Kosova s’ka kapacitet për riatdhesimin e kosovarëve që luftojnë në Siri
Qeveria e Kosovës është e gatshme që t`i riatdhesojë kosovarët që kanë shkuar për të luftuar në Siri. Kështu të paktën është shprehur sot kryeministri Ramush Haradinaj, i cili ka thënë se është përgjegjësi e shtetit që të merret me sigurinë e qytetarëve të saj.
Analistët e kanë vlerësuar pozitivisht këtë deklarim të kryeministrit, por skeptikë janë treguar në kapacitetin që ka Kosova si shtet për t`u marrë me këtë kategori të njerëzve.
Sipas ekspertit të sigurisë, Burim Ramadani, Kosova ka përgjegjësi për shtetasit e vet dhe si e tillë duhet forcuar kapacitetet e saj.
“Shteti i Kosovës ka
përgjegjësinë për shtetasit e vet, pavarësisht nëse kjo përgjegjësi ushtrohet përmes vendosjes së ligjit apo përmes ofrimit të ndihmës për deradikalizim. Në grupin e kosovarëve që ende janë në zonat e luftës, ka edhe gra dhe fëmijë.
Prandaj, gatishmëria për trajtimin e tyre është tipike për shtetet serioze. Sigurisht, kapacitetet e Kosovës duhet forcuar vazhdimisht. Por, është e rëndësishme që shteti i Kosovës ka qartësuar vullnetin dhe përgjegjësinë ndaj shtetasve”, ka thënë ai për “Indeksonline”.
Në anën tjetër, Drizan Shala, ekspert i sigurisë, ka thënë se deklarimi publik i Haradinajt do të mund të merrej si pretekst nga personat që kanë shkuar të luftojnë në Siri. Sipas tij, këta luftëtarë mund të shkojnë në luftë dhe të kthehen duke e ditur se mund të mos penalizohen.
“Këta persona në një formë deri më tani kanë hezituar që të rikthehen për arsye që Kosova si anëtare e Aleancës Kundër Terrorizmit ka aprovuar një serë ligjesh të ndryshme ku në ato është e sanksionuar shkuarja apo bashkangjitja në një grup terrorist. Dhe me këtë deklarim politik-publik është frika që të përdoret në të ardhmen si pretekst nga individ apo grupe të caktuara që të shkojnë në ndonjë vatër krize dhe të presin momentumin që të rikthehen dhe mos të kenë ndjekje penale”, është shprehur ai për “Indeksonline”.
Në të kundërtën, Shala ka thënë se riatdhesimi nënkupton se Kosova po i kryen detyrat dhe obligimet e saja shtetërore.
Kujtojmë se sot UNDP ka publikuar një hulumtim të saj, sipas të cilit thuhet se largimi i kosovarëve drejt Sirisë ka filluar në vitin 2012 dhe ka vazhduar edhe më tej deri në vitin 2015.
Deri më tani mbi 60 kosovarë janë vrarë në frontet e luftës në Siri e Irak, ndërsa mbi 120 janë kthyer në Kosovë./Indeksonline/