fbpx
Lajme

Ish kreu i LPK: Eleminimi i Rugovës, sipas deklarimit të Xhafer Shatrit, merrnim qindramilionë marka gjermane

Çështja Ahmet Krasniqit

Berisha e ka përdorur emrin e Ahmet Krasniqit sa herë që i është dashur të bëjë politikë me Kosovën dhe të sulmojë rivalët apo kundërshtarët e tij politikë. Një herë ka akuzuar Nanon, një herë tjetër Thaçin, më pas Klosin, ka pasur raste që ka thënë se e dinte se kush ishin dorasit, duke dhënë edhe karakteristikat e tyre, tani i është rikthyer Klosit dhe duke ditur realacionin e shkëlqyer mes Klosit dhe drejtuesve të Lëvizjes Çlirimtare, që nuk ishte vetëm një relacion Klosi – UÇK, por përmes tyre, edhe me shërbime të fuqishme euroatllantike, ai bën hijen e akuzës ndaj Thaçit dhe njerëzve të tij.

Meqë është fjala për Krasniqin, rastin e të cilit e kam trajtuar në librin tim “E fshehta e hapur e Kosovës”, “Epoka e re”, Prishtinë 2001 dhe pas emrit të cilit Berisha kapet gjithnjë e më tepër, mendoj se më duhet të sqaroj disa gjëra të rëndësishme.

Jam plotësisht i bindur dhe po ashtu e di fare mirë se, as nga ana e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe as nga udhëheqja politike e Lëvizjes Popullore të Kosovës nuk ka asnjë vendim dhe nuk është marrë asnjëherë një vendim për eliminimin e tij.

Shtabi i Përgjithshëm dhe Kryesia e Lëvizjes nuk kanë qenë në një mendje me emërimin e tij nga ana e Bukoshit, pasi nga të dhënat që ekzistonin, figura e Krasniqit ishte enigmë, kontradiktore, kishte të dhëna për lidhjet e tij me strukturat e shërbimit të fshehtë ushtarak serb; deri asaj dite kur ai u emërua Ministër i Mbrojtjes, askush nuk kishte patur lidhje me të; vetë Bukoshi, ndërsa ishte takuar me disa ushtarakë shqiptarë në Bosnje e Kroaci, nuk kishte pasur takime me Krasniqin. Për lëvizjen çlirimtare, nga të gjitha zgjedhjet që mund të bënte Bukoshi, kjo ishte më pagoditura. Megjithatë, edhe me Krasniqin u bënë takime të fshehta dhe u vendosën ura komunikimi.

Duke qenë se në atë kohë kam qenë drejtuesi kryesor i Lëvizjes Popullore të Kosovës, forcës politike që themeloi dhe drejtoi UÇK-në, jam plotësisht në dijeni se në kohën e atentatit kundër Krasniqit kanë filluar përpjekje të reja për të bashkërenduar gjithsesi punët dhe as atëherë e as më vonë, nuk është menduar për eliminimin e figurave ushtarake apo politike, në cilindo kah të kishin qenë ato.

Megjithëse dihej se ta zëmë LDK-ja kishte ngritur shërbimin e saj të fshehtë, duke vënë në kreun e tij një figurë të njohur për shërbimin ndaj UDB-së, oficer madhor i saj, Mehmet Loci, apo se kishte ngritur një strukturë të posame për të hetuar UÇK-në, duke vënë në krye Ekrem Kryeziun e  Prizrenit, strukturë që më pas do të njihej si dorë e shërbimit serb në Kosovë, e njohur me emrin “Sigurimi i Atdheut”, ndaj asnjërit nuk u ndërmor një veprim ekstrem.

Për të gjitha veprimet ekstreme, eliminimet e figurave të njohura udbashe, deri në fund të vitit 1996, Shtabi i Përgjithshëm (në atë kohë emërtohej Shtabi Qendror) i UÇK-së ka dalur me komunikata konkrete dhe ka marrë përgjegjësinë e tij.

Pa dashur të fajësoj askënd, mund të cilësoj se ka pasur raste kur drejtues guerilë brenda në Kosovë na janë drejtuar me kërkesën për eliminimin e ndonjë figure të njohur, i cili po e dëmtonte rëndë luftën, por është bërë rreptësisht ndalimi i tyre, megjithëse ndonjëri e kishte mbushur kupën.

Kërkesa e vetme për elimimin e Rugovës është bërë nga vetë Bukoshi, në takimin me njërin ndër figurat e njohura të lëvizjes Çlirimtare, i njohur si “Magjupi”, Sh.M., si shpërblim për të na dhënë pjesë nga fondi i luftës, i cili do të ishte, sipas deklarimit të numrit 2 të qeverisë së tij, Xhafer Shatri, disa qindramilionë marka gjermane dhe të cilat, gjithnjë sipas deklarimit të ish-Ministrit të Informacionit, Shatri, “Fondin e Republikës së Kosovës, ku kanë milituar me mijra patriotë, e ku, në emër të luftës për liri, ishin grumbulluar qindra milionë marka gjermane, kopukët arritën ta privatizojnë. Ndërkohë që në kufi vriteshin si qengjat njomakë që kishin ardhur për armë, paratë e këtij fondi ruheshin për “ditë të zezë”. Ruheshin për Kosovën e pasluftës, për të mbijetuar politikisht kryekopukët “institucionalë” duke blerë me paratë e fondit vota e parti të ndryshme. Duke zhvilluar hapur e me parà të popullit veprimtari kundër tij”.

Pikërisht kryekopukët “institucionalë mbështeti haptas Berisha, ndoshta për shkak të financimeve të mëdha që shpërndau Bukoshi apo për ndihmën e dhënë në grushtin e dështuar të shtetit në shtator 1998.

Interesant është fakti, i cili duhet ndjekur, që figura të eleminuara pas luftës apo në fundin e saj, kishin filluar afrimin e shumëfishtë ose ishin pjesë të UÇK-së.

Të kthehemi tek Krasniqi.

Krasniqi, në kohën kur u bë atenati ndaj tij, kishte filluar, ndoshta edhe i tronditur nga rritja e ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila, sipas deklaratës së Ëesli Klark “ishte guerrilja me rritjen më të shpejtë në botë”, kishte filluar, pa dijeninë e Bukoshit, të jepte ndihma financiare për Shtabin e Përgjithshëm, për të cilat Bukoshi u vu në dijeni më pas. Raporti sekret i qeverisë Bukoshi, qershor 1998, për veprimtarinë e Ministrisë së Mbrojtjes, kopje e së cilës është edhe në arkivin e Luftës, ka të dhëna të plota për këtë bashkëpunim, jo vetëm financiar.

Ndihmat, të cilat deri në gushtin e vitit 1998, kapnin një shumë prej 6 milionë markash, dokumentet e të cilave janë edhe në Fondin e Lëvizjes Popullore të Kosovës, ishin premtuar të rriteshin, ashtu si ishin premtuar edhe mjete logjistike.

Pak ditë pas vrasjes së Krasniqit, forcat çlirimtare prisnin një furnizim të rëndësishëm logjistik nga një shtet i njohur, adresa e të cilit ishte dhënë nga forca politike dhe të inteligjencës jashtë Kosovës. Ishte bërë vetëm një pjesë e pagesës dhe pjesa tjetër, e cila do të përballohej nga bashkëpunimi me Krasniqin, do të bëhej pas arritjes të logjistikës në vendin e duhur.

Vrasja e Krasniqit solli një gjendje të vështirë, e cila u përballua vetëm nga kontributi i strukturave të tjera, sidomos nga fondi “vendlindja thërret”.

Berisha e lidh Krasniqin me të gjithë ata që ka përballë, kush t’i dalë përpara. Në këtë rast godet Klosin për të shkuar tek njerëzit që bashkëpunuan me të.

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close