fbpx
Lajme

Albin Kurti: Kosova është atdheu i hebrenjve

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, në festimin e Vitit të Ri hebraik në Prishtinë uroi të gjithë hebrenjtë në mbarë botën për festën e tyre, ndërsa atyre në Kosovë dhe Shqipëri iu tha se duhet të ndihet si në shtëpinë e tyre.
Derisa tregoi se nuk di hebraisht, Kurti tha se e di domethënien e urimit që thuhet në këtë festë, njofton Klan Kosova.

“Kam lexuar se një nga urimet që e bëni në këtë festë është “qoftë ky vit i ri i ëmbël për të gjithë”. Është e vërtetë pas një viti me kaq sfida shëndetësore dhe ekonomike për shkak të pandemisë e gjithë bota ka nevojë për një vit më të ëmbël. Ne në këtë festë të hebrenjve dëshirojmë mbarësi për bashkëkombësit tanë shqiptaro-hebrenj të Kosovës dhe Shqipërisë, gjithë hebrenjve në botë, e sidomos për ata të Izraelit, i cili së fundi u shpreh i gatshëm për njohjen e Kosovës”.

“Njohja shtetërore mes Izraelit dhe Kosovës do të jetë vetëm hapi i parë i radhës për miqësinë në mes popullit shqiptar dhe atij izraelit. Gjatë Luftës së Dytë Botërore shumëkush i kujtojnë ndihmat që i dhanë shqiptarët hebrenjve, por edhe gjatë dhe pasluftës në Kosovë, Izraeli dhe shumë vende të tjera kanë mirëpritur refugjatët tonë dhe kanë dërguar ndihma humanitare dhe janë angazhuar politikisht për drejtësi. E shkuara na mëson të bashkëpunojmë për paqe dhe ta ruajmë njerëzinë përballë çdo dhune që na kërcënon”.

Kurti në fjalimin e tij tha se kjo festë është edhe përkujtim për dy njerëzit e parë dhe se për këtë duhet që popujt të jenë të lidhur në miqësi, pavarësisht dallimeve në gjuhë dhe kulturë.

“Rosh Hashanah – kam lexuar se është përkujtimi i krijimit të njerëzve të parë, Adamit dhe Evës. Kjo histori na përkujton besimin se të gjithë jemi pjesë e së njëjtën familje njerëzore. Racat e kombet, gjuhën e kulturat nuk duhet të na bëjnë ta harrojmë këtë, andaj lidhemi miqësisht me njëri-tjetrin”.

Kurti tha se ndonëse Kosova duket e vogël dhe e varfër dhe s’mund t’i ofrojë shumë Izraelit dhe shteteve të tjera, ajo ofron zemrën e hapur për përparim të miqësisë në çdo sferë.

“Kosova është atdhe i hebrenjve. Hebrenjtë këtu kanë po aq të drejta sa unë dhe të tjerët. Ndihuni në Kosovë si në vendin tuaj”.

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close