Izet Haxhia: Berisha më kërkoi të bombardoj ambasadën amerikane 1997, rrëfimi për plot krime
Izet Haxhia i është përgjigjur akuzave të bëra nga ish- kryeministri Sali Berisha gjatë një emisioni televiziv, ku e quan Haxhinë një vrasës.
Haxhia lëshon një seri akuzash shumë të rënda për Berishën, duke thënë se ai e ka urdhëruar të bombardojë ambasadën amerikane.
“Përsa i përket akuzave që më bën si vrasës dhe i dënuar nga gjykata… harrove kush e bëri denoncimin e parë ndaj vëllezërve të mi? Si frikacak i lig që je, e ke bërë ti në Ambasadën Amerikane pasi u vra Fatmir Haklaj, nga i cili të shkonin shtatë nga frika.
Ai u vra nga terroristi dhe miku yt personal, Anton Gjergji, që takohej me ty para operacioneve në Tropojë. Zoti Berisha, kush është vrasës, unë apo ti?
Kush ia çoi armët në Vlorë për luftën mes bandave rivale, bandës së Kakamit?
A kanë marrë pjesë në grupin e zjarrit që vranë më 21 janar, persona afër teje që kanë vrarë të pafajshëm në mars 1997 në Përmet?
Kush dha urdhrin për vendosjen e bombës në lokalin e Lush Përpalit, bombën tek fondacioni Soros, tek makina e Arben Ujkës?
Personi që vrau policin nga Tepelena më 13 mars, a është sot një miku jot dhe a ka gëzuar poste në qeverisjen tënde?
Kush e vodhi thesarin në Krrabë në mars 1997, pasi njerëzit e mi i tërhoqe nga ruajtja dhe ua dhe grupit të SHIK me Xhahit Xhaferin në krye?
A të kujtohet pse u ndamë përfundimisht bashkë? Për moszbatimin e cilës porosi?
Mos më porosite që të bombardoja ambasadën e një vendi mik, ambasadoren e së cilës e quajte lavire e që duhej ndëshkuar?
Kujtohu pak.
Ti je vrasësi i Tropojës. A të kujtohet kur më kërkove që të dërgoja njerëzit e mi me autoblinda të shtypnin tropojanët që urreje?
A të kujtohet kur u largova nga presidenca me njerëzit e mi dhe ngele vetëm dhe nga frika që të kapi, fusje gruan e vajzës të më merrnin në telefon e të më luteshin të kthehesha duke më thënë se Saliu nuk është mirë nga ana psikologjike?
Kush e dha urdhrin mbrëmjen e 13 shtatorit kur the duhet të hakmerremi ndaj Fatos Nanos, që pastaj e bëre mik? Pse i ndërron vrasësit sipas kohës?” thotë Haxhia për gazetën DITA. https://www.gazetatema.net/2014/09/17/izet-haxhia-berisha-me-kerkoi-te-bombardoj-ambasaden-amerikane-me-21-janar-qelluan-njerezit-qe-kane-vrare-ne-97-en-ne-permet