“Jep para para zgjedhjeve e avancohu pas zgjedhjeve, donatorja e Vetëvendosjes hyn në bord të Telekomit”
Mbi 170 mijë euro ishte shuma e donacioneve që shumë njerëz i dhanë Lëvizjes Vetëvendosje për zgjedhjet e 14 shkurtit, në të cilat ajo mori 50.28% të votave. Në mesin e shumë donatorëve ishte edhe Sajmie Thaçi, anëtarja e bordit të Ndërmarrjes Publike “Telekomi i Kosovës”.Ajo dha 20 euro donacion për partinë e Albin Kurtit më 10 shkurt të këtij viti. Këtë donacion për partinë e Kurtit, ajo e kishte bërë pak ditë pa u bërë një muaj që kur ishte intervistuar për anëtare të bordit të Telekomit të Kosovës. Sajmie Thaçi, pas intervistimit që ishte bërë në kohën e qeverisë Hoti, ishte renditur e treta në listën e komisionit vendor dhe e gjashta apo e fundit kandidate e emërueshme sipas vlerësimit të BDO-së. Sipas sondazheve të publikuara nga Vetëvendosja, kjo parti pritej që të dilte partia më e votuar në Kosovë.Në një prononcim për KALLXO.com, Thaçi tha se ky është donacioni i vetëm që ka dhënë për Lëvizjen Vetëvendosjen.
Thaçi deklaroi se donacioni për Vetëvendosjen nuk ka ndonjë lidhje me përkatësinë politike.“Është i vetmi donacion. I kam dhënë në mënyrë vullnetare, jo nuk jam favorizuar. Unë jam zgjedhur me konkurs të rregullt, kur ka qenë qeveria Hoti”, thotë ajo.Anëtarja e bordit të “Telekomit të Kosovës” shtoi se donacionin e ka dhënë për të ndihmuar partinë e Albin Kurtit por pa pasur ndonjë qëllim tjetër.“Unë jap donacione edhe për të tjerët, nuk ka qenë me ndonjë tendencë, në këtë rast shuma është vetëm 20 euro, unë jap donacione edhe tjetër kah. Ne jemi edhe për nga tradita kështu, me i ndihmu, human. Ka qenë fushatë nëse nuk gaboj, me i ndihmu diçka, jo diçka tjetër”, tha ajo.Sajmie Thaçi është zgjedhur anëtare e bordit të Telekomit të Kosovës përmes konkursit publik. Ajo, së bashku me 14 kandidatë të tjerë janë intervistar në janar të këtij viti, kur në krye të ekzekutivit ishte Avdullah Hoti i LDK-së.Javën e kaluar, KALLXO.com raportoi se edhe anëtari i bordit të përkohshëm në “Postën e Kosovës”, Naim Haliti, që u emërua nga qeveria Kurti, kishte dhënë donacion për Lëvizjen Vetëvendosje. Vetë Haliti e kishte pranuar që 100 euro donacion më datën 25 janar të këtij viti, nuk ishte donacioni i vetëm për partinë e Albin Kurtit.Zgjedhja e bordit të Telekomit të Kosovës
Më 21 prill apo rreth tre muaj pas intervistimit të kandidatëve për anëtarë të bordit të Telekomit të Kosovës dhe rreth një muaj pasi u votua në Kuvend, Qeveria e Kosovës me në krye Albin Kurtin, e emëroi bordin e Telekomit të Kosovës. Anëtarët e bordit të Telekomit të Kosovës janë zgjedhur nga lista e kandidatëve të intervistuar në muajin janar, gjatë qeverisë Hoti.Anëtarët e emëruar të bordit të Telekomit të Kosovës janë tri gra dhe tre burra: Shpëtim Dobra – kryesues, Sajmie Thaçi, Florina Jerliu, Mimoza Vila, Agim Muqaj, Remzi Ahmeti – anëtarë.Në bordin e Telekomit të Kosovës janë emëruar disa prej kandidatëve që sipas vlerësimit të Komisionit vendor dhe BDO-së – kompanisë angleze të angazhuar nga Ambasada Britanike për t’i ofruar asistencë institucioneve në rekrutim, kanë qenë të paemërueshëm e disa të tjerë që janë renditur lart në të dy listat.Anëtar i bordit të Telekomit zgjidhet kandidati “i paemërueshëm”Njëri prej anëtarëve të emëruar nga Qeveria Kurti është edhe Remzi Ahmeti, i cili edhe sipas Komisionit vendor dhe kompanisë britanike BDO, ka qenë i paemërueshëm për pozitën e anëtarit të bordit të Telekomit të Kosovës.Prej 14 kandidatëve të intervistuar në muajin janar, 12 emra kanë shkuar në Qeveri pra dy emra për një pozitë të anëtarit të bordit.
Dy kandidatët të cilët nuk janë dërguar në Qeverinë e Kosovës janë Xhenet Kolgeci dhe Remzi Ahmeti.Remzi Ahmeti është renditur në vendin e 13-të, apo i parafundit me 12.4 pikë nga totali prej 30 pikëve të mundshme.Ahmeti ka qenë i paemërueshëm edhe sipas BDO-së, kompanisë britanike të angazhuar nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë. Sipas vlerësimit të BDO-së, Ahmeti është poentuar me 9.5 pikë duke u radhitur në pozitën e 13-të.Emërimi i më të poentuarve dhe më pak të poetuarveKandidati që është poentuar më së shumti nga Komisioni vendor ka qenë Mehmet Berisha. Berisha ishte emëruar kryesues i bordit të përkohshëm të Telekomit të Kosovës nga Qeveria Hoti. Ai është poentuar me 26.2 nga 30 pikëshi i mundshëm nga Komisioni vendor.
Ndërsa nga BDO ai është radhitur i pesti me 16.5 pikë. Por edhe pse emri i Berishës i është dërguar si i pari në listë, ai nuk është emëruar nga Qeveria Kurti 2.As kandidati Teki Shala nuk është emëruar në bordin e Telekomit të Kosovës edhe pse sipas vlerësimit të britanikëve ai është radhitur i pari me 26 pikë. Shala sipas vlerësimit të Komisionit vendor është radhitur i shtati me 17.8 pikë.Teki Shala u emërua anëtar i bordit të përkohshëm të Telekomit të Kosovës nga Qeveria Kurti 1, ku pjesë e qeverisë ishte edhe LDK-ja. Pas çarjes së koalicionit me LDK-në, Kurti me ministrat e LVV-së vendosi ta shkarkonte atë, pak më shumë se një muaj pasi e kishte emëruar. Pastaj, kur erdhi Qeveria Hoti, përsëri e riemëroi Teki Shalën në bordin e përkohshëm të Telekomit të Kosovës.Kandidati Teki Shala ka qenë Drejtor për Buxhet dhe Financa (2014-2017) në Komunën e Gjakovës. Ai u propozua nga LDK gjatë mandatit të Mimoza Kusari – Lila si kryetare e kësaj komune e cila ishte në koalicion me disa parti, përfshirë LDK-në. Ish-ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi kishte thënë se ata nuk e dinin që Teki Shala ishte emëruar politikisht në Komunën e Gjakovës nga LDK-ja kur ata e emëruan atë në bordin e përkohshëm të Telekomit të Kosovës.Mimoza Vila është emëruar në mesin e gjashtë anëtarëve të bordit të Telekomit të Kosovës nga Qeveria Kurti. Vila është radhitur e dyta në të dy vlerësimet, nga Komisioni vendor dhe BDO. Kandidatja Vila është poentuar me 22.8 pikë nga Komisioni vendor dhe me 23.5 pikë nga BDO.Gruaja e dytë e emëruar në bordin e Telekomit të Kosovës është Sajmie Thaçi. Kandidatja Thaçi është renditur e treta në listën e Komisionit vendor me 21.4 pikë ndërsa e gjashta me 16 pikë nga BDO. Thaçi ka qenë kandidatja e fundit e emërueshme në listën e BDO-së.Pjesë e bordit të Telekomit të Kosovës është edhe Shpëtim Dobra. Te kandidati Dobra ka pasur dallim në vlerësim mes Komisionit vendor dhe BDO-së. Te Komisioni vendor, Dobra ka marrë 16 pikë dhe është radhitur në pozitën e 11-të ndërsa në listën e britanikëve, Dobra është radhitur i katërti me 20 pikë.Florina Jerliu, është anëtarja tjetër e emëruar në bordin e Telekomit të Kosovës. Jerliu ka qenë e paemërueshme sipas britanikëve duke u radhitur e 10-ta me 11.5 pikë. Në pozitën e njëjtë, pra në pozitën e 10-të është radhitur edhe sipas Komisionit vendor, prej të cilëve ajo ka marrë 16.2 pikë. Meqë komisioni vendor i propozon qeverisë 12 kandidatë, ajo ishte në mesin e kandidatëve të emërueshëm.Anëtari i fundit i emëruar në bordin e Telekomit të Kosovës është Agim Muçaj. Muçaj kishte marrë marrë pikë të njëjta me Shpëtim Dobrën nga Komisioni vendor, gjithsej 16 pikë, duke u radhitur i 11-ti. Sipas vlerësimit të britanikëve, Muçaj ishte i paemërueshëm. Ai ka marrë 10.5 pikë dhe është renditur në pozitën e 11-të.Intervistat për anëtarë të Bordit të Telekomit të Kosovës janë zhvilluar më 12, 13 dhe 14 janar 2021.
Brenda këtyre tri ditëve janë intervistuar 14 kandidatë nga 17 sa kanë qenë në listë të ngushtë. Tre prej kandidatëve edhe pse janë ftuar në intervistë, nuk kanë ardhur.Anëtarë të Komisionit vlerësues kanë qenë: Izedin Bytyqi – atëherë Sekretar i Përgjithshëm në MI (kryesues), Rozafa Ukimeraj – atëherë Sekretare e Përgjithshme në Ministrinë e Mbrojtjes, Ahmet Zejnullahu – Kryeshef i Agjencisë Pyjore të Kosovës/MBPZhR, Refike Sulqevsi – Drejtoreshë e Përgjithshme në IKAP/MPB, Mentor Sylmeta – U.D Sekretar i Përgjithshëm në MEA dhe Shahe Kukaj – NjPMNP/MEA.Për shkak të COVID-19 dhe masave të marra nga Qeveria e Kosovës, gjatë intervistimit të kandidatëve për anëtarë të Bordit të Telekomit të Kosovës në muajin janar, anëtarët e Komisionit përzgjedhës dhe monitoruesit janë ndarë në dy salla të ndryshme.Në njërën sallë kanë qëndruar tre anëtarë të Komisionit, Izedin Bytyqi, Ahmet Zejnullahu dhe Refike Sulqevsi, ku edhe kanë hyrë kandidatët për intervistim. Ndërsa në sallën tjetër kanë qenë dy anëtare të Komisionit, Rozafa Ukimeraj dhe Shahe Kukaj, përfaqësuesi i Ambasadës britanike dhe monitoruesja e BIRN.Telekomi i Kosovës ka qenë me borde të përkohshme për më shumë se një vjet, që nga shkarkimi i bordit të rregullt të kësaj ndërmarrje nga Qeveria Kurti 1 në muajin shkurt të vitit 2020.