fbpx
Lajme

Ish hulumtuesja e Hagës: Shumica e dokumenteve kundër Thaçit do vijnë nga Serbia

onesat nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë (ZPS) sa i përket nxjerrjes së materialeve shfajësuese, por edhe redaktimet e shumta në aktakuzë dhe dëshmitë e dëshmitarëve janë duke i penguar hetimet e mbrojtjes së ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë Gregroy Kehoe, avokat i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Thaçi, si ish-udhëheqës i UÇK-së, bashkë me ish-eprorët e tjerë: Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, ndodhen në paraburgim në Hagë qysh në nëntor të vitit 2020.

Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, ndërsa datë për nisjen e gjykimit të tyre nuk ka.

Kehoe thotë se procesi i nxjerrjes së materialeve shfajësuese, për të cilin mbrojtja disa herë ka kërkuar që të përshpejtohet, është përmirësuar.

Nxjerrja e këtyre materialeve parashihet në Rregulloren e Procedurës dhe Provave të Dhomave të Specializuara.

Këto materiale që Prokuroria ia jep mbrojtjes gjatë procesit të nxjerrjes së provave, sugjerojnë pafajësinë apo lehtësojnë fajësinë e të akuzuarve. Këto lloje provash, po ashtu, ndikojnë në besueshmërinë e dëshmive që posedon ZPS-ja.

Kehoe thotë se vonesat e nxjerrjes së materialeve shfajësuese kanë ndikuar në vendimet e gjykatës për moslirimin e të akuzuarve nga paraburgimi.

Sipas tij, mbrojtja, përmes procesit të nxjerrjes së materialeve të ZPS-së, së fundmi, ka pranuar dëshmi shfajësuese, që do të kishin mundur të ndikonin në vendimin e gjykatësit të procedurës paraprake për lirimin nga paraburgimi të të akuzuarve gjatë procedurës para-gjyqësore.

“Pyetja që kam ngritur para gjykatësit në konferencat statusore, ka qenë: A do të kishe dashur t’i shihje këto dëshmi të dëshmitarëve apo të kishe dijeni për këto informacione, kur merrje vendim për moslirimin nga paraburgimi? Patjetër që po, ky do të ishte reagimi i pritshëm. Pra, a jemi dëmtuar nga kjo? Patjetër që po”, thotë Kehoe.

Kehoe thotë se, në bazë të procedurave të Dhomave të Specializuara – që ndryshe njihen edhe si Gjykatë Speciale – materialet shfajësuese duhet të nxirren menjëherë nga ZPS-ja dhe t’i ofrohen mbrojtjes, por kështu nuk mendon Nevenka Tromp.

Tromp, e cila për më shumë se një dekadë ka qenë hulumtuese në Tribunalin e Hagës për krime lufte në ish-Jugosllavi, thotë për Radion Evropa e Lirë se mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së duhet ta përqendrojë të gjithë energjinë që gjykimi të nisë sa më shpejt, pasi, sipas saj, materialet shfajësuese mund të nxirren nga Prokuroria edhe gjatë gjykimit.

“Nuk mendoj se është realiste dhe e imagjinueshme që në një mega-projekt, Prokuroria mund t’i dorëzojë të gjitha materialet shfajësuese, posaçërisht para se të nisë gjykimi. Mbrojtja duhet të marrë parasysh se një sasi e madhe [e materialeve] që Prokuroria ka mbledhur, do t’i jepet gjatë gjykimit”, thotë Tromp.

Redaktimi i informacioneve për dëshmitarët

Pengesë tjetër, me të cilën po përballet mbrojtja, thotë Kehoe, janë edhe redaktimet e shumta si në aktakuzë, ashtu edhe në dëshmitë e dëshmitarëve që ka pranuar nga ZPS-ja.

Sipas tij, janë 60 dëshmitarë që nuk u zbulohet identiteti. Disave prej tyre do t’iu zbulohet identiteti 30 ditë para nisjes së gjykimit, e disa të tjerëve 30 ditë para dëshmisë së tyre pranë Dhomave të Specializuara. Dhe, thotë Kehoe, mund të duhen vite kohë që ata të japin dëshmitë e tyre.

“… teksa shkojmë drejt gjykimit, ne nuk do të dimë se çfarë çështjesh ka Prokuroria derisa këta persona të dëshmojnë. Dhe, për më tepër, dy persona aktualisht nuk mund të identifikohen fare. Pyetja retorike është kjo: si mund ta hetojmë plotësisht këtë çështje, me qëllim që t’i mbrojmë klientët tanë? Nën këto rrethana, kjo është jashtëzakonisht e vështirë”, thotë Kehoe.

Mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së thotë se ZPS-ja nuk po ndjek drejtësinë

Nga Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk dëshiruan t’i komentojnë deklaratat e mbrojtjes sa i përket nxjerrjes së materialeve. Por, zëdhënësi Christopher Bennett, tha përmes një deklarate me shkrim për REL-in se ZPS-ja nxjerr pako të shumta me materiale. Ai tha se vetëm më 24 mars të këtij viti, mbrojtjes i janë dorëzuar 19 paketa me materiale, me mbi 8 mijë artikuj, sipas rregullit 102. Ky rregull përfshin deklaratat e dëshmitarëve që Prokuroria synon t’i thërrasë në gjykim, por edhe deponime të tjera të dëshmitarëve që ZPS-ja do t’i paraqesë gjatë gjykimit.

Ben Emmerson, avokat i Veselit, gjatë konferencës statusore të mbajtur më 20 maj, ngriti çështjen e bashkëpunimit të mundshëm midis ZPS-së dhe autoriteteve serbe.

Ai tha se gjatë gjykimeve në Tribunalin e Hagës, zyrtarë të shërbimeve të inteligjencës serbe, përfshirë, siç tha ai, edhe ata përgjegjës për Kosovën, kanë nxitur persona të japin dëshmi të rreme.

Shqetësim për bashkëpunimin mes ZPS-së dhe Serbisë ka edhe Kehoe. Ai thotë se gjatë Tribunalit të Hagës për ish-Jugosllavinë, ka pasur raste kur organet shtetërore serbe kanë fabrikuar të dhëna, apo kanë shtyrë përpara dëshmi të rreme.

Prandaj, shton Kehoe, mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së tani po kërkon nga Prokuroria që të dijë burimin e materialeve, por edhe nga cilat organe shtetërore serbe janë marrë ato.

“Ne do të mund të hetonim gjenezën e atyre informacioneve dhe nëse bëjmë lidhjen e tyre me informacionet e tjera që vijnë nga shërbimet e inteligjencës serbe dhe nga divizioni i Serbisë për krime lufte, mendoj se gjykata mund të vijë në përfundimin logjik se informacionet e marra nga organet shtetërore serbe, duhet të trajtohen me shumë kujdes, duke pasur parasysh historinë e tyre të krijimit të qëllimshëm të informacioneve të rreme, jo vetëm ndaj mediave, por edhe ndaj gjykatave – të paktën në Gjykatën Ndërkombëtare për krime lufte në ish-Jugosllavi”, thotë mbrojtësi i Thaçit.

Mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së kërkon të dijë origjinën e materialeve shfajësuese

Më herët, Zyra e Prokurorisë për Krime Lufte e Serbisë, ka thënë se do të bashkëpunojë me Gjykatën Speciale në Hagë. Ky institucion po ashtu ishte përfshirë edhe në hetimet e Task Forcës për Hetime të Posaçme (SITF). Ky organ ka hetuar pretendimet e përmendura në raportin e vitit 2011 të Këshillit të Evropës, të hartuar nga senatori i atëhershëm zviceran, Dick Marty.

Siç thuhet në ueb-faqe, Zyra e Prokurorisë për Krime Lufte e Serbisë “koordinon intervistat me dëshmitarët, ofron informacione/dokumente të nevojshme, lehtëson komunikimin midis SIFT dhe organeve/agjencive të Qeverisë serbe”.

Shqetësime “legjitime” për bashkëpunimin e Serbisë me Specialen

Nevenka Tromp mirëkupton shqetësimin e mbrojtjes sa i përket çështjes së bashkëpunimit midis ZPS-së dhe autoriteteve serbe.

Ajo thotë se për këtë temë mund të mësohet shumë nga rasti në Tribunalin e Hagës ndaj ish-presidentit të Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, pasi, sipas saj, institucionet serbe, përfshirë Ministrinë e Mbrojtjes dhe atë të Brendshme, në përgjigje të akuzave, kanë prodhuar dëshmi post-faktike, përfshirë raporte dhe harta.

“Shqetësimi [i mbrojtjes] është jashtëzakonisht legjitim dhe mendoj se mbrojtja duhet të jetë e vetëdijshme për këtë. Gjykimi i Millosheviqit paraqet një vlerësim të rëndësishëm për këtë çështje të veçantë. Sepse, në gjykimin e Millosheviqit ne kemi demaskuar të ashtuquajturin Komision të Ushtrisë Jugosllave për bashkëpunim me Tribunalin e Hagës, ku shumë prej këtyre dokumenteve post-faktike janë bërë, me qëllim shfajësimin e shtetit të Serbisë dhe të gjithë individëve, përfshirë Millosheviqin”, thotë ajo.

Megjithatë, ZPS-ja, në deklaratën dërguar REL-it, tha se përmes procesit të nxjerrjes së materialeve, ka ndarë me mbrojtjen “dëshmi, si ato fajësuese dhe ato shfajësuese nga burime të ndryshme”.

Teksa procesi para-gjyqësor po vazhdon në Hagë dhe nuk ka një datë për nisjen e gjykimit, Kehoe thotë se provat që po paraqet ZPS-ja synojnë që t’ua mveshin të akuzuarve “çdo gjë që mund të duket kriminale” e që ka ndodhur gjatë viteve 1998-99, nën “teorinë e ndërmarrjes së përbashkët kriminale”, pretendime që ai i konsideron “qesharake”.

Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi, sipas aktakuzës së ngritur nga Dhomat e Specializuara më 26 tetor të vitit 2020, konsiderohen si “ndërmarrje e përbashkët kriminale”.

Ata dyshohen për veprat penale që përbëjnë krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje.

Krimet pretendohet se janë kryer midis muajit mars të vitit 1998 dhe shtatorit të vitit pasues në disa lokacione në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë.

Por, për shkak të distancës kohore kur krimet dyshohet se janë kryer, Tromp thotë se ndaj ish-krerëve të UÇK-së pritet që provat forenzike, sikurse skenat e krimit e objektet e tjera forenzike, të jenë minimale. Por qenësore, sipas saj, do të jenë dëshmitë e dëshmitarëve, të cilat, siç thotë ajo, duhet të mbështeten në dokumente. Sipas Tromp, pjesa më e madhe e këtyre dokumenteve pritet të vijnë nga Beogradi.

“Dëshmitë e dëshmitarëve nuk vlejnë asgjë nëse nuk mbështeten nga prova të dokumentuara, pra dokumente. Dhe këtu, shumica e këtyre dokumenteve kryesisht do të vijnë nga Beogradi. Beogradi është jashtëzakonisht i interesuar t’i ofrojë Prokurorisë materiale të shumta, aq më shumë, aq më mirë. Por, më pas, është detyrë e Prokurorisë që t’i përputhë dëshmitarët me dokumentet”, thotë ajo.

Tromp thotë se të gjitha dokumentet që ka ZPS-ja duhet të vërtetohen. Sipas saj, në data-bazën e Prokurorisë duhet të përfshihen informacione, të tilla si: nga burojnë dokumentet, kush i ka ofruar ato dhe kohën kur janë krijuar.

“Bazuar prej burimit dhe kohës kur është krijuar dokumenti [që do të mbështesin dëshmitë e dëshmitarëve të Prokurorisë], gjatë pyetjeve që parashtron mbrojtja ndaj dëshmitarëve gjatë gjykimit, mbrojtja mund t’i ofrojë argumentet e saj për t’i hedhur poshtë dhe për të kërkuar nga gjykatësit që t’i hedhin poshtë këto dokumente”, thotë ajo.

Gjykimi “mund të zgjasë disa vite”

Por, përderisa nuk ka një datë për nisjen e gjykimit, Kehoe thotë se bazuar edhe në gjykimet e mëhershme ndërkombëtare, procesi pritet të zgjasë disa vite.

“Prokuroria ka vlerësuar se do t’i duhen 1.500 orë për të paraqitur çështjen e saj, pa marrë në konsideratë çështjen e mbrojtjes. Bazuar në këto afate kohore, duke pasur parasysh edhe gjykimet ndërkombëtare që kanë ndodhur në të kaluarën, veçanërisht në Tribunalin e Hagës, kjo nënkupton [që gjykimi mund të zgjasë] disa vite, ndoshta më shumë”, thotë Kehoe.

Gjykata Speciale, me seli në Hagë, synon t‘i hetojë krimet e pretenduara të ish-anëtarëve të UÇK-së, të kryera kundër pakicave etnike dhe kundërshtarëve politikë, nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto pretendime janë përmendur për herë të parë në një raport të Këshillit të Evropës, të hartuar nga senatori i atëhershëm zviceran, Dick Marty. Ky raport, në fakt, i ka hapur rrugë themelimit të Gjykatës Speciale përmes një vendimi të Kuvendit të Kosovës, në vitin 2015./REL

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close