fbpx
Lajme

Baton Haxhiu zbulon lojën e Albin Kurtit me Veriun

Kur shefi i atëhershëm i Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, u tërhoq zvarrë nga njësitet speciale të policisë së Kosovës për shkak hyrjes pa leje ne komunat veriore të Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe te tijët shfaqen mëdyshjen se kjo ishte një manovër e koordinuar Thaci-Vucic në shërbim të ndarjes së vendit.

Pra, në vend se ta përshëndeste këtë veprim, si hap për shtrirjen e sovranitetit edhe në pjesën e cenuar të Veriut të Kosovës, Kurti përpiloi një konspiracion vetëm për t’i mos i dhënë asnjë meritë kundërshtarëve të tij politik. Në të vërtetë, këtu nuk ka asgjë për t’u habitur nga njeriu i cili nuk ka harruar asnjëherë për t’i bërë llogaritë e perfitimeve personale në kurriz të interesave të vendit me gjithfarë konstruksionesh demagogjike, nga refuzimi i Rambujesë, kundërshtimi i Planit të Ahtisaarit, mohimi i Pavarësisë, heshtja me rastin e mbarimit të pavarësisë së mbikëqyrur nga ICO, largimi nga seanca për Marrëveshje të Stabilizim-Asociimit e çka jo tjetër.

Po i njëjti, pak ditë më parë, si një djalosh i shkëlqyer, deklaroi se nuk i mungoi aspak Vucic në Berlin vetëm pasi nënshkroi disa marrëveshje rajonale, përfshirë me Bernabic, me Kosovën e përfaqësuar me footnote.

Pra, për ta mbuluar shkeljen e premtimeve të tij gati njëdekadëshe me rastin e firmosjes me Brnabic duke përfaqësuar Kosovën me footnote, Albin Kurti u be gjoja se nuk po e honeps mungesën e Vucicit në mbledhjen e Berlinit.

Por çka nuk po kapim dot në gjithë këtë situatë? Kurti që refuzoi të kapë armën atëherë kur ishte në pyetje shuarja e ekzistencës së kësaj pjese të kombit, tani insiston deri në fund që zgjidhja edhe le të jetë me armë po qe nevoja? As vetë Kurti dhe askush nuk familja e tij nuk ka marrë pjesë në luftë, si shpjegohet që tash u bë kaq militar?

Për një shpjegim, le të përfitojmë pak nga mendja konspirative e kryeministrit dhe te analizojmë me kutin e tij.

Pavarësisht shfaqjeve, shumëherë të pakuptimta, të Albin Kurtit, te cilat tashme nuk është kurrfarë sfide e posaçme për t’i zbërthyer që në shikim të parë, duket se ekziston diçka më e thellë në marrëdhënien e tij me Vucic.

Në një shkrim para disa kohesh, pata sjellur në vëmendje faktin se tashmë Vucic dhe Kurti janë në bisedime të fshehta për çështjen e mbylljes së dialogut për normalizim marrëdhëniesh mes Kosovës dhe Serbisë.

Jo shumë më larg nga ky moment, doli edhe lajmi se Franca dhe Gjermania kanë përgatitur një propozim konkret për ta zgjidhur këtë çështje. Ky propozim, ndërkaq, nuk është formuluar brenda një nate në kancelaritë e këtyre kryeqyteteve evropiane, por është përgatitur duke biseduar ngushtësisht për një copë kohë me të dyja palët.

Për më shumë, njeriu që është ngritur politikisht duke kërkuar transparencë e dialog të hapur politik me Serbinë, jo vetëm që u be sinonim i negociatave tinëzare me Vucicin, por deri në çastin e fundit mohoi paturpësisht edhe ekzistencën e planit franko-gjerman. Lidhur me këtë çështje, në opinion më nuk ekziston asnjë pikëpyetje.

Sidoqoftë, në opinionin vendore, ekzistojnë disa pikëpyetje të tjera.

Fillimisht, pse Albin Kurti, i cili rrezoi Qeverinë e tij me LDK duke shfrytëzuar edhe besëprerjen karakteristike të Vjosa Osmanit për shkak të ‘reciprocitetit’, tani që ka gjithë pushtetin në duart e tij nuk po i vendos ‘reciprocitet ekonomik’ Serbisë?

Përgjigja është e thjeshtë: sepse ai ka ndarë mendjen për t’i vazhduar negociatat me Aleksandër Vucic. Sidoqoftë, pse Albin Kurti i cili asnjëherë në opozitë nuk e ka ngritur punën e letërnjoftimeve, lejekalimeve apo targave, e ka shndërruar këtë çështje në kauzë të tij kryesore politike?

Fillimisht, kur e ka bërë ishte shenjë e qartë e dorëzimit të tij para presionit të Serbisë (edhe një pjesë të faktorit ndërkombëtar) për trajtim të veçantë të regjimit të targave në Veri të Kosovës.

Sot, ndërkaq, kur ai është në një rrethanë të hapur për mbylljen e të gjitha çështjeve me Serbinë me mbështetjen e BE-se dhe ShBA-se, a nuk duket shkurtpamëse shkaktimi i gjithë kësaj situate të rëndë vetëm për shkak të një politike edhe ashtu gjysmake për targa?

Kjo punë kërkon një shtjellim pak më të hollësishëm.

Megjithatë, në çdo rrethanë, ka shumë të ngjarë që Albin Kurti është duke e shtyrë këtë politikë shtetërore në koordinim të ngushtë me Aleksandër Vucic.

Mundësia e parë është se Albin Kurti e Aleksandër Vucic janë të pakënaqur me përmbajtjen e projektit franko-gjerman.

Sidoqoftë, të dy i kuptojnë fare mire pasojat politike nëse refuzojnë veç e veç një plan të tillë.

Në këtë kuptim, ata mund të jenë marrë vesh për inskenim të një situate në Veri, për t’ia humbur hapin dialogut në Bruksel dhe në të njëjtën kohë për ta zhbërë momentumin e projektit franko-gjerman.

Të jemi të qartë, Albin Kurti e di fare mirë se puna e targave s’ka asnjë lidhje me reciprocitet. Në fakt, vetë ai ka qenë zëdhënësi kryesor i idesë se themeli i reciprocitetit është ekonomik.

Po ashtu, Albin Kurti ka qenë i informuar hollësisht prej të emëruarve të tij në institucione të sigurisë se në Veri prej kohesh janë futur kamionë me pesha të rënda për bllokim rrugësh, janë nxjerrë materiale të ndjeshme prej objekteve që mund të jenë cak i bastisjeve, kanë hyrë persona me aftësi të specializuara luftarake nga Serbia dhe, me e rëndësishmja, se serbet janë duke planifikuar largim prej institucioneve shtetërore të Kosovës. Pavarësisht kësaj situate me potencial shpërthyes, Albin Kurti ka zgjedhur të merret me një temë krejtësisht të vogël përballë këtij konteksti zhvillimesh, duke rrezikuar edhe sovranitetin në Veri të vendit edhe marrëdhënien me partnerë ndërkombëtarë.

Është budalla, a është i shitur? As njëra dhe as tjetra. Është thjesht marrëveshje!

Ka mundësi se këto veprime drejt përshkallëzimit të situatës nuk janë asgjë tjetër vetëm pjesë e një plani Kurti-Vucic për ta djegur momentumin e një marrëveshje politike sipas formulës franko-gjermane. Sidoqoftë, kjo është vetëm një mundësi që është shumë më e vogël sesa mundësia që Kurti dhe Vucic i kanë bashkuar përpjekjet për të trazuar Veriun e Republikës së Kosovës, vetëm për të krijuar kontekstin e nevojshëm për arritje të marrëveshjes.

Mundësia e dytë, pra, është se Albin Kurti e Aleksandër Vucic kanë nevojë për përshkallëzim të skajshëm të situatës në Veri pikërisht që të krijojnë kontekstin e duhur për nënshkrimin e formulës franko-gjermane.

Duke e sjellur situatën në Veri deri në pikën edhe të një ballafaqimi të armatosur, Aleksandër Vucic e ka fare të lehtë ta shtyjë argumentin e tij që është duke e përdorur gjithnjë e më shumë, se ai është i gatshëm të pranoj çdo gjë vetëm për të shmangur një luftë tjetër për Kosovën. Ne fund, me një interpretim pak më fleksibil të propozimit franko-gjerman, Vucic do të thotë se ka arritur një marrëveshje qe nuk e formalizon njohjen e Kosovës dhe i siguron Serbisë anëtarësim të përshpejtuar në BE.

Fundja, pasi Serbia të bëhet anëtare e BE-se, fiton çdo të drejtë për t’i vendosur kushte të posaçme Kosovës në rrugën e saj evropiane, siç beri deri vonë, ta zëmë, Bullgaria me Maqedoninë e Veriut. Në këtë kuptim, trazimi i gjendjes ne Veri do t’ia mundësojë Vucic për t’ia lidhur kryet planit franko-gjerman, pa shume pasoja te brendshme dhe duke e relativizuar përgjegjësinë historike.

Nga ana tjetër, Albin Kurti me këto veprime dëshiron vetëm tri gjera në rrafsh të brendshëm dhe atë ndërkombëtar para se t’i bie me laps (kalem) faqes së pranimit të projektit franko-gjerman.

Së pari, ai është duke vendosur opozitën në një kurth, të cilët vetëm kanë filluar të kritikojnë pse nuk po e kurorëzon më shpejtë marrëveshjen. Në këto rrethana, askush nga partitë parlamentare nuk do ta ketë pastaj të drejtën morale për të mos e votuar marrëveshjen dhe ndarë përgjegjësinë me Kurtin.

Së dyti, ai dëshiron të shtojë edhe pak trysninë ndërkombëtare në mënyrë që vetë qytetarët e Kosovës të tronditur nga prishja e mundshme me BE dhe ShBA, të pranojnë çfarëdo marrëveshje si  propozimi franko-gjerman.

Së treti, ai synon të krijojë një kontekst artificial për ta arsyetuar në mënyrë të rrejshme nënshkrimin e kësaj marrëveshje si veprimin më të mençur për ta luftuar planin rus për përhapje të luftës nga Ukraina edhe në Ballkan Perëndimor.

Pra, po shihet nga avioni se ai gjithnjë e më tepër ka përdorur kontekstin gjeopolitik te krijuar nga lufta në Ukrainë për të arsyetuar lëshimet e tij ndaj Serbisë.

Kësisoj, ai do të falsifikojë një kontekst historik për të arsyetuar shkeljen e çdo zotimi të bërë deri në atë ditë si dhe do të plotësojë nevojën e tij psikologjike për t’u dukur si akter i rëndësishëm në rrjedhën e historisë botërore.

Ne çdo rrethanë, kjo pune nuk ka asgjë të bejë me veprimet e njëanshme kombëtare të Qeverisë apo shkurtpamësinë strategjike të Kurtit.

Është thjesht një lojë e shëmtuar prapaskenash Kurti-Vucic të cilat kanë filluar shumë, shumë kohë para se plani franko-gjerman të dal në dritë.

P.S

Pakkush pajtohet me Kurtin në bashkësinë ndërkombëtare. Te ata nuk është gjithçka ashtu si duket nga jashtë. Por, nëse s’keni fuqi ta impnoni planin, atëherë Kosova o është e pavarur o e zhbërë. Kjo është dilema e këtij momenti.

Nëse nuk është, atëherë le të na hapin rrugë e le të bashkohemi me Shqipërinë. Ose le te përkrahin pavarësinë ose të hapin rrugën për bashkim.

“Kosovos Hamlet moment”, do thoshte ky miku im diplomat. /Albanianpost.com

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close