fbpx
Lajme

Ish zëvendëskryeministri serb: Rasti Panda nuk u hetua se e kreu sigurimi serb

Zotat e jetës dhe vdekjes, kështu përshkruheshin njësitet e kohës së luftës të drejtuara nga ish-shefat e Shërbimit të Sigurimit të Shtetit serb Jovica Stanisiç dhe Franko Simatoviç. Stanisiç, ish-kreu i Shërbimit të Sigurimit të Shtetit Serb dhe krahu i tij i djathtë Simatoviç, ish-shefi i Njësisë së Shërbimit të Sigurisë për Operacione Speciale, u akuzuan si pjesë e një ndërmarrje të përbashkët kriminale qëllimi i së cilës ishte dëbimi me forcë dhe I përhershëm i shumicës së jo-serbëve nga zona të mëdha të Kroacisë dhe Bosnjës dhe Hercegovinës. Stanisiç dhe Simatoviç ishin njerëzit kryesorë në krye të njësive sekrete.

Gjatë ekzistencës së tyre nga 1991 deri në 2003, këto njësi kishin emra të ndryshëm – Knindze apo Ninxhat nga Knini, Akrepat, Tigrat e Arkanit, Beretat e Kuqe dhe Njësia e Operacioneve Speciale. Por përdorimi i njësive sekrete për të vrarë ata që pushteti I konsideronte “armiqtë e shtetit” në Serbi, daton shumë dekada më parë sesa shembja e ish-Jugosllavisë. Shërbimi i Sigurimit të Shtetit Serb, i njohur gjithashtu si DB, doli nga shërbimi sekret Jugosllav, i njohur si UDBA dhe më vonë si SDB, i cili operoi nga fundi i Luftës së Dytë Botërore deri në shpërbërjen e Jugosllavisë në fillim të viteve 1990. Stanisic dhe Simatovic u bashkuan me SDB në vitet 1970 kur shërbimi u përqendrua në eliminimin e disidentëve brenda dhe jashtë vendit.

“Qeveria ka një detyrë të përgatisë grupe shtesë të cilat do të na bëjnë të sigurt dhe do të na mundësojnë të mbrojmë interesat e republikës sonë, por edhe interesat e serbëve jashtë Serbisë”, shprehej Sllobodan Millosheviç në Mars të vitit 1991

Në 1991, Stanisiç, shkon në Kroaci për të ndihmuar serbët vendas për të krijuar milici speciale. Njësia e parë aktive ishte Knindze, më pas u formuan Akrepat, të ndjekur nga Garda Vullnetare Serbe e Arkanit, Tigrat. Pothuajse të gjithë anëtarët e këtyre njësive kishin beretë të kuqe, e cila më vonë u bë simboli i njësisë së vetme që DB-ja pranoi se po kontrollonte, e quajtur Njësia Speciale e Policisë, JSO. Askush nga njerëzit e Arkanit nuk u ndoq kurrë për krime lufte në ish Jugosllavi dhe vetë Arkani u qëllua për vdekje në Beograd në 2001.

Pas përfundimit të luftërave në Kroaci dhe Bosnjë, administrata e Millosheviçit vendosi që ata që luftuan në këto njësi elitare të mbeteshin pjesë e aparatit shtetëror. Simatoviç njoftoi zyrtarisht në 1996 krijimin e Njësisë së Operacioneve Speciale të Serbisë, JSO, por pranoi se ajo ishte krijuar në të vërtetë pesë vjet më parë, sic tha ai, “si një mjet për ruajtjen e sigurisë kombëtare të popullit serb … në të gjitha zonat etnike ”.

Në 1998, Stanisiç u largua nga pozicioni i tij si shefi i sigurimit të shtetit dhe Millosheviç emëroi Rade Markoviç si kreun e DB. Millosheviç formoi një skuadër speciale me anëtarë të policisë dhe ushtrisë për të luftuar në Kosovë. Figura kryesore mes tyre ishte një personazh i frikshëm që kishte luftuar në Bosnjë dhe Kroaci, i quajtur Milorad Ulemek, apo Legija. Në gjyqin e Millosheviçit në ICTY, u konfirmua se Legija dhe njësia e tij kishin kryer krime të rënda në Kosovë. U dëshmua gjithashtu se DB ishte përfshirë në të ashtuquajturat “operacione pastrimi”, që kishin të bënin me transportin e trupave të vrarë të shqiptarëve të Kosovës në varre masive në Serbi. Millosheviç vdiq gjatë gjykimit të tij në 2006 dhe gjykatat lokale në Beograd kurrë nuk kanë guxuar të merren me rolin e DB-së në Kosovë.

DB i dha fund historisë së saj në vitin 2002, pasi Millosheviçi u hoq nga pushteti, dhe Rade Markoviç u gjykua për vrasje. Në të njëjtin vit, Serbia formoi Agjencinë e Informacionit të Sigurisë. Shumë nga stafi I DB-së mbetën aktivë në agjencinë e re ose u transferuan në organe të tjera shtetërore. JSO-ja ekzistoi deri në vitin 2003, kur u shpërbë sepse shumë prej anëtarëve të saj, përfshirë Legija, ishin të përfshirë drejtpërdrejt në vrasjen e kryeministrit serb Zoran Gjingjiç. Në të njëjtin vit, ICTY ngriti një padi kundër Stanisiç dhe Simatoviç, duke i akuzuar ata për vrasje, përndjekje në baza politike, racore dhe fetare, dëbim dhe veprime çnjerëzore.

Që nga koha e largimit të Milloshevicit nga pushteti, disa anëtarë të DB-së kanë dalë në gjyq për vrasje politike pas 1999, por jo për krime lufte. Legija u dënua me 40 vjet burg për rolin e tij në vrasjen e Gjingjiç, ndërsa ish-shefi i DB Markoviç aktualisht po vuan një dënim 40-vjeçar për vrasjen e ish-Presidentit serb Ivan Stamboliç dhe krime të tjera. Markoviç dhe tre anëtarë të tjerë të DB u akuzuan për vrasjen e gazetarit dhe kundërshtarit të Millosheviçit Slavko Curuvija në 1999. Të gjitha arkivat e SDB jugosllave dhe DB serbe mbeten të vulosura.

Qeveritë serbe nuk kanë treguar ndonjëherë gadishmëri për t’i hapur,  duke ruajtur të dyllosura secrete të errëta që nuk kanë të bëjnë vetëm me gjithë terrorin që prodhuan për popujt e tjerë të ish-Jugosllavisë, por edhe për vetë serbët. Dhe njëra prej tyre është shumë e hidhur për publikun serb dhe tregon sesa larg mund të shkonin shërbimet secrete serbe në metodat e tyre të frikshme kundër gjithkujt, përfshi edhe vetë popullin e vet. Vrasja e 6 të rinjve serbë në kafenenë Panda në Pejë, për të cilën vetë zyrtarët e lartë serbë pohuan se ishin kryer nga DB-ja dhe njësiti për operacione speciale, është një nga ngjarjet më të errëta për vetë serbët.

VRASJA NE PANDA!

Është data 14 dhjetor 1998.  Dy burra të armatosur dhe të maskuar hyjnë dhe qëllojmë me armë automatike duke vrarë një grup prej 6 të rinjsh serbë të moshës 15 deri në 25 vjeç në një kafene të Pejës të quajtur Panda. Qëllohen për vdekje Ivan Obradoviç, 15 vjec, Vukota Gvozdenovic, 16 vjec, Svetislav Ristic, 18 vjec, Zoran Stanojevic, 18 vjec, Ivan Radevic, 24 vjec dhe Dragan Trifovic, 18 vjec. Plagosen Vlado Loncarevic, 18 vjec, Mirsad Shabovic, 34 vjec dhe Nikolla Rajovic, 18 vjec. Autoritetet serbe nxitojnë ta quajnë akt terrorist dhe fajësojnë shqiptarët dhe UCK-në.  Arrestohen tre të rinj shqiptarë dhe akuzohen për vrasjet. Behar Bajri, Vllaznim Përgjegjaj dhe Agron Kollçaku, dërgohen në burgjet e Serbisë ku torturohen me të gjitha mënyrat dhe mjetet.

Ndërkohë në Kosovë, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirisë së Njeriut, shqyrton të dhënat dhe thotë se pas vrasjeve qëndrojnë Radomir Markoviç dhe Milorad Ulemek, Legija. Ndërsa Natasa Kandiç, drejtoreshë e Fondit për të Drejtën Humanitare në Serbi, e cila pati shkuar në Pejë pas vrasjeve në kafenenë “Panda”, jep më shumë hollësi në një intervistë dhënë për Evropën e Lirë.

 “Selia e ish-Beretave të kuqe, përkatësisht njësiteve për Operacione Speciale ka qenë në shtëpitë e pushimit që gjenden afër Manastirit të Deçanit. Ata, me makinat e tyre “Hummer” ishin vazhdimisht në rrugët e Pejës. Ka qenë njësia lokale “Vetëtima”… Kjo ka ngjallur frikë të tmerrshme në qytet. Pas orës 16, asnjë shqiptar nuk ishte nëpër rrugë. Flitej se për këtë vepronte ‘Dora e zezë’, se njerëzit zhdukeshin dhe se automjetet shëtisnin pa tabela regjistrimi”, thotë Natasha Kandic.

Kandiç do të citonte edhe dëshminë e njërit nga prindërit e 6 të rinjve të vrarë serbë, babait të Zoran Stojaniviçit, i cili u kishte thënë kolegëve të tij shqiptarë me të cilët punonte, se ishin të mirëseardhur në shtëpinë e tij për t’i shprehur ngushëllime, dhe se ai e dinte se kush ia kishte vrarë djalin.

Ndërkohë, makineria vrastare e Sllobodan Milloshevic ka filluar spastrimin etnik në Kosovë. Ushtria, policia, njësitë speciale, paramilitarët kanë nisur operacione në shkallë të gjerë për të zgjidhur atë që shteti serb e quan problem I Kosovës dhe që sipas tij, mund të zgjidhet vetëm nëse Kosova mbetet pa shqiptarë. Motoja e veprimit është “shqiptar i mirë është shqiptari I vdekur.” Vrasjet shtetërore dukej të ishin pjesë e kësaj fushate për të mobilizuar serbët lokalë kundër shqiptarëve.

Deri në fund të luftës, historia e krimit në Panda vazhdoi të trumbetohej ajo që ishte thënë nga krerët e shtetit në Beograd. Por pas largimit nga pushteti të Sllobodan Milloshevicit, kishin filluar të hapeshin dosjet e vjetra, përfshi edhe atë të Pandës. Ish zyrtari i Sigurimit Shtetëror të Serbisë kishte ofruar dëshmi se vrasjen e 6 të rinjve serbë në kafenenë Panda në Pejë në vitin 1998 e kishte urdhëruar UDB-ja, me urdhër të Radomir Markoviçit dhe e kishte kryer Njësiti i Operacioneve Speciale apo të ashtuquajturat Beretat e Kuqe, të komanduara nga Miroslav Ulemek Legija. Markoviç dhe Legija akuzonin njëri tjetrin për vrasjen e të rinjve në Pejë ndërkohë që ndërkohë që çështja mbetet e pazgjidhur nga autoritetet serbe të drejtësisë. Famëkeqi Legija është në burg në Serbi në lidhje me organizimin e vrasjes së kryeministrit serb Zoran Gjingjiç.

Vite më vonë,  në  vitin 2014, autoritetet serbe do të pohonin se nuk kishte argumente se krimi në Pejë ishte bërë nga shqiptarët dhe do të paralajmëronin se opinioni në Serbi do të ballafaqohej me lajme të tmerrshme lidhur me atë që kishte ndodhur.

Më 28 dhjetor 2013, Aleksandër Vuçiç, atëherë zv.kryeministër dhe kreu i Byrosë për Koordinimin e Shërbimeve të Sigurisë, deklaron publikisht se nuk kishte prova se krimi ishte kryer nga shqiptarët dhe se publiku në Serbi do të përballej me informacione të tmerrshme. Vuçiç deklaron në një emision televiziv të quajtur “Teshka Reç” në TV Pink, se masakra në kafenenë e Penda “Panda” nuk ishte kryer nga shqiptarët “siç besohej deri atëherë”.

 “Ka shumë gjëra të tmerrshme me të cilat do të duhet të përballemi, siç është vrasja e serbëve në kafenenë “Panda” në Kosovë në vitin 1998, për të cilën nuk ka prova se është kryer nga shqiptarët, siç besohej”, shprehej ai.

Dy vjet më vonë, Vuçiç do të fliste përsëri për atë që kishte ndodhur në Panda. “Unë jam pothuajse i sigurt për atë se çfarë ndodhi në kafenenë Panda, por nuk ka asnjë provë. Unë nuk jam i sigurt se organet tona mund të ishin krenarë për atë që bënë atëherë.”

Edhe udhëheqësi i opozitës në atë kohë, Vuk Drashkoviç, deklaroi se kishte mësuar nga burime të sigurta se ka prova se të rinjtë në Panda u vranë nga anëtarët e forcave speciale të Legijas, skuadrat e vdekjes që lanë shenjat e tyre të përgjakshme kudo.

“Më 14 dhjetor 1998, Peja nuk kontrollohej nga asnjë UÇK, Peja kontrollohej nga ushtria jonë, policia jonë, dhe JSO dhe forcat e tjera parapolike. Dhe tani, papritmas, përmes asaj Peje, përmes forcës sonë, ushtrisë, dy terroristë të maskuar të UÇK-së hyjnë në një kafene në qendër të qytetit, vrasin të rinj dhe ikin. Ministri i Policisë thotë në një intervistë se asnjë hetim nuk është kryer për incidentin. E tmerrshme. Pse jo? Epo, atje ku sigurimi i shtetit vret, nuk ka asnjë hetim. Të gjitha gjurmët çojnë tek JSO, ajo ishte një njësi terroriste e shërbimit shtetëror të sigurimit”, deklaronte Vuk Drashkovic.

Drashkoviç do të jepte hollësi të tjera. “Në dijeninë time,ka prova se arma nga e cila u qëllua ishte në zotërim të formacionit të Legijas.”

Vrasjet e 6 të rinjve serbë në Panda nuk do të ishin të vetmet. Brenda Serbisë po ndodhte paralel me luftën edhe një proces spastrimi i kundërshtarëve politikë apo thjeshtë të atyre që mendonin ndryshe. Vrasja e ish-kryeministrit Gjingjiç vuri në lëvizje shtetin serb, për të kapur dhe vënë pas hekurave të paprekshmit, ata që për dekada kishin bërë me përpikmëri, pikërisht atë që i njëjti shtet me zyrtarët e tij, u kishte kërkuar, me një fjalë, të gjitha punët e tij të pista dhe kriminale.  Kështu, më 8 korrik të vitit 2005, një gjykatë serbe dënoi kreun e policisë sekrete të ish-Presidentit Sllobodan Millosheviç, Radomir Markoviç, dhe gjashtë ish-kolegët e tij për vrasjen e presidentit serb të epokës komuniste Ivan Stamboliç.

Shtatë oficerët u dënuan për pjesëmarrje në vrasjen e Stambolic në gusht 2000. Të shtatë u shpallën fajtorë edhe për përpjekjen për vrasje të udhëheqësit të opozitës Vuk Drashkoviç. Dënimet shkonin nga 15 deri në 40 vjet burg secili. Markoviç, i cili si kreu i policisë sekrete ndihmoi në planifikimin dhe mbulimin e krimit, u dënua me 15 vjet burg ndërsa Milorad Ulemek “Legija”, i cili komandoi njësinë e atentatorëve specialë, u dënua me 40 vjet burg. Legija u akuzua edhe për  organizimin e vrasjes së kryeministrit serb Zoran Gjingjiç në Mars të vitit 2003.

Ndërkohë që Markoviç dhe Legija akuzonin njëri-tjetrin për krimin në Panda, autoritetet serbe filluan një hetim në maj të vitit 2016, për të zbuluar autorët dhe organizatorët e këtij krimi, por detajet nga hetimi i filluar, nuk u bënë kurrë publike, sepse të gjithë ata që u morën në pyetje në Prokurorinë e Krimit të Organizuar u paralajmëruan që të mos zbulonin publikisht asnjë detaj nga biseda me prokurorin.  Dhe fakti mbetet që askush, sot e kësaj dite, nuk është dënuar për vrasjen e 6 të rinjve serbë nga vetë shteti i Serbisë në vitin 1998.

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close