Partia FJALA është kundër idesë së futjes së edukatës seksuale nëpër shkolla. Këtë e ka bërë të ditur kryetari i kësaj partie, Gëzim Kelmendi.
Koalicioni K10 që përfshin disa OJQ, sot do të bëj lansimin e platformës për të drejtat e shëndetit seksual dhe riprodhues.
Sipas tyre është shqetësuese se vetëm 14% të qytetarëve përdorin mjete kontraceptive, dhe për këtë ata shohin të arsyeshme futjen e edukatës seksuale në shkolla.
“Ideja e disa OJQ-ve që në Kosovë të futet lënda e edukimit seksual, është ide e rrezikshme dhe cënon rëndë vlerat tona morale që ne si popull i kemi kultivuar me shekuj.
Fëmijët tanë nuk kanë nevojë për edukatë seksuale.
Fëmijët tanë kanë nevojë për edukatë morale, e cila mësohet në kuadër të edukatës fetare.
Në shkollat nuk duhet të futet edukata seksuale.
Në shkollat tona duhet edukata fetare.
Është e turpshme se si disa OJQ- për përfitime materiale na promovojnë shfrenimin seksual si edukim seksual ,e që sipas tyre i bie ju “kënaquni” sa të mundeni, vetëm se duhet të përdorni kontraceptiv.
Ne iu bëjmë me dije se ne jemi pasues të Ymer Prizrenit, Haxhi Zekës e Isa Boletinit, ne kemi kulturën e tonë dhe moralin tonë.
Neve nuk na duhet kultura e atyre që ndërrojnë partnerët sikur çorapet, që flen burri me burrë e grua me grua.
Atë kulturë mbani për veti e mos ia mësoni fëmijëve tanë.
E ato para që i merrni për të na prishur fëmijët tanë, keni për të i vjellur ngase çdo send i ndytë, del nga organizmi” ka thënë Kelmendi.