Ish-Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Nehat Mustafa, ka thënë se Policia e Kosovës në vend të reagimeve të mjerueshme duhet të merret me pastrimin e elementëve kriminalë që ka brenda vetes.
“Qëndroj prapa asaj që kam thënë para afër një viti. Qëndrimet e mia të atëhershme nuk kanë qenë kundër Policisë së Kosovës dhe punës së mirë që bëjnë pjesa më e madhe e saj, por, kundër pjesës së diskutueshme. Mendoj se menaxhmenti i Policisë është dashur të më falënderojë atëherë për temën e hapur e jo të më sulmonte në mënyrën më të ultë, duke u munduar të më paraqesin si armik të Policisë. Reagimi i atëhershëm i PDK’së ndaj meje ka qenë mjerues dhe koha e ka demantuar këtë”, ka thënë Mustafa, për Express, të dielën.
Ndërkohë, në shkurt të këtij viti, Mustafa, në cilësinë e Zëvendësministri të Punëve të Brendshme kishte denoncuar një nga një rastet kriminale në Polici. Atëherë, nuk kishte përmendur emra, por kishte thënë se është i gatshëm të dëshmojë para Prokurorisë.
“Pastrimi i policisë nga elementet kriminale dhe të korruptuara është shërbimi më i madh që mund t`iu bëhet qytetarëve”, kishte thënë atëkohë Zëvendësministri i Brendshëm.
“Ka përfolje se:– shumë policë janë frekuentues të rregullt të kazinove dhe se aty humbin shuma parash shumë herë më të mëdha se të ardhurat e tyre mujore nga pagat. Nga prejardhja e atyre parave ?!;– policë të caktuar ruajnë diskotekat me në emër anëmbanë Kosovës, diskoteka në të cilat ka dyshime se përdorën lëndë narkotike dhe shërbehen pijet alkoolike për të miturit, ( pse po dështojnë shumë aksione të Drejtorisë për Hetimin dhe Trafikimin e Narkotikëve ?!);– policë ( besa edhe eprorë ) të caktuar më shumë mund ti shohësh në ambiente të universiteteve publike e kolegjeve private , se sa në zyrat e tyre të punës, etj.,etj.Heshtja përballë këtyre fenomeneve zbehë punën e madhe që ka bërë e po bënë Policia e Kosovës. Është koha e fundit të tregohet vendosmëri më e madhe në luftimin e këtyre dukurive”, kishte shtuar ai.