Këto janë misteret interesante
Bender-ët gjakatarë
Gjatë Luftës civile, shumë amerikanë ishin drejtuar kah Perëndimi, larg fushëbetejave. Nëse ata kalonin nëpër Kanzas dhe qëndronin në bujtinën e udhëhequr nga klani Bender, jeta e tyre thuajse ishte e humbur.
Benderët ishin gjermanë, mezi e dinin anglishten. Ishin katër sish: John Bender Sr., 60 vjeç; nëna Bender, 55 vjeçe dhe fëmijët e tyre, John Jr., rreth 25 vjet dhe Kate rreth 23. Por, nuk dihet a ishin këta emrat e tyre të vërtetë, si dhe a ishin ata me të vërtetë familjarë midis tyre. Meqë udhëtarët bartnin çdo gjë që kishin me vete, Benderët kishin kuptuar se mund të pasuroheshin duke i plaçkitur ata. Kur udhëtarët e prisnin më së paku, meshkujt Bender i vrisnin ata në pabesi.
Kur filluan të grumbulloheshin kufomat, në fillim u fajësua një fis indian, por shumë shpejt u zbuluan Benderët, si kriminelë të vërtetë. Por, para se të kapeshin, ata u zhdukën. Përkundër një çmimi astronomik për atë që do të jepte ndonjë informatë për ta, Benderët kurrë nuk u gjetën.
Kukullat vrastare, Burke dhe Hare
Në fund të vitit 1820, dy burra në Edinburg të Skocisë filluan një industri të frikshme të dhomave me qira. William Hare dhe William Burke ishin irlandezë, të cilët u bënë miq. Kur një qiraxhi vdiq në shtëpinë e Hare-it, shokët ia shitën kufomën e tij Universitetit të Edinburgut. Ata kuptuan se mund të bënin pasuri duke shitur kufoma, por problemi ishte se nuk kishte kufoma të mjaftueshme. Për këtë shkak, ata vendosën që vetë të “prodhonin” kufoma. Ata vranë rreth 16 njerëz, kryesisht duke i ngufatur dhe ia shitën kufomat e tyre personit të quajtur Dr. Knox, në universitet. Shumë shpejt komploti i tyre doli në shesh. Hare u dorëzua dhe tradhtoi “ortakun” e tij, me kusht që atë ta linin të lirë. Kurse Hare-n sikur ta kishte lëshuar toka. Më pas një djalë gjeti 17 kukulla në një shpellë, të cilat iu ngjanin njerëzve të vrarë nga çifti vrastar. A thua, cili ishte kuptimi i kësaj?
Vrasësi i fëmijëve nga Oklandi
Midis viteve 1976 dhe 1977, një vrasës i paidentifikuar bëri kërdinë në rrugët e Oklandit të Miçiganit, duke vrarë të paktën katër fëmijë, dy djem dhe dy vajza: Mark Stebbins, 12, Jill Robinson, 12, Kristine Mihelich, 10 dhe Timothy King, 11 vjet. Marku ishte ngufatur dhe keqtrajtuar seksualisht me një objekt. Jill ishte vrarë me pushkë në fytyrë, Kristine ishte mbytur nën ujë, kurse Timothy ishte ngufatur dhe ishte keqtrajtuar sikur Marku. Kjo shkaktoi panik të madh dhe askush nuk guxonte t’i linte fëmijët vetëm. Hetimet ishin të gjera, u gjetën disa të dyshimtë, të cilët më pas u liruan për shkak të mungesës së dëshmive. Në vitin 1978, vrasjet pushuan mistershëm. Vrasësi kurrë nuk u gjet.
Njerëzit e “mjaltëzuar”
Shkrimet antike kineze flasin për një traditë arabe, ku pleqve afër vdekjes, nuk u jepej asnjë ushqim tjetër, përpos mjaltit. Shumë shpejt, jashtëqitjet e tyre, si dhe djersa fillonin të përbëheshin vetëm nga mjalti.
Pleqtë më pas do të vdisnin si pasojë e këtij veprimi dhe trupat e tyre vendoseshin në enë të mëdha, të mbushura plot me mjaltë. Pasi që ata qëndronin ashtu për rreth një shekulli, substanca merrej dhe përdorej si ilaç, sidomos për mjekimin e eshtrave të thyer. Ka shumë pak të dhëna rreth këtyre njerëzve “të mjaltëzuar”. Ec e dije e a ka ndodhur një tmerr i tillë me të vërtetë, apo e tëra është legjendë! Askush nuk e di me siguri!