fbpx
Lajme

Kërcënimi me vrasje i Dick Martyt: Zvicra thotë se s’i mori të gjitha informacionet nga Serbia

Kur kanë kaluar tash e sa muaj nga kërcënimi i ish-senatorit zviceran, Dick Marty, ky i fundit po vazhdohet të ruhet nga Policia e Zvicrës me mbrojtje të afër. Megjithatë, kërcënimi me vrasje i Martyt nga Intelegjenca e Serbisë për t’i fajësuar shqiptarët, nuk është zbardhur ende. Madje, Beogradi zyrtar nuk ia ka ofruar të gjitha informacionet Policisë zvicerane. Nacionale sjell detaje.

Ish-senatori zviceran që e hartoi raportin për trafikim organesh nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, Dick Marty, vazhdon të ruhet nga Policia e Zvicrës. Kërcënimi që atij i erdhi nga struktura të caktuara serbe për t’ia lënë fajin Kosovës, vazhdon të trajtohet nga institucionet zvicerane.

Megjithatë, zbardhja e plotë e këtij rasti duket ende larg. Arsye për këtë po del se Serbia nuk po bashkëpunon me Zvicrën. Kështu të paktën ka lënë të nënkuptohet përgjigja e Policisë së Zvicrës për gazetën Nacionale.

“Autoritetet zvicerane janë në kontakt me autoritetet serbe në nivele të ndryshme. Në veçanti, një shkëmbim informacioni me policinë serbe është iniciuar përmes Policisë Federale të Zvicrës. Tashmë janë zhvilluar shkëmbime dhe takime ndërmjet Policisë Federale dhe autoriteteve policore serbe. Shkëmbimi është profesional dhe konstruktiv. Megjithatë, ende nuk kemi marrë të gjitha informacionet për rezultatet e hetimeve të tyre”, thuhet në përgjigjen e Policisë për gazetën Nacionale.

Kërcënimi Martyt i kishte ardhur nga persona të lidhur me Shërbimin Sekret Serb. Qëllimi ishte që faji t’i mbetej Kosovës. Krejt kjo ndodhi pak ditë pasi krerët e UÇK-së u arrestuan e u dërguan në Hagë. Ky zhvillim do ta bënte edhe më të besueshëm planin e Serbisë.

Pas gjithë kësaj situate, Marty edhe sot e asaj dite vazhdon të mbrohet afër nga Policia e Zvicrës, përfshirë edhe mbrojtjen afër në shtëpinë e tij.

“Për të garantuar sigurinë e zotit Marty, Policia i ka ofruar atij mbrojtje gjithëpërfshirëse bazuar në një vlerësim të rregullt të situatës. Masat përfshijnë sigurimin e mjedisit të afërt të zotit Marty (për shembull, mbrojtje nga afër gjatë paraqitjeve publike dhe masa mbrojtëse teknike në shtëpinë e tij). Këto masa mbrojtëse janë zbatuar në bashkëpunim me policinë kantonale. Situata e kërcënimit dhe masat mbrojtëse vlerësohen në mënyrë të vazhdueshme”, thuhet në përgjigjen për Nacionalen.

“Shkëmbimi me autoritetet policore serbe është vetëm një nga masat e vendosura, të kryera në konsultim të ngushtë me Prokurorinë e Përgjithshme të Zvicrës”, bëhet e ditur më tutje.

Megjithatë, në përgjigje theksohet se detajet e tjera mund të rrezikojnë hetimin.

“Kërkojmë mirëkuptimin tuaj se aktualisht nuk jemi në gjendje të japim ndonjë informacion përtej kësaj deklarate. Pyetjet tuaja specifike kanë të bëjnë me fushat që lidhen me sigurinë (masat mbrojtëse) dhe çdo hap individual hetimor (procedurë penale). Zbulimi i informacionit të mëtejshëm do të rrezikonte efektivitetin e masave mbrojtëse dhe mund të rrezikonte hetimet në vazhdim”, përfundon përgjigja e Policisë së Zvicrës.

Deri më tani, zhvillimi rreth kërcënimit të Dick Martyt nuk ka ndikuar në punën e Dhomave të Specializuara të Hagës.

Strategjia e Serbisë, kundër Kosovës

Serbia e kishte planin e qartë. Të tentonte vrasjen e Dick Martyt, për ta fajësuar Kosovën. Krejt kjo u zbulua nga vetë Marty, dhe u bë publike nga mediat në Zvicër.

Sipas televizionit publik zviceran, kanë kaluar 16 muaj që kur ish-raportuesi i Këshillit të Evropës Dick Marty mbrohej nga policia zvicerane pas kërcënimeve nga anëtarë radikalë të shërbimit inteligjent serb.

Sipas këtij burimi, Dick Marty, autori i raportit që akuzon Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës për krime lufte, ka marrë një kërcënim në dhjetor të vitit 2020 dhe është vënë menjëherë nën mbrojtjen e policisë zvicerane.

Sipas autoriteteve, kërcënimi ndaj tij qe konsideruar në shkallën më të lartë.

Sipas “RTS.CH”, Dick Marty ka deklaruar se kërcënimi me shumë gjasa është bërë nga qarqe të caktuara brenda shërbimit inteligjent serb, të cilët kanë kërkuar nga bota kriminale, konkretisht nga vrasësit profesionistë të më likuidojnë thjesht për t’ua vënë fajin kosovarëve”.

Këta janë “veteranë që specializohen në vrasje me porosi dhe nuk kërkojnë shuma të mëdha parash për të hequr qafe dikë”, sipas Marty.

Pas intervistës së dhënë për transmetuesin publik zviceran ku bëri këto pretendime, Marty – që ndodhet nën mbrojtje maksimale nga njësitë speciale të shtetit të tij – është rishfaqur në publik.

Në një podcast për RSI-në, Marty ka folur sërish mbi akuzat të cilat i ka shtruar kundër shtetit serb.

“Urrejtja që është ndjellë ndaj meje, më ka bërë që të jem pikë e shënjestrës. Kjo është shfrytëzuar në një mënyrë absolutisht cinike dhe perverse nga një pjesë e elementeve radikale nacionaliste serbe, që pjesërisht zënë vend në shërbimet sekrete dhe institucionet serbe – për t’i diskredituar kosovarët duke eliminuar Martyn, ngase të gjithë do të besonin që kosovarët do ta kishin kryer atë akt, pas 11 vitesh fushatë kundër meje”, u shpreh Marty kur iu kërkua të fliste sërish për akuzat e bëra.

Ish-senatori është shprehur se ka paralajmëruar Zvicrën që një vit që të përgatiste terrenin për reagim publik.

“Që para një viti i kam paralajmëruar autoritetet zvicerane që ta përgatisnin terrenin se si do të reagonin publikisht, sepse herët apo vonë e dija që do të shpërndahej në media. Kemi pasur në shtëpinë tonë për katër muaj të tërë forcat e rendit nga të gjitha ekipet e mundshme, përfshirë ato të Inteligjencës”, tha më tej ai, përkthen në shqip gazeta Nacionale.

“Elementi që ka shpërthyer këtë skenar cinik dhe pervers nga disa ekstremistë nacionalistë serbë është pikërisht ngritja e aktakuzës ndaj Thaçit, të cilit i është dashur të japë dorëheqje.”

Pavarësisht gjithë këtyre zhvillimeve, nuk ka pasur ndonjë reagim të theksuar nga Kosova, edhe pse presidentja Vjosa Osmani paralajmëroi komunikim me autoritetet në Zvicër.

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close