Ish-kryeshefi i kompanisë së mbeturinave “Uniteti” në Mitrovicë pranon fajësinë për korrupsion
Ish-kryeshefi ekzekutiv i Kompanisë Rajonale të Mbeturinave “Uniteti” në Mitrovicë, Gazmend Morina, u deklarua fajtor lidhur me akuzën për keppërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Një deklarim të tillë Morina e bëri në shqyrtimin fillestar të mbajtur të martën, në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, raporton “Betimi për Drejtësi” përcjell Klankosova.tv
Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Njazi Rexha, i akuzuari tha se e pranon fajësinë për veprën penale që i vihet në barrë.
Rexha nuk e kundërshtoi pranimin e fajësisë, të cilin më pas e aprovoi gjykatësi i çështjes Velko Vuqitiq.
Shpallja e aktgjykimit për këtë rast u caktua të bëhet më 30 qershor, në ora 11:00.Aktakuza ndaj Gazmend Morinës është ngritur më 18 maj 2021, nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë.
Ai akuzohet se në cilësinë e kryeshefit ekzekutiv në Kompanisë Rajonale të Mbeturinave “Uniteti” në Mitrovicë, duke shfrytëzuar detyrën e tij, i tejkalon kompetëncat me qëllim që tjetrit t’i sjellë dobi.
Në aktin akuzues thuhet se me rastin e themelimit të marrëdhënies se punës për të punësuarën Çlirimtare Xhinovci, asistente ekzekutive, nuk janë përfillur procedurat e punësimit duke vepruar në kundërshtim me dispozitat e nenit 5 dhe 8 të Ligjit të punës.
Aty thuhet se dispozita e nenit 8, paragrafi 1 i këtij ligji parasheh: “punëdhënësi në sektorin publik është i obliguar që të shpall konkurs publik sa herë që pranon një punëmarrës dhe themelon një marrëdhënie të punës”. Kurse paragrafi 2 i nenit në fjalë thuhet se parasheh: “konkursi duhet të jetë i barabartë për të gjithë kandidatët e synuar pa asnjë lloj diskriminimi dhe në kundërshtim me dispozitat e nenit 4 par.2, 3, 4, 5, të udhëzimit administrativ për rregullimin e procedurave të konkursit në sektorin publik, duke punësuar pa konkurs me kontratë mbi vepër në kohë të caktuar nga 5 dhjetori 2018, deri më 5 mars 2019”.
Siç thuhet në aktakuzë, më rastin e themelimit të marrëdhënies së punës për të punësuarën Sellma Zaimi – zyrtare ligjore në KRM “Uniteti” në Mitrovicë, nuk janë përfillur procedurat e punësimit duke vepruar në kundërshtim me dispozitën e nenit 5 dhe 8 të Ligjit të punës dhe dispozitën e nenit 4 par.2, 3, 4, 5 të udhëzimit administrativ për rregullimin e procedurave të konkursit në sektorin publik.
Aty thuhet se Zaimi është punësuar pa konkurs me kontratë mbi vepër në kohe të caktuar nga 22 korriku 2019 e deri më 22 nëntor 2019.
Tutje, sipas aktakuzës, me rastin e themelimit të marrëdhënies së punës për të punësuarin Sami Pllana – zyrtar për siguri në KRM “Uniteti” në Mitrovicë, nuk ishin përfillur procedurat e punësimit duke vepruar në kundërshtim me dispozitën e nenit 5 dhe 8 të Ligjit të punës dhe dispozitën e nenit 4 par.2, 3, 4, 5 të udhëzimit administrativ për rregullimin e procedurave të konkursit në sektorin publik.
Aty thuhet se Pllana është punësuar pa konkurs, me kontratë mbi vepër në kohë të caktuar nga 1 prill 2019 e deri më 31 korrik 2019.
Gjithnjë sipas aktakuzës, me rastin e themelimit të marrëdhënies së punës për të punësuarin Shyqyri Hasani, mekanik në Kompaninë “Uniteti” në Mitrovicë, nuk ishin përfillur procedurat e punësimit duke vepruar në kundërshtim me dispozitën e nenit 5 dhe 8 të Ligjit të punës dhe dispozitën e nenit 4 par.2, 3, 4, 5 të udhëzimit administrativ për rregullimin e procedurave të konkursit në sektorin publik.
Aty thuhet se Hasani është punësuar pa konkurs, me kontratë mbi vepër në kohë të caktuar nga 1 qershori 2019 e deri më 1 tetor 2019.
Sipas aktakuzës, me rastin e themelimit të marrëdhënies së punës për të punësuarin Muhamet Hajzeri vozitës në KRM Uniteti në Mitrovicë, nuk ishin përfillur procedurat e punësimit duke vepruar në kundërshtim me dispozitën e nenit 5 dhe 8 të Ligjit të punës dhe dispozitën e nenit 4 par.2, 3, 4, 5 të udhëzimit administrativ për rregullimin e procedurave të konkursit në sektorin publik.
Aty thuhet se Hajzeri është punësuar pa konkurs, me kontratë mbi vepër në kohë të caktuar nga 12 shkurti 2019 e deri më 12 qershor 2019.
Në fund thuhet se më 13 mars 2019, në kundërshtim me Ligjin e prokurimit, neni 48, pika 14, sipas të cilit furnizimet/shërbimet mund të paguhen me para të gatshme kur vlera e tyre nuk tejkalon totalin prej 100 euro, në NTP “Loni Dekor” kishte blerë material për zyre dhe veshje derës, kauqa, fotele, tavolinë pune, dekor muri, raft katror, tavolinë mesi në vlerë prej 2 mijë e 680 euro.
Më këto veprime, Morina po akuzohet se ka kryer veprën penale në vazhdim “keqpërdorimi i pozitës zyrtare dhe autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 1 lidhur më nenin 77 të KPRK-së.
Lidhur me rastin pati raportuar edhe Klan Kosova.