Kelmendi: Demonizimi i UÇK-së i shërben vetëm armiqve të shqiptarëve
Shkruan: Adriatik Kelmendi
Lufta më e madhe speciale kundër UÇK-së është bërë nga ata që kanë dashur ta barazojnë luftën e pjesëtarëve të UÇK-së me matrapazët që kanë veshur uniformat e UÇK-së për përfitime të pasluftës.
Kjo herë është bërë nga padija, herë nga ndjenja e fajit për moskontribut në luftë (pak më shumë se 1 % e popullsisë së Kosovës kanë veshur uniformën e UÇK-së) dhe besa herë edhe me nxitje nga Serbia.
Demonizimi i UÇK-së – i njerëzve që kanë kapur pushkën dhe kanë lënë fëmijët prapa qoftë për një natë të vetme – i ka shërbyer vetëm armiqve të shqiptarëve dhe të Kosovës.
Mos ma barazoni pjesëtarin e UÇK-së me veteranin e rremë. Listat e veteranëve duhet të pastrohen nga të rremët, sipas ligjit në fuqi. Kjo është dashur të bëhet vite më parë dhe nuk po e kuptoj pse po zvarritet edhe sot.
Por kjo nuk i jep askujt të drejtë që djallëzisht t’i përdorë matrapazët dhe t’i barazojë me luftëtarët e lirisë.
UÇK-ja është arritja më e madhe e popullit shqiptar në shekullin e kaluar! Pikë! Individët as nga brenda e as nga jashtë nuk mund t’ia zbehin lavdinë!
E për matrapazët – vlen ligji. Si për kohën e luftës, ashtu edhe të pasluftës!
Kur përzihen gjërat, po kutërbon!