Ish-ministrja Reshitaj shpenzoi mbi 7 mijë € bileta udhëtimi për persona që s’ishin pjesë e Ministrisë
Jo rrallë herë, zyrtarët e lartë në udhëtimet zyrtare bëjnë shpenzime të parregullta të financave publike.
Një Ministre vitin e kaluar në udhëtimin zyrtar madje mori 14 persona të cilën nuk ishin fare pjesë e Ministrisë, transmeton Indeksonline.
Bëhet fjalë, për ish-ministren e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Rashitaj e cila me datën 16.05.2018, kishte marrë vendim për përkrahje financiare, mbulimin e shpenzimeve të udhëtimit (bileta aeroplani).
Për këto bileta, nga buxheti i shtetit, u shpenzuan 7 mijë e 144 euro për këta 14 persona për të marrë pjesë në “Ekspozitën e 16 Ndërkombëtare të Arkitekturës në Bienalen e Vendikut”.
Personat në fjalë nuk kanë qenë pjesë e Ministrisë dhe nuk dihet qëllimi i kësaj përkrahje apo përfitimi i ministrisë nga pjesëmarrja e tyre në ketë ngjarje.
Vendimi ishte lëshuar në bazë të një kërkese, bërë nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për të përkrahur mbulimin e pjesërishëm të shpenzimeve, pa ofruar ndonjë dokument mbështetës i cili do të tregonte qëllimin apo përfitimin e ministrisë nga kjo ngjarje.
Sipas ZKA-së, shpenzimi i mjeteve financiare për personat që nuk janë pjesë e ministrisë dhe pa përfitime për ministrinë, si dhe mosarsyetimi i mjeteve të shpenzuara, tregon menaxhim jo adekuat të financave publike, dhe shpenzimet si të tilla, mund të konsiderohen shpenzime të parregullta.
“Duhet të sigurohet se çdo shpenzim i bërë nga buxheti i ministrisë bëhet për financimin e aktiviteteve të ministrisë, është i dokumentuar dhe është në përputhje me rregulloret financiare”, thuhet në këtë raport./Indeksonline/