Krasniqi: Ilir Konushevci më tregoi në detaje se si u vra Adrian Krasniqi, policia ishte mbrapa tij
Florin Krasniqi, i cili u cilësua edhe si “njeriu që e futi Amerikën në luftë për Kosovën”, njeriu që publikisht për ne doli në vitin 1997, në varrimin e ushtarit të parë që ra me uniformën e UÇK-së, Adrian Krasniqi, rrëfimin për këtë të fundit në emisionin n’Demos e nisë duke shpjeguar disa paqartësi rreth librit të Stacy Sullivan, “Mos ke frikë se i ke djemtë në Amerikë/ Si e futi “Pullazxhiu Amerikën në luftë në Kosovë”, shkruan GazetaDemos.
Në këtë libër ndër tjerash shkruhet “se me të marrë vesh që Adriani është kyçur në një grup të armatosur, Florini është tërbuar, madje ai ka kërkuar që të linte atë aktivitet“, por si qëndron e vërteta sipas Krasniqit.
“Njerzit kur shkruajnë libra duan t’i japin përmasa të shitshme për publikun, nuk është ashtu. Të gjithë njerzit thonë që libri është i Florinit, nuk është i imi. Këtë libër unë e kam parë pasi ka dalë në shtyp, vetëm kapitullin e parë e kam parë përpara se me u shty. Kur ma ka dërgu kapiullin e parë e unë kam bërë korigjime, ajo më ka thënë “Florin unë ta kam dërgu kapitullin me më bë korigjime rreth emërtimeve, njerëzve, datave, jo me ma korigju librin tim, se është libri im, kur ta shkruash ti librin tëndë, shkruaje si të duash“
“Ajo ka thënë “unë e kam rreziku jetën për me i ndihmu luftës së Kosovës”, edhe e ka rreziku, edhe thotë unë kam të drejtë…unë dua me të përdorë ty me tregu një ngjarje“, tha ai duke shtuar se në këtë libër ka gjysmë të vërteta.
Ashtu siç edhe e cekëm, Adriani cilësohet si ushtari i parë i rënë me uniformë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nga varrimi i të cilit Florin Krasniqi u shfaq për herë të parë (Adriani ishte kushëriri i Florinit). Sot, Florini heroin Adrian e kujton me disa fjalë të cilat përshkruajnë shumë mirë karakterin e çelekt të tij.
“Ata njerëz nganjëherë janë të nevojshëm, e nganjëherë të domosdoshëm, e në luftën e Kosovës, ata njerëz kanë qenë të domosdoshëm” (për Adrian Krasniqin)
“Adriani ka qenë një njeri shumë i veçantë, në kuptimin se nuk ka pasë durim për padrejtësi, nuk e ka pranu humbjen si opsion. Njërën prej kujtimeve personale të jetës së tij si person, që e kam shumë në kujtesë, si fëmijë, ai edhe kur ka lujtë me top, edhe kur ka lujt shah, humbja nuk ka ekzistu në mendjen e tij. Ata njerëz nganjëherë janë të nevojshëm, e nganjëherë të domosdoshëm, e në luftën e Kosovës ata njerëz kanë qenë të domosdoshëm. Njerëzit e shohin jo si vyrtyt atë punë, por kur i fituesh një lufte Çlirimtare me pas atë vyrtyt shancat me u vra janë shumë të mdhaja, por shancat për me fitu janë edhe më të mdhaja. Adriani nuk ka hy në luftë për me humb luftën, por natyra e tij ka qenë e tillë. Vrasja e tij ka bërë revulucion në gjithë procesin e luftës. Adriani e ka ndryshu edhe mënyrën e të menduarit të shqiptarëve“.
Florini gjithashtu tha se pas sulmit të 11 stacioneve të Policisë serbe, ajo ka qenë hera e parë kur shërbimi informativ Amerikan dhe shërbimet tjera informative e kanë marrë UÇK-në seriozisht.
Krasniqi n’Demos gjithashtu tregoi edhe për momentin kur e kuptoi për vdekjen e Adrianit, ku tha se ishte në zyren e tij, dhe me të marrë këtë informacion, ai u nisë menjëherë për në Kosovë, duke shpalosur edhe detaje tjera që vijojnë:
Mendimi për inskenimin e vrasjes së Adrianit
“Kur kam ardh në Zvicër, e kam pa në televizor “Euronews” m’doket ka qenë, e kam pa të vrarë në tokë, në asfallt, edhe kur ia kam pa cigaret (prek gjoksin) e kam ditë që e kanë inskenuar të gjithë situatën, sepse ai s’ka pi duhan, e ka pasë mërzi duhanin. Kur i kam pa cigaret, hajde paret e disa gjëra që i ka pasë në gjoksë ka mujtë me i pasë në xhepa, por duhon…kur ia kanë qitë pakon e duhonit e kam ditë se krejt është inskenim“, tha Florini.
Varrimi i Adrianit, çfarë i thanë Daut Haradinaj e Rexhep Selimi
“Njeriu që kam taku unë ka qenë Lahi Ibrahimi, aty ka qenë edhe Daut Haradinaj, Rexhep Selimi kanë qenë një grup…Dy njerëz kanë ardhë me armatim të gjatë. Njëri ndër ta ka qenë Daut Haradinaj, e ka pasë një gryk këtu te krahu. Pas shumë kohe Dauti dhe Rexhepi më kanë thanë që e kemi pasë ndër mend me dal publikisht atë ditë, pse nuk kanë dal nuk e di“.
Kush ia largoi Florin Krasniqit dyshimet se vrasja e Adrianit ishte inskenim?
“Ilir Konushefci e ka shpjeguar se si është organizuar aksioni. Janë ndarë në dy grupe, Mujë Krasniqi dhe Ilir Konushefci, Adrian Krasniqi dhe Qerim Kelmendi, prej dy pozicioneve, ma ka shpjeguar ku janë ato shpijat, ato varrezant, e ka vizatuar me dorë, ku ka qenë muri-rruga, stacioni i Policisë dhe se si e kanë sulmuar, një predh nuk e kanë ndezë dhe një predh e kanë ndez në oborrë të Policisë“.
“Fati i tij i keq ishte se Policia Serbe ndodhej mbrapa tij, nga ku edhe mori vdekjen”
“Nuk mendoj se Adriani është vra prej ndonjë tradhtie. Adriani e ka pasë fatkeqësi, e ka bërë me vetëdije të plotë, u shku me e sulmu Policinë e Serbisë, është dhimbje për famijen, ka me qenë gjithmonë…Unë nuk kam dyshim, personalisht nuk kam dyshim se dikush ka dorë në vrasjen e Adrianit. Kam dëgjuar lloj-lloj spekulimesh, janë te nivelit të ulët. Adriani u vra se e ka sulmuar stacionin e Policisë, Policia ka qenë mbrapa dhe ka ndodh…“