, atmosfera ishte e ngarkuar dhe skenarët krejtësisht të besueshëm.
Siç ndodh sot, diplomatët e Quintit u përpoqën ta negociojnë një zgjidhje. Por grumbulli i çështjeve teknike të zgjedhjeve dhe ndjeshmërisë intensive politike – të gjitha që rrethojnë çështjen gjithëpërfshirëse të sovranitetit dhe simboleve – u treguan të frikshme. Me kalimin e kohës, diplomatët i kërkuan OSBE-së, me ekspertizën e saj zgjedhore dhe politike, të përpiqet ta negociojë një marrëveshje të minutës së fundit.
Si zëvendës shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë, amerikani i rangut më të lartë që ka shërbyer në mision, unë udhëhoqa ekipin tonë negociator, duke u takuar fillimisht me Thaçin dhe duke i nxjerrë vijat e tij të kuqe, përpara se të shkoja për në Beograd.
Ndryshe nga sot, ne nuk kishim asnjë precedent ku të mbështeteshim, duke na detyruar ta krijonim “Konceptin tonë të Operacioneve” – dokumentin përfundimtar që u pranua nga palët. Dizajni i ri vendosi një premium mbi qartësinë dhe saktësinë absolute të rolit të OSBE-së: ta lehtësojë të drejtën e serbëve të Kosovës (të cilët janë gjithashtu shtetas serbë) për të votuar në zgjedhjet serbe – jo për ta lehtësuar zhvillimin e zgjedhjeve nga Serbia brenda Kosovës.
Të gjitha kushtet, praktike dhe simbolike, rrodhën nga ai themel, parim i dakorduar. Flamujt dhe simbolet e OSBE-së, jo ato serbe, do të mbizotëronin. Zyrtarët e OSBE-së do të ishin përgjegjës për procedurat. Me insistimin e Kosovës dhe me marrëveshjen e Serbisë, tabelimi i fletëvotimeve do të bëhej rreptësisht jashtë Kosovës, duke imituar praktikën standarde të votimit jashtë vendit. (Kjo gjithashtu i dha Serbisë më shumë besim në rezultatet, pasi Beogradi i besoi OSBE-së që së pari t’i mblidhte dhe t’i transferonte fletëvotimet në mënyrë të sigurt dhe efikase.)
Në vend të një konfrontimi të ashpër, vendosja e KFOR-it në mes, procesi i votimit të lehtësuar në minutën e fundit u karakterizua me lavdërime të menjëhershme nga të dyja palët, së bashku me zyrtarët ndërkombëtarë, përfshirë ish-sekretaren e shtetit të SHBA-së, Hillary Clinton.
Qeveria e Kosovës menjëherë e pati lëshuar një deklaratë përmes së cilës e vlerëson faktin “që zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale serbe në territorin e Republikës së Kosovës për herë të parë janë organizuar jashtë kompetencave të institucioneve të Serbisë. Ky proces u zhvillua sipas standardeve ndërkombëtare për të drejtat e qytetarëve me shtetësi të dyfishtë”.
Ministri i Shtetit i Serbisë për Kosovën, i ndjeri Oliver Ivanoviq, kishte qenë skeptik për rolin e OSBE-së, por në fund ndryshoi mendje: “Është një gjë e mirë që OSBE-ja organizon zgjedhjet këtu. Serbia do të ketë zgjedhje të tjera dhe besoj se ky bashkëpunim do të vazhdojë”.
Fatkeqësisht, i moderuari Ivanoviq u vra në Mitrovicë, veri të Kosovës, në janar të vitit 2018. Dy të dyshuarit kryesorë për vrasjen e tij janë lejuar të bredhin lirisht nëpër Beograd. Çuditërisht për një zyrtar të zgjedhur me ndikim të fortë mbi gjyqësorin, presidenti Vuçiq në korrik të vitit 2019 shpalli pafajësinë e një prej të dyshuarve kryesorë, Milan Radoiçiq. Krimi i organizuar vazhdon të ketë një prani të fortë në veri të Kosovës dhe, siç raportohet, në Serbi. Sipas Qendrës së Beogradit për Politikë të Sigurisë, “Serbia është me të vërtetë një shtet mafioz ku vija e demarkacionit ndërmjet shtetit dhe krimit të organizuar nuk është aspak e qartë”.
Me kokëfortësinë e tij lidhur me votimin, Kurti thjesht i jep Vuçiqit dhe regjimit të tij një dhuratë të shumëanshme në momentin kur diferenca e manovrimit të autokratit pro-rus është tkurrur. Pushtimi brutal i Ukrainës nga Rusia ka sjellë shqyrtimin më serioz të refuzimit të Vuçiqit për t’u lidhur me politikën e BE-së ndaj Rusisë. Ndërkohë që figura të njohura të BE-së i kanë bërë thirrje Vuçiqit ta ndalojë “uljen në dy karrige”, Kurti po e zdritë reputacionin e Presidentit serb si një “partner i arsyeshëm”.
Në vend të një reagimi të dhunshëm ndaj Prishtinës siç ishte frika në vitin 2012, sot Beogradi po e shfrytëzon qëndrimin ndaj votimit të serbëve të Kosovës për qëllimet e veta – në dëm të sovranitetit të Kosovës. Sipas figurës opozitare Rada Trajkoviq, Presidente e Lëvizjes Evropiane Serbe nga Kosova, Vuçiq nuk e kundërshton Kurtin për votimin “dhe po organizon infrastrukturë jashtë Kosovës që serbët ta bëjnë këtë [ta ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar.” Kjo sinkronizohet me synimin e Vuçiqit për ta krijuar një ‘Asociacion/Bashkësi të Komunave me Shumicë Serbe’ nën autoritetin e Beogradit – dhe jashtë autoritetit të Prishtinës.
Ndërkohë që po e nxit Serbinë, refuzimi i Kurtit ndaj propozimit të Kuintit për të’i lehtësuar zgjedhjet serbe, bazuar në modelin e suksesshëm të OSBE-së, e dëmton Kosovën në një mënyrë tjetër domethënëse. Në momentin që argumenti i një grupi ekspertësh për t’i avancuar marrëdhëniet e Kosovës me NATO-n tërheq vëmendjen, Kurti u ka dhënë katër shteteve anëtare të NATO-s të cilat nuk e njohin Kosovën – Greqinë, Spanjën, Sllovakinë dhe Rumaninë – një justifikim për taë vazhduar politikën e tyre.
Për ta përmbledhur, duke konfirmuar me kokëfortësi, gabimisht sovranitetin e Kosovës, Kurti po e minon atë. Kryeministri aktual i Kosovës po i kthen shpinën marrëveshjes që paraardhësi i tij, Hashim Thaçi e pranoi, jo me detyrim, por me synimin për t’i mbrojtur interesat e vendit të tij. Ishte OSBE, jo Prishtina apo Beogradi, ajo që ishte nën presion pasi zgjedhjet serbe po afroheshin me shpejtësi në pranverën e vitit 2012. Zgjedhjet e mëvonshme serbe të ndihmuara nga OSBE në Kosovë kanë dëshmuar zbatueshmërinë e këtij modeli.
Në fund, sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës është i lidhur pandashëm me mirëqenien e të gjithë qytetarëve të Kosovës, përfshirë komunitetin serb të Kosovës, si në veri ashtu edhe në jug të lumit Ibër. Kosova tashmë po i dështon serbët e Kosovës duke e injoruar Gjykatën Kushtetuese të Kosovës në vendimin e saj për pronën që i përket Manastirit të Deçanit. Me qëndrimin e tij lidhur me votimin në zgjedhjet serbe, kryeministri Kurti “me sukses” po i çon përpara synimet e Serbisë dhe po i pengon ato të Kosovës. Rrallëherë ka një lider në Ballkan, apo diku tjetër, kështu që qëllimisht ka shënuar gol në portën e tij.###
Edward P. Joseph ligjëron në menaxhimin e konflikteve në Shkollën Johns Hopkins të Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare. Ai shërbeu për një njëzet vjet në Ballkan, duke i përfshirë të gjitha zonat e konfliktit, dhe duke qenë i përfshirë në detyrë aktive me ushtrinë amerikane. Nga viti 2010 deri në vitin 2012, ai ishte Zëvendës Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë i emëruar nga SHBA.
Mendimet e shprehura në seksionin e komenteve janë vetëm ato të autorëve dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e BIRN
Ky shkrim fillimisht është publikuar në Balkan Insight
Përkthyer nga Nuhi Shala